Kukësi është skuadra më aktive këtë merkato vere, teksa ndryshimet do të jenë të shumta pas shkarkimit të trajnerit Ernest Gjoka. Strategu që pritet të marrë drejtimin e verilindorëve është Ilir Daja, me të cilin presidenti Safet Gjici është në bisedime prej ditësh.

Nga burime brenda klubit mësohet se kanë gjetur gjuhën e përbashkët, madje duke menduar edhe për afrimet dhe largimet që do të jenë të shumta.

Tre tituj kampion të fituar me tri skuadra të ndryshme: Elbasanin, Dinamon dhe Skënderbeun. Daja është i vetmi trajner që ia ka dalë të bëjë diçka të tillë në Shqipëri. Respekt kudo ka shkuar me profesionalizmin dhe përkushtimin e tij ka arritur që të korrë suksese. Tani mbetet vetëm përkufizimi i detajeve për të materializuar kontratën e re. Diçka që pritet të ndodhë sapo presidenti të kthehet nga pushimet që është duke kaluar me familjen në Turqi. Të angazhuarit me merkaton ndërkohë vijojnë intensivisht tratativat.

Pa dyshim i bujshëm zyrtarizimi i Enis Gavazajt, lojtar që i shton klasin dhe teknikën një organike të pasur, ku do të ketë të tjera goditje. Pak orë para tij u zyrtarizua huazimi i Camara, ndërkohë që sa u përket afrimeve në vijim do të jenë emra prestigji dhe që ofrojnë garanci, por më parë duhet zyrtarizuar trajneri për të qartësuar idetë mbi projektin e tij për sezonin e ardhshëm në bazë të filozofisë së tij dhe nevojave specifike që do të adresojë në drejtim të njerëzve të merkatos.

Nga Skënderbeu do të vijë sulmuesi Blerim Krasniqi, teksa zyrtarizimi do të bëhet në ditët në vijim, pasi akordi është arritur prej ditësh. Rrumbullaku pritet të jetë futbollisti i radhës që pritet të largohet nga Kukësi, ndërkohë që do të ketë edhe ndryshime të tjera të mëdha. Mesfushori Valdet Rama mund të qëndrojë në rast se nuk merr ndonjë ofertë të mira nga ndonjë klub i huaj. Duket se projekti i Kukësit për të ndërtuar një skuadër kampione për sezonin e ri po ecën në rrugën e duhur, tashmë mbetet të definohen edhe lëvizjet e fundit.

Flash Lajme