Kukësi është shkatërruar 3-0 në transfertë nga Debreceni në Hungari në ndeshjen e turit të parë në Europa League. Nënkampionët e Shqipërisë, edhe pse zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë, me raste të shumta shënimi, u shpërfytyruan brenda gjysmë ore lojë në fraksionin e dytë, duke u detyruar ta nxirrnin plot tri herë topin nga rrjeta, kjo edhe për faj të gjyqtarit, që nuk sinjalizoi një 11-metërsh për ndërhyrje ndaj Valdet Ramës si dhe konsideroi të rregullt golin e dytë të hungarezëve, kur pamjet e përsëritura e bëjnë të qartë se autori i golit ishte jashtë loje.

Depërtimi i frikshëm i Valdet Ramës në fillim të ndeshjes, shtylla e Rrocës dhe grushti i portierit Nagi në fund të fraksionit të parë ishin momentet më pikante në favor të Kukësit, që u ndëshkua në minutën e 54-t nga Garba, një lojtar që kishte vetëm pak minuta në fushë.

Skuadra e Ernest Gjokës ishte e detyruar të shtonte presionin në gjysmëfushën kundërshtare, për të shmangur humbjen, por Varga realizoi dygolësh në minutat 77-të dhe 83-të, duke vulosur fitoren 3-0 të skuadrës hungareze. Një humbje e rëndë kjo për Kukësin, që do ta ketë një mision thuajse të pamundur përmbysjen e rezultatit në ndeshjen e kthimit.

Flash Lajme