Raporti i KLSH-së i në bregdetin e jugut zbulon shkeljet flagrante me ligjin 7501. Amullia që mban peng investimet afatgjata në Rivierën shqiptare. “444 mijë m² tokë e dhënë në kundërshtime VKM-në e datës 2.8.1991

Ndarja e tokës bujqësore për banorët e Komunës së Lukovës është bërë mes shkeljesh flagrante, të përkthyera këto me mijëra hektarë tokë, të dhëna apo të marra në mënyrë abuzive ndaj atyre që u takonin vërtet. Një fakt i tillë citohet në projekt-raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili është hartuar mbi bazën e rezultateve të kontrolleve të ushtruara në Komunën e Lukovës së Sarandës për vitin e kaluar, i cili pohon se ka konstatuar mjaft shkelje në procesin e ndarjes të tokës sipas Ligjit 7501. “Kontrolli, i kryer një vit më parë, për zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë në procesin e ndarjes së tokave bujqësore, duke verifikuar dokumentacionin e plotë, konstatoi shkelje të dispozitave ligjore, me pasojë dhënien e kundërligjshme të 1 502 167 m2 tokë gjithsej, nga të cilat vetëm 443 710 m2 në kooperativën bujqësore të Borshit”, thuhet konkretisht në këtë raport. Më pas, hartuesit e tij pohojnë se këto shkelje janë bërë në mënyrë të hapur, duke shkelur vendimin e Këshillit të Ministrave, nr,255,të datës 2.08.1991, “për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore” i ndryshuar, çka do të thotë se janë shkelur me të dyja këmbët dispozitat ligjore, që duhet të ishin respektuar në këto zona. Sipas kontrollit të realizuar, ka rezultuar se sasia e tokës bujqësore, të ndarë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në VKM, nr.255, të datës 2.08.1991, me ndryshimet është 443 710 m2 në total “Dhe kjo, për efekt të llogarisë së gabuar të normës për frymë me 69 200 m2 brenda vijës së verdhë me 31920 m2, numër fryme më tepër 24360 m2; Jo gjendje civile 49950 m2, Truall edhe mbi normë 102050 m2 dhe ata që kanë përfituar si jo anëtarë të Kooperativës Bujqësore 165960 m2”, i ndajnë në kategori të veçanta shkeljet dhe kuotat e secilës prej tyre hartuesit e këtij raporti. Të njëjtat lloje shkeljesh vihen re të jenë bërë edhe në ndarjen e tokës në të gjithë fshatrat e Komunës Lukovë, të cilat rezultojnë flagrante dhe me shifra të konsiderueshme gabimesh. Piqeras 603 370 m2, Lukovë 342 727 m2, Shën Vasil 112 630 m2.
Shkeljet e detajuara, sipas raportit

Në fshatin e Borshit, ekziston 24 634 hektarë tokë bujqësore, e cila duhet të zbritet për të gjithë ata individë, të cilët nuk kanë qenë anëtarë të kooperativës bujqësore. Të tillë janë konsideruar familjet e atyre që kanë futur tokë bujqësore në krijimin e kooperativave. Shumë persona kanë përfituar tokë bujqësore duke mos pasur gjendje civile në vitin 1991 dhe nuk kanë qenë as anëtarë të kooperativës bujqësore. E gjithë sasia e tokës bujqësore, që nuk është konsideruar për këtë efekt, është 47900 m2 për 40 raste. KLSH-ja rekomandon për këtë që kjo sasi duhet zbritur nga totali i përfituar nga në mënyrë të padrejtë.”Për shembull nr. 124, sipas listës që ka përfituar 6350 m2 nuk i takon të marrë tokë, sepse nuk ka gjendjen civile subjekt, datë 1.8.1991. dhe nuk është anëtar i kooperativës bujqësore”, thuhet në raport. Në fakt, faktori i dytë, ai i të mos qenit anëtar i KB-së, është evidentuar por nuk është llogaritur si efekt për zbritje. Paraqitet edhe toka bujqësore, që duhet të zbritet për efekt të dhënies së saj nga KNT, brenda vijës së verdhë të fshatit, në kundërshtim me pikën 4 të VKM nr. 255 të datës 2.8.1991, e cila përcakton se”toka bujqësore brenda vijës së verdhë që nuk është zënë nga ndërtimet dhe trojet e oborreve, përjashtohet nga ndarja dhe dhënia me pronësi”. Është pasqyruar edhe toka që duhet të zbritet për efekt të numrit të frymëve të trajtuar më tepër nga KNT, sesa nga regjistri i gjendjes civile të vitit 1991. Është pasqyruar toka bujqësore që duhet të zbritet për efekt të mos pasjes së gjendjes civile në vitin 1991 ndryshuar me VKM ne vitin 1994, “për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore”, e cila përcakton se, në të gjitha rastet “toka ndahet në mënyrë të përpjesshme për çdo familje, sipas numrit të frymëve të gjendjes civile në vitin 1991. Por është paraqitur edhe toka bujqësore, që duhet të zbritet për efekt të qenies së saj tokë truall 300m2 (shtëpitë e fshatarëve) që është dhënë nga KNT, megjithëse AMTP është cilësuar tokë truall, pasi ky vendim trajton vetëm token bujqësore. Por edhe qenies së saj tokë kullotë, pra jo tokë bujqësore, objekt VKM 255 ,viti 1991, ku janë përfshirë Elmaz Elmazi me 1000 m2, Zenel Lima me 300 m², Myqerem Bajrami 1000 m2 si edhe e qenies së saj tokë truall brenda objekteve shtetërore, pra, brenda murit rrethues të objektit të Shtëpisë së Fëmijës Sarande, me vendndodhje në Borsh.
Kastriot Hajdini, shoqata Krahina Jonë

