Nga Entila Cuka

Është 11 qershor 2019, kanë kaluar më shumë se tre vite nga ditët kur sheshet mbusheshin me tifozë “Kuq e Zi”. Festohej kualifikimi në “Euro 2016”.

Sot sheshet mbushen me protestues ose elektorat për zgjedhjet e lëna pezull. Në Tiranë na shohin të habitur pasi jemi veshur me simbolin e kombëtares. “Ka ndonjë aktivitet që jeni veshur kështu njësoj” – na pyet kamarieri. “Luan Shqipëria kundër Moldavisë” – i përgjigjemi. “Unë jam tifoz, e ndoqa edhe para disa ditësh ndeshjen ku humbëm në Irlandë” – vijon ai bisedën. “Me Islandën” – e korrigjojmë si me gjysmë zëri edhe tundim kokën të buzëqeshur sikur u bindëm që është tifoz.

Arrijmë në Elbasan, ku ndjesia është ndryshe. Kamarierët ju shërbejnë tifozëve që mbajnë flamurin mbi supe. Temperaturat janë të larta, por edhe atmosfera gjithashtu. Në pedonale ka zhurmë, ngjyra kuqezi edhe shumë pak ose pothuajse asnjë tifoz moldav. Hyjmë në stadium, teksa nuk jemi në një ditë ku stadiumi është i mbushur plotë. Futbollistët renditen para tifozëve edhe trajnerëve. Afron ora, dëgjohet vërshëllima, nis pjesa e parë, ora 20:45.

Skuadra jonë synon fitoren, tenton disa herë të gjej rrugën e rrjetës. Në tribunën (kryesore) tonë ka qetësi. Dalloj një nxitës tifozësh, jo fort sportiv në pamje por duket babaxhan. Kërkon të ndez gjakun e tifozëve. Thërret me duart lart: “Shqipëri..123..Oleee; Shqipëri..123..Oleee; Shikoj rreth e për qark edhe vë re që jam vetëm unë me nxitësin me duart lart. Largoj shikimin drejt fushës, futbollistët e gjatë moldavë duken te pa depërtueshëm. Mbyllët pjesa e parë, rezultat i bardhë 0 me 0.

Ora shënon 21:45 shkallët e stadiumit po mbushen. Trajneri bën dy zëvendësime të shpejta, fut në lojë dy lojtarë me karakteristika sulmuese. Si sportdashëse më pëlqen trajneri i ri, edhe për faktin se emri i tij duket familjar me shqipen, Edi Reja. Më ngjason me De Biazin që e thërrisnim Abaz. Në tribunën tonë ka filluar të ndaloi fryma, aksionet janë shtuar edhe pse pa rezultat. Dëgjohet: “Pasoje, gjuaj, ec ec ec” kur papritur vjen momenti i  golit. Është minuta e 65-të që sjell fitoren tek ne. Të gjithë në këmbë, zemrat janë peshë. Në tribunë marrim frymë, më poshtë duket edhe nxitësi. Këtë herë i bashkohemi më shumë tifozë, ndërkohë që tribunat e tjera duket sikur kanë marr flakë. Një tymë i bardhë parakalon mbi tribuna pas golit të parë të shënuar me “Tifozët Kuq e Zi” dhe “Illyrian Elite”, që janë dy grupimet që marrin “lejen” për të dhuruar spektaklin e tyre pas golit të shënuar.

Nxitësi është në këmbë, shtohen duartrokitjet edhe kërkojmë golin e fitores së sigurt. Është minuta e 92-të kur vjen goli i dytë, tifozët bëhen një edhe stadiumi feston. Ndeshja e radhës kundër kampionëve të botës, me 7 shtator Francë-Shqipëri. Deri atëherë shpresoj të na ndjek fati dhe sigurisht të besojmë te një tjetër mrekulli, si ajo ndaj Portugalisë, që na hapi rrugën drejt “Euro 2006”. /Koha Jone/

Flash Lajme