Kryetarja në detyrë e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi ka reaguar pas protestës së punonjësve të klubit të Vllaznisë, të cilët prej 6 muajsh nuk paguhen.

Ademi tha se shqetësimi është ngritur disa herë nga ana e Bashkisë.

Ajo shtoi se fondi është në dispozicion por është bllokuar nga prefekti i Shkodrës dhe pa një vendimmarrje nuk mund të përdoret për pagimin e punonjësve.

Voltana Ademi: “Shqetësimi është ngritur shumë herë. Situata ku ndodhet bashkia është pak komplekse dhe lidhet me krizën politike. Këshilli Bashkiak ka 3 muaj që nuk merr asnjë vendim. Në bashkinë Shkodër nuk ka një vendimarrje që lidhet me vijueshmërinë e punës për tu ekzekutuar nga ekzekutivi, administrata e bashkisë Shkodër dhe për pasojë ka edhe pengesa që vijnë në shërbimin që ne realizojmë. 

Ka pasur miratim nga Këshilli Bashkiak për alokimin e fondeve. Kjo vendimmarrje nuk është kaluar nga Prefekti i qarkut Shkodër. Duke parë problematikën i jemi referuar edhe njëherë Këshillit me datën 11 qershor 2019 dhe sot jemi në muajin shtator dhe nuk kemi një shqyrtim apo një vendimmarrje që do të duhet të adresojë paratë e buxhetit. Paratë që ka në dispozicion Bashkia Shkodër janë të mundshme për tu alokuar sepse ne i kemi dërguar për miratim. Ajo që kërkohet menjëherë  është një vendimmarrje për përdorimin që nuk mund ta realizojë bashkia Shkodër.”

Punonjësit e klubit të futbollit të Vllaznisë në stadiumin ‘Loro Borici’ dhe “Reshit Rusi” u ngritën sot në protestë dhekërkuan që t’u jepen rrogat.

Flash Lajme