Transferimi i Christian Eriksen nga Tottenham te Interi, është mbyllur me fund të lumtur, pasi klubi londinez vendosi të pranojë ofertën e milanezëve mbrëmjen e sotme.

Mediat raportojnë, se Daniel Levy ka pranuar ofertën prej 15 milionë eurosh, plus 5 të tjera në formë bonusi, ndërsa Eriksen pritet të jetë nga e diela në San Siro, për të ndjekur nga tribuna ndeshjen mes Interit dhe Cagliarit.

Rastin e shfrytëzoi dyshja zikaltër Marotta-Ausilio, që arritën të bindin si klubin londinez, ashtu edhe danezin, që të firmosë një kontratë 4.5-vjeçare me Interin, për një pagë prej 10 milionë eurosh në sezon.

Eriksen cilësohet si një nga lojtarët më të mirë në botë në rolin e tij dhe ardhja e tij te Interi është një sinjal i qartë se zikaltrit kanë ndërmend të tentojnë objektiva madhore, duke filluar nga titulli kampion i këtij sezoni.

Christian Eriksen është futbollisti i tretë që i bashkohet Interit gjatë merkatos së janarit, pas dy anësorëve Ashley Young dhe Victor Moses.

Flash Lajme

Më të lexuarat