Foto: Ilustrim

Burrat, gratë dhe fëmijët infektohen njëlloj nga virusi i ri i koronës. Por burrat sëmuren shpesh më rëndë me COVID-19 dhe vdesin më shpesh prej tij. Ndërsa gratë dhe fëmijët janë më pak të rrezikuar.

Që nga fillimi i pandemisë ka spekulime lidhur me arsyen, se përse burrat vuajnë më shumë nga infeksioni me virusin e ri korona: Burrat i kushtojnë më pak vëmendje shëndetit, pijnë më shpesh duhan, ushqehen më keq. Pikërisht brezi i vjetër kishte një mënyrë jo të shëndetshme jetese. Përveç kësaj supozohet se burrat shkojnë me shumë vonesë tek mjeku.

Të dhënat e nismës kërkimore Global Health 50/50 nga më shumë se 20 vende konfirmojnë se gratë infektohen po aq shpesh sa burrat. Por burrat shpesh sëmuren më rëndë nga COVID-19 dhe gjasat që të vdesin nga infeksioni janë më të mëdha. Po të shihet niveli i vdekshmërisë, shpërndarja është një e treta me dy të tretat.

Sigurisht që ndikim kanë edhe me sëmundjet e mëparshme. Për shembull, burrat vuajnë shumë më shpesh nga sëmundjet kardiovaskulare, nga të cilat vdesin më shpesh se gratë.

Përveç kësaj vendimtare është struktura e moshës: sipas Institutit Robert Koch (RKI) në të gjitha grupmoshat deri te 70 deri 79 vjeçarët kanë vdekur dy herë më shumë burra sesa gra. Vetëm pas kësaj moshe raporti fillimisht përafrohet, dhe pastaj në grupmoshën 90 deri 99 vjeç rikthehet siç ishte fillimisht.

Kjo ndoshta ka të bëjë në radhë të parë me faktin se ka më shumë gra të moshuara sesa burra të moshuar. Arsyet e këtij dallimi gjinor nuk i shpjegon dot as RKI, raporton DW.

Receptori ACE2 si porta hyrëse?

Një rol të rëndësishëm luan ndoshta edhe receptori ACE2, sepse ai shërben si një portë hyrëse për sëmundjet e shkaktuara nga koronaviruset COVID-19, SARS dhe MERS. Burrat kanë qenë më të prekur edhe nga MERS, thotë Bernhard Zwißler, Drejtor i Klinikës së Anestesiologjisë në klinikën LMU.

Sipas një studimi të University Medical Center Groningen  ky receptor ACE2 gjendet në një përqendrim më të lartë te burrat. Këtë ndryshim mes gjinive studjuesit e zbuluan, kur shqyrtuan një lidhje të mundshme ndërmjet receptorit ACE2 dhe dobësisë, insuficiencës kronike të zemrës.

Sipas Bernhard Zwißler momentalisht është duke u studjuar, nëse dhënia e ACE inhibitorëve për uljen e tensionit të gjakut bën që qelizat të krijojnë më shumicë receptorin ACE2 dhe në këtë mënyrë të jenë më të ndjeshme ndaj një infeksioni. Kjo supozohet, por akoma nuk është dëshmuar asgjë.

A i mbron gratë estrogjeni dhe sistemi më i fortë imunitar?

Sistemi imunitar femëror është më rezistent se ai i burrave. Arsye për këtë është hormoni seksual femëror estrogjen, i cili stimulon sistemin imunitar duke vepruar më shpejt dhe masivisht kundër patogjenëve. Testosteroni mashkullor nga ana tjetër pengon mbrojtjen e trupit.

Që sistemi imunitar i grave reagon në përgjithësi më shpejt dhe më fort ndaj infeksioneve virale se ai i burrave, konstatohet edhe tek sëmundje të tjera virale, si gripi apo edhe ftohjet e lehta, pohojnë virologët.

Me sa duket edhe te shakatë lidhur me “ftohjen e meshkujve” ka diçka të vërtetë. Por gratë vuajnë më shpesh nga sëmundjet autoimune, në të cilat sistemi imunitar reagon me tepri dhe sulmon qelizat e veta – një komplikacion i mundshëm edhe për COVID-19.

Përveç kësaj janë edhe “shkaqe gjenetike”, që favorizojnë gratë, thotë virologu molekular  Thomas Pietschmann për DW. Arsyeja është se disa gjene, që kanë të bëjnë me imunitetin, për shembull gjenet që janë përgjegjës për zbulimin e patogjenëve, kodohen te kromozomi X”. Meqenëse gratë kanë dy kromozome X dhe burrat vetëm një, gratë janë në avantazh.

