Juventus po punon në mënyrë sekrete për të nënshkruar me Luka Modric, fituesin e “Topit të Artë” për vitin 2018. Një sulm “blitz” i bardhezinjve që ka surprizuar Interin dhe Marotta-n, që pikërisht në javët e fundit kishin provuar të kuptonin mundësitë reale për të transferuar në Serinë A mesfushorin kroat, të cilin zikaltrit tentuan ta rrëmbenin në verë.

Mirëpo në atë kohë nuk ishin pjekur kushtet për largimin e tij nga Reali, duke nxitur edhe irritimin e presidentit Florentino Perez, ndonëse propozimi për 10 milionë euro neto në sezon kishte gjetur mirëkuptimin e futbollistit.

Tani ka zbritur në fushë për 33-vjeçarin edhe Juventusi, që kërkon ta ribashkojë me Cristiano Ronaldon. Marrëdhëniet e mira mes bardhezinjve dhe madrilenëve, si në rastin e marrëveshjes për CR7, mund të jenë çelësi për të tjetër shtrëngim duarsh mes palëve.

Tratativa për të transferuar Modricin në Torino bazohet në një ofertë të kënaqshme për mesfushorin, që përtej moshës, vazhdon të luajë në nivele të larta. Kroatit i skadon kontrata me Realin në vitin 2020, por nuk ka sinjale për rinovimin e saj. Një arsye e fortë që mund ta bindë “Topin e Artë” të zgjedhë Juven dhe jo Interin ka të bëjë me ambiciet që kanë të dyja skuadrat në Champions League.

Flash Lajme