Ndarja e pronave dhe amullia ligjeve ndër vite

Amullia me ndarjen e hektarëve të tokës bujqësore në zonën e bregdetit duket e legjitimuar, në një fare mënyre, nga kaosi i madh që shkaktojnë ligjet e njëpasnjëshme për kthimin e pronave apo VKM-të e qeverive për ndryshimin e ligjit. “ Për kriteret e ndarjes së tokësore”. Nëse u shton këtu edhe ligjet e kohëve të fundit për tokat në zonat me përparësi turizmin “ vendimi Nr.88 datë 1.3.1993” ku nuk lejohej ndarja e tokës bujqësore me ligjin 7501. Situata bëhet edhe më kaotike me ndarje tokash, mbivendosje apo ato që shteti kërkon t’i nxjerrë në shitje. Duke u nisur nga neni 11 i ligjit 7501 ku cilësohet: “ Personat juridik a fizik që kanë ose marrin tokë bujqësore në pronësi ose në përdorin, detyrohen ta shfrytëzojnë atë vetëm për qëllime bujqësore, të ruajnë e të rrisin aftësinë prodhuese të saj. Si dhe te kryejnë sistemimin e të ndërtojnë vepra për të mbrojtur atë”. Si dhe neni 15 i ligjit të lartë përmendur “Çdo personi juridik apo fizikë që i jepet tokë në përdorim dhe nuk e shfrytëzon atë për qëllime bujqësore a blegtorale gjatë një viti, i hiqet e drejta e përdorimit të saj”. Si dhe nga shkresa e kryepleqësisë të fshatit Borsh nisur drejtuesve të shtetit që ne 23.12.2007 kanë ngritur këtë problem nuk ka marrë asnjë përgjigje. Është në nderin e parlamentit Shqiptar që të bëj “nul” ligjin 7501 që mban peng investimet serioze afatgjata në Rivierën Shqiptare.
Situata në Borsh
Sipas KLSH-së: “Në fshatin Borsh ka një sipërfaqe toke bujqësore për t’u ndarë prej 238 ha gjithsej, nga këto 63 ha tokë arë,52 ha tokë arë pemishte dhe 122 ha tokë ullishte. Fshati Borsh ka 302 familje dhe 1230 frymë, ku norma është 0.27 ha për frymë”.
Justifikimi i zyrtarëve për shkeljet me ndarjen e tokave
Lidhur me shkeljet dhe përllogaritjet e gabuara, për ndarjen e tokave bujqësore ndaj familjeve të fshatit të Borshit, nga Napolon Vogli, ish-përgjegjës i kadastrës së Sarandës, dhe Vasil Çako, ish-kryetar i KNT-së, është bërë sqarimi se ndarja e tokës kishte filluar në fshatin Borsh, ndërsa kooperativa bujqësore ishte shpërbërë. “Ne kemi ndjekur vetëm procedurën në vazhdim për ndarjen e tokës. Dokumentacioni për fshatin Borsh ka qenë në arkiv. Pas ngjarjeve të vitit 1997, këto dokumente mund të kenë humbur ose të jenë në arkivat e shtetit. Ne kemi marrë për bazë numrin e frymëve të gjendjes civile që figuronte në vitin 1991, dhe jo personat që kanë futur tokë në kooperativën bujqësore”. Sipas tij, pavarësisht se është dhënë nga KNT bujqësore, në dhënien e tokës është cilësuar se ajo është tokë truall, dhe jo tokë bujqësore, të cilat nuk ndikojnë në përfundimet e nxjerra nga kontrollorët”.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All