Egla Xhemali – Zëri i saj ka rrokur në ëndje të ngrohta melodie publikun. Një shpirt i destinuar të përcjelli ngado muzikë. Në ajër ndihen tingujt e fill pas tyre shpërthen në nota herë të larta e herë të gëzuara ajo.

Rona Nishliu na sjellë aromë tradite, vijim të saj përmes produksioneve të fundit. “Me lule t’bukura” i përket historisë së muzikës shqiptare, ndërkohë që këngëtarja e vazhdon traditën duke e ndërthurur atë me muzikën xhaz. Gjithçka e mirëkonceptuar deri në detaje e një klip që të mrekullon. Një punë e jashtëzakonshme e finalizuar në albumin “Mindil”, që vjen si një konglomerat emocionesh të forta, ku është punuar me variantin e “live albumit”, karakteristë kjo e rrallë për tregun tonë muzikor. Nishliu rrëfen për “Gazeta shqiptare” të veçantën e projekteve të fundit, risitë e “Mindil”, sesi është pritur nga fansat dhe jetën përtej muzikës. E ndërsa ka përqafuar suksesin e jetës artistike, ku është mirëpritur nga gjithë dashamirësit e muzikës së saj, Rona po jeton një periudhë mjaft të lumtur. Këngëtarja është në pritje të ëmbël. Ne urojmë që Ronën t’a presin vetëm momente të bukura dhe të shkëlqej në rrugëtimin e saj artistik!



“Me lule t’bukura” vjen si një ripërpunim i këngës së vjetër shqipe. Pse kjo zgjedhje për t’iu rikthyer traditës?

Në fakt, unë më shumë do të preferoja shprehjen ‘vazhdim’ sesa ‘rikthim’. Kënga e vjetër shqipe është një traditë që vazhdon, ndërkaq puna ime dhe e bendit bazohet në idenë e përshtatjes së kësaj tradite me një traditë, gjithashtu, të vjetër muzikore dhe globale, pra muzikën jazz.

“Mindil” si një konglomerat emocionesh, cila është e veçanta e albumit tuaj?
Mendoj që secila këngë në albumin ‘Mindil’ është vlerë, ndaj përmbledhja e tyre në një produkt, i jep albumit veçantinë e vet. Procesi i incizimit në stilin e një “live albumi” është veçanti tjetër karakteristike dhe shumë e rrallë për albumet e pakta të prodhuara në vendin tonë. Përfshirja dhe promovimi i traditave të tjera veç asaj shqiptare, një tjetër e veçantë me vlerë…

Këto kohë jeni mjaft e angazhuar me koncerte. Si është pritur Rona nga publiku?
Publiku më jep entuziazmin kryesor që unë të jem e angazhuar dhe e inspiruar në muzikë. Shpresoj që publiku doli i kënaqur me punën tonë. Pritja ishte si gjithmonë, e paharrueshme. I falënderohem të gjithë atyre që erdhën dhe na ndoqën në sallat e koncerteve, dhe njëkohësisht dua të falënderoj edhe pjesën tjetër të publikut i cili ka përkrahë në vazhdimësi projektin nëpërmjet mediave sociale.

Gjithçka e bukur deri në detaje, në klipin e fundit. Nga jeni frymëzuar për veshjen dhe look-un?
Klipi i fundit vjen si finalizim i një pune të gjatë dhe grupore. Puna profesionale e të gjithë të angazhuarve në këtë projekt bëri që klipi të pritet pozitivisht. Besoj që akumulimi i ideve dhe frymëzimeve të ndryshme dha si rezultat një klip tejet të bukur dhe special. Ju ftoj ta ndiqni, nëse akoma nuk e keni parë dhe dëgjuar.
Sapo lamë pas Eurovizionin, deri më sot keni qenë përfaqësuesja më dinjitoze e Shqipërisë. Mendoni se ka ndonjë formulë për të pasur sukses atje?
Shqipëria gjithmonë ka qenë në hap me trendin gjatë gjithë viteve pjesëmarrëse. Të gjitha këngët e përzgjedhura në festivalin e RTSH-së patën paraqitje dinjitoze në Evropë, sepse edhe vetë këngëtarët ishin artistë dhe njerëz të këngës. Mendoj që një ditë jo të largët, Shqipëria do të arrijë suksesin e madh në Eurosong. Këshilla ime është që të vazhdohet me ritmin e njëjtë të punës serioze dhe origjinale, ndërkaq suksesi është i pashmangshëm.

Jeni në pritje të ëmbël. Si po i përjetoni këto ditë të bukura?
Emocionet janë të shumta aq sa mbesin të pakta fjalët që përshkruajnë ndjenjat të cilat po jetoj.

Një pasion që nuk e keni bërë publik?
Të qenit fytyrë publike, nuk të le shumë hapësirë për pasione të fshehta.

Deri ku shkon Rona kur del nga vetja?
Është pak herët për këtë përgjigje, mendoj! Çfarë është e qartë, është se duhet bërë edhe një copë të konsiderueshme jetë, që mbase të kem ndonjë koment.


Flash Lajme