Kristal Abazaj kërkon minuta dhe Anderlechti më në fund ka vendosur ta lejojë futbollistin shqiptar të largohet në formë huazimi. Pavarësisht se aktivizimi i 22-vjeçarit ka qenë i pakët, drejtuesit e klubit në ndryshim nga ish-trajneri Vanhaezebrouck kanë shfaqur  besim të plotë tek cilësitë e anësorit aq sa në momente të caktuara nuk lëshonin “dritën jeshile” për një largim të tij, qoftë edhe në formë huazimi.

Disa klube edhe jashtë Belgjikës kanë shfaqur interes për Abazajn, madje ekziston një prapaskenë ku një prej klubeve ishte i gatshëm të paguante edhe më shumë se 750 mijë eurot që shpenzoi Anderlechti për ta përfituar të plotë kartonin e shqiptarit, por refuzimi i klubit belg ka qenë kategorik.

Lokereni është në “pole position” për të marrë shërbimet e Abazajt, madje trajneri Trond Sollied i ka hapur thuajse pa kufizim dyert e formacionit anësorit në mënyrë që 22-vjeçari të ketë kohën e duhur për t’u përshtatur.

Flash Lajme