Grupi i famshëm West Side Family (WSF) rikthehen në Këngën Magjike (KM) pas një mungese prej 11 vjetësh dhe për herë të parë këtij grupi do t’i bashkohet Alban Kondi, vëllai i ish-anëtarit të ndjerë, Dr.Flori.

Dy anëtarët aktivë të WSF, Landi dhe Miri menduan të festonin 20-vjetorin e daljes së parë në skenë si grup, me një këngë të re, “e krijuar enkas për festivalin që i bëri të famshëm”. Por pjesëmarrja e Albanit i cili prej vitesh punon prapaskene në studion e tij si kompozitor i grupit dhe i shumë artistëve të tjerë – erdhi krejt rastësisht.

“Nuk e kisha fare në mendje. Së bashku me Elgit Dodën, po punonim për disa artistë që do të marrin pjesë në festival si Xheisara apo Olsi Bylyku dhe ishim përqëndruar tek ta. Ndërkohë Landi dhe Miri po mendonin të merrnin pjesë dhe ndërsa unë me Elgitin po punonim për këngën e tyre “7 ditë” , aty për aty u vendos dhe pjesëmarrja ime.”- tregon Albani për Anabel.al.

Në vitin 2017, nisur nga një foto në Instagramin e Albanit me dy pjesëtarët e tjerë të West Side Family, nëpër portale u përhap lajmi se tashmë grupi ishte plotësuar. Por Albani atëherë e përgënjeshtroi dhe thekson sërish për Anabel.al, se pjesëmarrja e tij me West Side Family do të ndodhë vetëm për këtë edicion jubile të Këngës Magjike dhe nuk ka qënë e as do të jetë dicka e përhershme.

“Unë e kam diskutuar shpesh me Landin dhe Mirin që West Side Family tashmë është një brand, është një familje që mirëpret këngëtarë të ndryshëm. Sot jam unë, nesër do të jetë dikush tjetër.”

West Side Family debutuan për herë të parë në “Kënga Magjike” në vitin 1999 me këngën “Deluzion”. Atëherë grupi nuk arriti të kualifikohej në natën finale. Por një vit më pas, super-hiti “Mesazh” do të ishte shpërthimi i tyre i parë dhe pas kësaj kënge, çdo pjesëmarrje tjetër në Kënga Magjike si me “Hou Çike”, “Në krahët e tua do të jem” apo me performancën e paharrueshme e “Nëse Mundesh” do ta klasifikonte WSF si grupin më të mirë në Shqipëri dhe tekstet e tyre do të frymëzonin me qindra-mijëra të rinj.

Pas humbjes tragjike të Dr. Florit, në 17 Nëntor të vitit 2014, shumë menduan se grupi tashmë do të shpërbëhej. U deshën disa vite ripërtëritjeje nga kjo humbje e madhe dhe tashmë, në bashkëpunim me Alban Kondin si kompozitor dhe producent, WSF falë hiteve si “Komshia” apo “Marinela”, ka njohur një rikthim të suksesshëm duke u ngjitur sërish në podiumin e më të mirëve./anabel.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP


Flash Lajme