Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri të kontribuojnë në dialog për zgjidhjen e krizës politike.

Duke iu referuar protestave në rang rajonal, Stoltenberg ngriti edhe njëherë shqetësimin e ndërhyrjes së Rusisë në proceset e brendshme të shteteve që janë pjesë e aleancës.

Stoltenberg: Mosmarrëveshjet politike janë pjesë e demokracisë dhe nuk është ndonjë shenjë dobësie, përkundrazi është shenjë force. Ajo që është e papranueshme është përdorimi i çdo lloj dhune dhe përpjekje për të minuar institucionet demokratike. U bëj thirrje të respektoni plotësisht institucionet demokratike të gjithë vendeve anëtare.NATO është aleancë politike dhe ushtarake e bazuar në vlerat themelore të demokracisë, shtetit ligjor, institucionet demokratike.

Çdo mosmarrëveshje duhet zgjidhur përmes dialogut politik dhe përmes pjesëmarrjes në proceset demokratike. Zgjedhjet janë padyshim një pjesë themelore e procesit demokratik në shtetet aleate të NATO-s, përfshirë Shqipërinë. U bëj thirrje të gjithë aktorëve politike të marrin pjesë dhe të kontribuojnë në dialog dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet, mendimet e ndryshme përmes dialogut dhe jo duke minuar institucionet demokratike. Ne kemi parë përpjekje të Rusisë për tu përfshirë në proceset e brendshme politike në vende të ndryshme duke përfshirë edhe në proceset demokratike të vendeve aleate të NATO-s. Duhet të mbështesim institucionet demokratike dhe ti zgjidhim mosmarrëveshjet përmes proceseve demokratike dhe dialogut politik.

“Dhuna politike është e papranueshme”

Stoltenberg dha mesazhin se dhuna politike bie ndesh me vlerat demokratike.

Stoltenberg: Dhuna politike bie ndesh me vlerat tona demokratike. Është e papranueshme prandaj u bëj thirrje aktorëve politike që të sillen me vetëpërmbajtje dhe të kërkojnë konsensus për të vazhduar rrugën tuaj të integrimit dhe për të zgjidhur cdo diferencë politike. Për shkak se kjo kontribuon për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe rajonin.

Situata e tensionuar politike nuk do të ndikojë në investimet e NATO-s në Shqipëri dhe në bazën ajrore në Kuçovë. Ky qëndrim i bë i ditur nga sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Rama.

Stoltenberg: Ne do të vazhdojmë me programin tonë të investimeve në bazën ajorore sic e kishim planifikuar, Trazirat politike, tensionet politike nuk do të ndikojnë sepse është një vendim i marrë në bazë të këshillës, të komandës tonë, kemi një buxhet dhe  ne investojmë në objekte ushtarake përfshirë edhe këtë bazë ajrore në Shqipëri. Do të vazhdojmë me këtë. Për mua kjo është një shembull sesa e rëndësishme është NATO për Shqipërinë dhe shqipëria për naton. Nato është mënyrë për ti bashkuar 29 vendet aleatë. Përsa kohë rrim bashkë me njëri tjetrin jemi të sigurt. Kjo është arsyeja që nATO të bëhet më e fortë duhet të investihet. Këto na kanë mbajtur të bashkuar për 70 vite dhe kështu do të vazhdojmë në të ardhmen.

Nga ana e tij, kryeministri Rama siguroi se nuk do të lejohet që në Shqipëri të krijohet një situatë destabilizuese.

Rama: Siç tha sekretari i përgjithshëm, vendimi për të investuar në bazën ajërore të Kuçoves dhe program i investimet për ta  kthyer atë bazë në një pjesë integrale të infrastrukturës së NATO-s nuk vihet në dyshim dhe as në diskutim. Për më tepër shtoj unë tani, në Shqipëri nuk do të ndodhe dhe nuk do lejojmë të ndodhë asnjë formë destabilizimi që do të cënonte imazhin e vendit tone, përtej cënimit që i sjell këtij imazhi organizimi i shfaqjeve të dhunshme në një perimeter të ngushtë dhe pa mbështetje popullore.

Jam i bindur se çdo qytetar që e do këtë vend pavarësisht a voton a s’voton për qeverinë nuk do të marr pjesë në një proces ku do të vërtetohej teza famëkeqe e armiqve historikë të Shqipërisë se shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet sepse nuk dinë të respektojnë as rregullat që i vënë vetë.

Kjo nuk është një shfaqje e një shqetësimi të madh popullor, por është një inskenim politik  dhe nuk ka shans të shtrihet përtej kufijve të skenës politike. Ne do të zhvillojmë zgjedhjet si një proces i patjetërsueshme demokratik. Nëse opozita pengohet qëllimisht që të hyjë në zgjedhje, zgjedhjet nuk janë demokratike, por nëse dikush nuk pranon të hyjë në zgjedhje kjo nuk i bën zgjedhjet jo demokratike.

Flash Lajme

Më të lexuarat