Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame u ka bërë apel të gjithë titullarëve të institucioneve qendrore dhe lokale që në kuadër të ”tetorit rozë”, muajit të ndërgjegjësimit ndaj luftës kundër kancerit të gjirit të mundësojnë që të gjitha gratë dhe vajzat të kryejnë kontrollin e gjirit.

Përmes një thirrjeje publike, pasi e ka realizuar edhe vetë këtë gjë me stafin femëror të institucionit që drejton, Lame shprehet se në mënyrë të organizuar suksesi është dhe më i garantuar.

“Ej, ministra dhe ministresha, drejtorë dhe drejtoresha, ku jeni e ku s’jeni, vërini në rresht vajzat e gratë që keni ndën hyqëm dhe çojini të bëjnë kontrollin e gjirit. Është puna për të parandaluar dhe për t’i ruajtur nga një prej më të zezave sëmundje të njerëzisë, por jo vetëm kaq. Është edhe çështje e dinjitetit njerëzor, edhe e bukurisë trupore, edhe e sharmit femëror”, shprehet Lame.

Nga ana tjetër kreu i Kadastrës ka rezervuar falenderime të sinqerta edhe për të gjithë stafin e angazhuar në Spitalin e Traumës për të kryer kontrollin e 120 grave e vajzave që punojnë sot në këtë institucion. “Falenderoj me gjithçka Drejtorin e Spitalit të Traumës, apo siç i themi rëndom, Spitalit Ushtarak, doktor Arben Zenelajn, dr. Vidi Demkon, dr. Najada Jahiqin dhe dr. Xhesika Xhetanin, për impenjimin, gatishmërinë dhe mosmërzinë të kontrollojnë njëra pas tjetrës plot 120 gra, nëna e vajza të Kadastrës Shqiptare”, shprehet Lame.


Flash Lajme