Kombëtarja shqiptare është gati për dy ndeshjet e para eliminatore të muajit mars për Europianin e vitit 2020.

Kuqezinjtë do të sfidojnë së pari Turqinë më 22 mars, ndërkohë që 3 ditë më vonë do të luajmë në transfertë ndaj Andorrës. Trajnerin Christian Panucci prej disa ditësh ndodhet në Shqipëri për të bërë gati programin e eliminatoreve, ndërkohë që një mendim padyshim shkon te lista që do të ketë për këto dy ndeshje, teksa mesa duket këtë herë do ta ketë më të thjeshtë për të përzgjedhur futbollistët më në formë, të cilët nuk janë të pakët.

Portierët

Etrit Berisha është si gjithmonë titullar në skuadrën e Atalantën, duke qenë shpesh herë protagonist me ndërhyrjet e tij. Bergamaskët janë vetëm një pikë larg vendit të katërt që mbahet nga Milani dhe një meritë sigurisht është edhe e tij. Sa herë që është thirrur në “apel” ai është gjithmonë i gatshëm. Në të njëjtën pozicion ndodhet edhe Thomas Strakosha, i cili është si gjithmonë një titullar i padiskutueshëm në ekipin e bardhekaltërve, por duhet pranuar se ka humbur shkëlqimin e sezonit të fundit, edhe në saj të një mbrojtje shumë difektoze. Alban Hoxha ndërkohë si portieri i tretë si gjithmonë bën paraqitje mjaft të mira te Partizani, duke e ndihmuar për të qëndruar në krye të renditjes në Superiore.

Mbrojtja

Padyshim reparti më i dobët i ndeshjeve të Ligës së Kombeve, por tashmë gjërat kanë ndryshuar pasi një pjesë e mirë e lojtarëve janë titullar dhe protagonist. Ardian Ismajli po shkëlqen me skuadrën e Hajdukut të Splitit në Kroaci, teksa në fundjavë shënoi në fitoren 2-1 ndaj Lokomotivës së Zagrebit. Forma e mirë e mbrojtësit të kombëtares ka bindur skuadrën e njohur Shakthar Donetsk për të shfaqur interes për të. Elseid Hysaj ka rikuperuar mesa duket besimin e trajnerit Ancelotti, pasi në ndeshjet e fundit ka qenë titullar te Napoli duke bërë paraqitje shumë të mira në krahun e djathtë. Formën më të mirë e gëzon padyshim Berat Gjimshiti, i cili ka qenë protagonist një paraqitje spektakolare në Kupën e Italisë ndaj Juventusit si dhe në prezantime mjaft të mia në kampionat. Të fitosh besimin e Gasperinit nuk është aspak e thjeshtë. Federik Veseli është gjithmonë titullar te Empoli në Seria A, ndërkohë që Ermir Lenjani në fundjavë gjeti rrugën e rrjetës në derbin ndaj Sadikut.

Mesfusha

Le ta nisim nga Ndoj, i cili është talenti më i spikatur i javës së fundit. Mesfushori shënoi gol dhe fitoi një penallti në duelin e fundit ndaj Carpit, teksa në tribunë nuk mungonin skautët nga ekipi i Sampdorias. Myrto Uzuni është futbollisti tjetër që po gëzon së tepërmi trajnerin Panucci, pasi po vijon që të gjejë rregullisht rrugën e rrjetës në Kroaci te Lokomotiva. Nuk ka aspak lajme të mira ndërkohë nga Grezda dhe Xhaka, të cilët janë të dëmtuar dhe me shumë mundësi mund të mungojnë në dy ndeshjet e para eliminatore. Ylber Ramadani po bën paraqitje shumë të mira në Danimarkë te Velje duke qenë madje edhe kapiten i kësaj skuadre. Memushaj nuk është në ditët e tij më të mira, por sa herë thirret në “apel” nga Panucci është i gatshëm të japë kontributin e tij.

Sulmi

Lajmi më i mirë është forma e jashtëzakonshme që po kalon Sokol Cikalleshi në Turqi, duke bërë që edhe trajneri italian të pranojë se po mendoj që ta rigrumbullojë. Bekim Balaj po zhvillon fazën përgatitore në Turqi, teksa nuk kanë munguar edhe golat, diçka pozitive që mund të sjellë edhe aktivizimin në kombëtare. Llullaku po bën paraqitje të mira në Rumani, por duket i vështirë rikthimi në kombëtare, ndërkohë që Manaj po rikuperohet pas dëmtimit në kokë që ka pësuar para dy javësh. /Koha Jone/

 

Flash Lajme