Gjithmonë ka qenë pjesë e skuadrës, qoftë në fushë, qoftë në dhomat e zhveshjes por këtë herë Andi Lila ishte në “Elbasan Arena” si spektator. Për emisionin “Kuqezi”, mesfushori kavajas, tha se ka vizituar shokët në qendrën e grumbullimit dhe se ka parë një atmosferë mjaft të mirë, ndërsa nuk i kurseu lëvdatat edhe për trajnerin Edi Reja.

”Të them të drejtën, qenka qejf ta shohësh Kombëtaren edhe nga shkallët e stadiumit, pasi gjithmonë kam qenë në dhomat e zhveshjes”.

I pyetur sesi i duket Kombëtarja nën drejtimin e Rejës, ai thotë se klima është e mirë. ”Kam pasur kontakt me të gjithë dhe madje kam vizituar ekipin në resortin ku kanë qenë të grumbulluar. Klima është shumë e mirë dhe skuadra është përshtatur mjaft mirë edhe me skemën e re, duke bërë një ndeshje të mirë në Islandë, ndonëse fati nuk ishte me ne”.

A ka pasur një bisedë me Rejën gjatë kësaj kohe, Lila? ”E kam takuar trajnerin dhe më ka bërë përshtypje të mira, pasi është një zotëri i vërtetë. Shpresoj që bagazhin e karrierës së tij të gjatë, ta transmetojë në Kombëtaren tonë”.

Flash Lajme