Agjencia amerikane e Hapësirës NASA lëshoi sot me sukses nga Cape Canaveral i Floridës sondën robot Perserverance, një mekanizëm i gjeneratës së ardhshme që do të kërkojë gjurmë të mundshme jete në planetin Mars, fqinjin më të afërt të Tokës.

Sonda është vendosur në majë të raketës së fuqishme Atlas 5 dhe pritet të arrijë platenin e kuq në muajin shkurt. I gjithë misioni ka kushtuar 2,4 miliard dollarë. Sonda robot ka madhësinë e një makine dhe është e pajisur me 6 rrota.

Ajo do të lëshojë në planetin Mars edhe një mini helikopter dhe do të testojë pajisjet për misionet e ardhshme me njerëz në sipërfaqen e planetit.

Sonda Perseverance pritet të ulet në fundin e një krateri 250 metra të thellë të quajtur Jezero, një liqen i dikurshëm me moshë 3,5 miliard vjeçare, që shkencëtarët mendojnë se mund të ketë prova të ekzistencës së jetës mikrobike.

Prej një kohe të gjatë, shkencëtarët kanë debatuar nëse Marsi – dikur një planet shumë më mikpritës sesa është sot – ka patur ndonjëherë jetë.

Që nga zbarkimi i sondës së parë të NASA-s, Mars Sojourner, në vitin 1997, SHBA kanë dërguar edhe dy mjete të tjera robotike, Spirit dhe Opportunity, të cilët kanë eksploruar gjeologjinë e fushave të gjera marsiane dhe kanë zbuluar shenja të formacioneve ujore të periudhave të kaluara.

NASA ka në plan të dërgojnë astronautë në Mars në vitet 2030.


Flash Lajme

Më të lexuarat