India një rast i veçantë

Studimet nga India tregojnë çuditërisht se atje për gratë rreziku, që të vdesin nga Covid-19, është më i lartë se tek burrat. Sipas studimeve shkalla e vdekshmërisë te gratë e infektuara është gjithsej 3,3 përqind, ndërsa te burrat e infektuar 2,9 përqind. Në grupmoshën e 40 deri 49 vjeçareve 3,2 përqind e grave të infektuara kanë vdekur, në krahasim me 2,1 përqind tek burrat. Në grupmoshën e 5 deri 19 vjeçarëve kanë vdekur vetëm gra.

A i kushtohet më pak vëmendje shëndetit të grave se sa të burrave në Indi?

Arsyet për këtë rast specifik indian po hetohen intensivisht. Ndër të tjera supozohet se gratë janë më të prekurat, meqenëse në Indi ka më shumë gra se burra në moshë të thyer.

Përveç kësaj shëndetit të grave i kushtohet më pak vemendje se shëndetit të burrave. Gratë shkojnë edhe më rrallë te mjeku dhe provojnë të kurohen fillimisht me metoda shtëpie. Ato shkojnë për t’u testuar apo kuruar relativisht më vonë se burrat.

“Se sa ka të bëjë kjo me faktorët biologjikë dhe sa me faktorët socialë, është e paqartë. Gjinia në mjedisin indian mund të përbëjë një faktor kritik”, thotë  SV Subramanian, profesor i shëndetit publik në Universitetin e Harvardit, për BBC.

Edhe nga gripi spanjoll në 1918, në Indi patën vdekur dukshëm më shumë gra se sa burra. Gratë ishin më të prekshme nga infeksioni, sepse shumë prej tyre ishin të paushqyera, qëndronin shpesh të mbyllura në shtëpi të paajrosura dhe me kushte jo të mira higjenike dhe gratë kujdeseshin për të sëmurët e tjerë më shumë se burrat.

Përse fëmijët janë më pak të rrezikuar?

Në rastin e koranavirusit të ri, fëmijët çuditërisht nuk hyjnë më tek më të dobëtit e shoqërisë – për shumicën e fëmijëve sëmundja është relativisht e lehtë dhe shpesh edhe pa simptoma. Nga 8882 personat, që vdiqën në Gjermani që nga fillimi i pandemisë COVID-19, vetëm tre ishin nën moshën 18 vjeç.

Arsyeja për këtë nuk është sqaruar përfundimisht. Mjekët supozojnë se tek fëmijët e vegjël funksionon “sistemi jospecifik” i lindur. Për ta mbrojtur nga patogjenët e parë, nëna i jep fillimisht fetusit, dhe më vonë të porsalindurit përmes qumështit të gjirit, mbrojtjen e veçantë imune.

Në sistemin e lindur imunitar bëjnë pjesë për shembull, fagocitet dhe qelizat vrasëse – këto janë qeliza të bardha të gjakut që sulmojnë të gjithë patogjenët, që hyjnë në trup përmes mukozës ose lëkurës.

Ky “imunizim pasiv” zgjat zakonisht, derisa fëmijët të krijojnë sistemin e tyre imunitar. Deri rreth moshës dhjetë vjeç fëmijët zhvillojnë mbrojtjen e tyre specifike imune. Por edhe pas kësaj sistemi imunitar i tyre është i aftë të adaptohet gjatë gjithë jetës, kur shfaqen patogjenë të rinj.

Fëmijët nuk janë “shpërndarës infeksioni”

Përhapja e COVID-19 sipas moshave ndryshon shumë nga sëmundjet e tjera infektive, ku fëmijët shpesh konsiderohen si “shpërndarës të infeksionit”, meqë ata e përhapin shpejt një virus në të gjithë popullatën.

Që në rastin e koronavirusit nuk është kështu, e dëshmon një studim i kryer me porosi të qeverisë së landit gjerman Baden-Württemberg. Ai po shërben tani si bazë për një kthim sa më të shpejtë dhe gjithëpërfshirës të fëmijëve në kopshte dhe shkolla, në rast se respektohen standardet e higjenës dhe rregullat e distancës.

Kopshtet dhe shkollat mund të hapen: Fëmijët me sa duket nuk janë “shpërndarës të infeksionit” të COVID-19

Por ende mbetet e pasqaruar, nëse fëmijët e infektuar janë po aq ngjitës sa të rriturit e infektuar. Në një studim të shumë diskutuar virologu Christian Drosten nga Charité në Berlin tregoi se fëmijët kanë në fyt po aq viruse sa edhe të rriturit. Në këtë përfundim arritën edhe studime të tjera ndërkombëtare.

Megjithatë vetëm ekzistenca e viruseve në traktin respirator nuk është ende dëshmi, që këto viruse përcillen po edhe aq fort tek të tjerët. Meqenëse fëmijët kanë më pak simptoma, si për shembull më pak kollitje, ndodh që ata janë të infektuar, por infektojnë më pak njerëz, bëjnë të ditur mjekë pediatër dhe mjekë specialistë të higjienës në një deklaratë të katër shoqatave të specializuara.


Flash Lajme

Më të lexuarat