Në kushtet kur situata politike në Shqipëri është e tensionuar, OSBE/ ODIHR ka dalë me një raport paraprak për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, por që tashmë kjo datë është shfuqizuar nga Presidenti.

Sipas raportit të bërë publik për periudhën 24 maj -11 qershor thuhet se mjedisi politik mbetet i polarizuar. “Diskursi politik është dominuar përgjithësisht nga pyetja nëse mund të mbahen zgjedhje pa pjesëmarrjen e partive opozitare kryesore. Gjuha e përdorur nga kundërshtarët politikë në mitingje, në mediat sociale dhe në median e shkruar dhe elektronike është shpesh e ndezur dhe e mbushur me akuza dhe kundër akuza”. Në raport përmenden letrat publike, që kryeministri Rama i drejtoi kreut të opozitës, Lulzim Basha për të dialoguar për zgjidhjen e krizës politike. “Përmes disa letrash publike të postuara në mediat sociale në fund të muajit maj, Kryeministri e ka ftuar Kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, për dialog, duke konfirmuar në të njëjtën kohë se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor dhe duke kundërshtuar krijimin e një precedenti të ndryshimit të datës së zgjedhjeve. Reagimi i PD-së ka mbetur i pandryshuar dhe ajo vazhdon të përsërisë kërkesat e saj”

Pjesë nga raporti

Periudha 30-ditore e fushatës filloi më 31 maj dhe përfundon në mesnatën e së premtes para ditës së zgjedhjeve. Deri tani fushata ka pasur vizibilitet të kufizuar dhe MVZ-ja e ODIHR-it ka vëzhguar vetëm disa forma vizuale të fushatës, si stenda afishimi dhe postera ose zyra fushatash në pjesën më të madhe të vendit. Shumë kandidatë janë shprehur për MVZ-në e ODIHR-it se kanë në plan të bëjnë fushatë duke përdorur median sociale, por edhe vizitat derë më derë dhe takime me zgjedhësit në grupe të vogla. Gjatë mitingjeve të vëzhguara nga MVZ-ja e ODIHR-it, kandidatët janë fokusuar kryesisht tek çështjet lokale, sidomos tek infrastruktura, krijimi i vendeve të reja të punës, korrupsioni dhe profesionalizmi i administratës vendore. Mjedisi politik mbetet i polarizuar. Diskursi politik është dominuar përgjithësisht nga pyetja nëse mund të mbahen zgjedhje pa pjesëmarrjen e partive opozitare kryesore. Gjuha e përdorur nga kundërshtarët politikë në mitingje, në mediat sociale dhe në median e shkruar dhe elektronike është shpesh e ndezur dhe e mbushur me akuza dhe kundër akuza. Fushata në objekte publike është e ndaluar. Në përpjekje për të kufizuar abuzimin e mundshëm të burimeve administrative, Këshilli i Ministrave nxori më 10 maj disa vendime që ndalojnë aktivitetin politik nga nëpunësit civilë gjatë orarit të punës dhe pezulloi përkohësisht procedurat e prokurimit nga bashkitë. Opozita dhe palët që garojnë në zgjedhje kanë ngritur pretendime në media dhe i janë shprehur MVZ-së së ODIHR-it se zgjedhësit, sidomos ata që punojnë për administratën publike, kanë qenë nën presione të drejtpërdrejta ose të tërthorta për të demonstruar preferenca politike. Si pjesë e fushatës, BD-ja e ka siguruar publikun se nuk do të bëjë mitingje me qëllim parandalimin e një atmosfere ku njerëzit marrin pjesë për shkak të presionit. Sipas ligjit, fushatat zgjedhore mund të financohen me fonde publike ose private, duke përfshirë edhe kreditë. Dhurimet nga qytetarët dhe subjektet juridike, përfshirë edhe ato në natyrë, kanë një tavan prej 100,000 lekësh dhe çdo kontribut që tejkalon shumën prej 100,000 lekësh duhet të bëhet në një llogari bankare të hapur posaçërisht për këtë qëllim. Shpenzimet për fushatë në total nuk duhet të tejkalojnë shumën prej 408 milion lekësh dhe shumën prej 20.4 milion përkatësisht për parti politike dhe kandidatë të pavarur. Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë shumën e dhurimeve të marra, si dhe të dhënat e tjera për identifikimin e dhuruesit, në një regjistër të posaçëm të miratuar nga KQZ-ja. Partitë politike janë të detyruara të bëjnë publikë dhe të paraqesin raportet për financat dhe shpenzimet e tyre zgjedhore brenda 60 ditësh nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve. Më 8 maj, KQZ-ja miratoi një format të standardizuar për raportimin mbi financimin e fushatave për zgjedhjet, si dhe disa udhëzime për raportimin mbi financimet e fushatave nga kandidatët për kryetarë bashkie dhe partitë politike. KQZja duhet të emërojë auditues pas shpalljes së rezultateve për të audituar raportet përfundimtare të financimit të fushatave. KQZ-ja mund të vendosë gjoba ndaj konkurrentëve për mosrespektim të rregullave për financimin e fushatave.

Flash Lajme

Më të lexuarat