Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi pacientin i cili iu nënshtrua ndërhyrjes së rrallë të realizuar për herë të parë në Spitalin Universitar të Traumës. E shoqëruar nga neruokirurgu, dr.

Fatos Olldashi dhe ekipi i shërbimit të neurokirurgjisë, Manastriliu vlerësoi punën e mjekëve për ndërhyrjen e komplikuar të realizuar me sukses si dhe premtoi më shumë investime në spitale.

”Ne kemi shumë për të bërë, për të përmirësuar por e rëndësishme është që po kryhen edhe ndërhyrje që nuk janë bërë ndonjëherë. Sigurisht që do të vijojmë që të punojmë fort që edhe ato që nuk kemi mundur t’i bëjmë në kohë, të kemi mundësi për t’i bërë. Kemi buxhetin e 2020 dhe aty kemi goxha programe mbështetin spitalin. Trauma është një spital që ka pasur vëmendje të veçantë nga qeveria ndërkohë që vetë shërbimi i kirurgjisë është mbështetur përmes një partneriteti shumë të rëndësishëm që është ai i instrumentave kirurgjikalë dhe të gjithë paketës së sterilizimit që garanton sigurinë e jetës. Infeksionet post operatore janë ulur. Tek rasti juaj, vlen të falenderojmë mjekët për punën dhe ndërhyrjen e rrallë të kryer me sukses”.

Doktori që mori pjesë në interventin e kryer u shpreh se pacienti është në këtë gjendje prej disa vitesh dhe kishte shkuar në disa klinika dhe duke parë rrezikshmërinë, mjekët me të drejtë hezituan. ”Ne për herë të parë kryem një operacion të ngushtimit të qafës dhe shtypjes së palcës së shtyllës kurrizore të krye në kushte nën neuro-monitorim e cila aplikohet për herë të parë këtu. Natyrisht, mjetet janë të spitalit tonë dhe kjo shërbeu edhe për provimin e këtyre mjeteve dhe për marrjen e eksperiencën nga specialist të huaj. Përveç kësaj u bë edhe fiksimi i shtyllës kurrizore me material. Të gjitha këto janë të spitalit, ofrohen falas për pacientët. Me këtë fillim mendoj se do të vazhdojmë edhe me pacientë të tjerë”.

Ai tha se suksesi i operacionit u sigurua përmes investimeve dhe pajisjeve. ”Lajmi i mirë është që ndodh shumë rrallë që direkt pas përfundimit të operacionit ndjen përmirësime. Ne nuk e prisnim këtë rezultat kaq të mirë, kaq shpejt”. Neuromonitorimi është një procedurë për monitorimin e gjendjes funksionale të trurit, palcës kurrizore, nervave periferikë, gjatë periudhës së intervenimit kirurgjikal.


Flash Lajme