Stresi është i pranishëm në jetën e pothuaj të gjithëve. Psikiatrët thonë se personat që punojnë me shifra, ekonomistët renditen në vend të parë, si më të stresuarit. Nuk mbeten pas edhe njerëzit që punojnë në fushën e medias.

Me një përvojë prej gati 25 vjetësh në fushën e psikiatrisë, Arjana Reli thotë se profesionet më stresante janë ato që e ngarkojnë individin me intensitet pune dhe nga ana tjetër i caktojnë edhe kufij kohorë, që e stresojnë më shumë personin.

”Në përvojën time, kam të paktën dy ekonomistë në ditë. Ekonomisti punon me shifra dhe nuk del dot nga kornizat si në profesion edhe në jetën personale. Sa më tepër të kemi korniza aq më tepër ndihemi ngushtë dhe shfaqim stres”. Bashkëpunimi me kolegët apo eprorët është një tjetër faktor stresues, që për disa profesione është edhe determinues. ”Në vend të dytë janë mësuesit, dhe mjekët veçanërisht ata të urgjencave, që përballen çdo ditë e më shumë me të papriturën. Vazhdojmë me inxhinierët e arkitektët, sepse punojnë me afate kohore të mirëpërcaktuara”. Nën stres janë edhe juristët, avokatët, punëtorët e fabrikave të këpucëve që janë të ekspozuara ndaj lëndëve kimikë, që ndikojnë në sistemin nervor, si dhe punonjësit e call center-ave.

”Personat që punojnë në media janë në raporte njerëzore, të cilat i kanë të paparashikuara. P.sh. lë një orar me një të ftuar dhe ai nuk paraqitet, të dështon emisioni. Një tjetër është i kërcënuar gjatë punës, pasi interviston njerëz që nuk do të donin të prononcoheshin, pavarësisht, se mbajnë poste publike, aq më tepër që gazetarët kanë afate kohore. Gjatë një muaji tre punonjës mediash mund të paraqiten tek unë, gazetarë, drejtues emisionesh e koordinatorë programesh kryesisht”.

Mjekja tregon mënyrat si mos të na mposhtë stresi. ”Të mësojmë të themi jo dhe të mësojmë t’i delegojmë disa detyra, të marrim sa me shume kohë për veten dhe jetë sociale duke folur me miqtë por pa e ngarkuar njëri-tjetrin. Sa më i përgjegjshëm për punën, aq më tepër je i stresuar për gjërat, që bën brenda profesionit”. /TCH/


Flash Lajme