Egla Xhemali – Të gjithë sytë tek ai! Që pas fitores së bujshme në festivalin “Kënga Magjike”, kantautori i njohur Flor Mumajesi është vënë në epiqendër të mediave rozë për një lidhje të mundshme me këngëtaren Kejsi Tola.

Burime për “Gazeta shqiptare” kanë pohuar se atë janë vetëm bashkëpunëtorë, megjithatë çifti nuk ka pranuar gjë ende. Nuk ka pasur asnjë reagim nga artistët për të përgënjeshtruar lajmin. Ndërkohë që Flori me krijimin e tij i këndonte një dashurie që s’është më dhe që shumë aluduan se bëhej fjalë për Elvana Gjatën, nga ana tjetër, dukej se ajo që e ngushëllonte ishte Kejsi Tola me këngën “Më ke mua”, një krijim po ashtu i Mumajesit, që fitoi çmimin e “Produksionit më të mirë”. Në fakt, ishte vetë këngëtari, ai që e ktheu të gjithë vëmendjen te jeta e tij personale me postimet në “Instagram”. Flori publikoi një foto nga momenti kur interpreton me Kejsi Tolën këngën “Më ke mua”, te “Post Kënga Magjike”, në studion e të “Dielës shqiptare”, ku shfaqeshin shumë të afërt me njëri-tjetrin.



Teksa Kejsi këndonte, Flori e përqafonte, i drejtohej me fraza nga teksti i këngës, bënte gjeste romantike dhe kaq është dashur që të përflitet se ata janë në një lidhje. Por, ajo që shton më shumë dyshimet, është fotoja e publikuar disa ditë më parë nga Flori në “Instastory”-n, ku shfaqet Kejsi në studiot e xhirimit, foto, të cilën këngëtari e ka shoqëruar me një emoji zemër. Kaq ka mjaftuar dhe mediat ta konsiderojnë këtë një romancë të fshehtë, që tashmë doli në sipërfaqe me dëshirën e vetë Florit, si për të larguar vëmendjen nga alibia se ai në këtë festival erdhi për t’i dhënë një mesazh publik ish-bashkëpunëtores së ngushtë në muzikë, Elvana Gjatës, duke i thënë “S’kena me u pa më bashkë”.

Ajo që e ka trazuar edhe me këtë aludim ka qenë vetë Kejsi fill pas publikimit të produksionit të fundit të Florit. Asokohe kur sapo ishte publikuar “U rritëm” e këngëtarja ishte duke shijuar suksesin e saj në klasifikimin e “The Top List”, i bëri të gjithë konfuzë me postimin në “Instagram”: “Kjo është një këngë që e kam dashur që nga fillimi kaq shumë dhe jam kaq e lumtur që po më bëni ta vazhdoj ta dua edhe më shumë, nga çdo koment dhe çdo fjalë me kaq shumë energji”, shkruante Tola. Kantautori ka preferuar të krijojë afrimitet me një artiste 10 vite më të re në moshë. Edhe pse ka dalë në skena të mëdha që në adoleshencë, Kejsi deri më tani nuk është përfolur ndonjëherë për lidhje me meshkuj të botës së “showbiz”-it. Nëse i kthehemi edhe një herë festivalit “Kënga Magjike”, të dy artistët u ngjitën në skenë më në formë se kurrë dhe me trofe. Sa i përket lidhjes së mundshme mes të dyve do na ngelet të presim.


Flash Lajme