Partia ”Zgjidhja” ka shpalosur përmes një konference për mediat, platformën e lirisë ose Paktin Kombëtar që e nxjerr vendin nga kriza. Në fjalën e mbajtur kreu i partisë ”Zgjidhja”, Koço Kokëdhima deklaroi se pakti nënkupton një dakordësi kombëtare, mes aktorëve politike, grupeve të interesit, shoqërisë civile, trupave akademikë, shtypit dhe inteligjencës, njerëzve të thjeshtë, rinisë, mëkatarëve, dhe të tërë shqiptarëve të tjerë të interesuar.

Platforma e Lirisë

Partitë politike, shoqatat, grupet e interesit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe individë të pavarur, të mbledhur sot më 28 qershor 2019 konstatuan se vendi është i zhytur në një krizë ciklike politike dhe institucionale me pasoja shumë të rrezikshme afatshkurtëra dhe afatmesme për vendin. Kjo krizë shumëdimensionale buron nga problemeve të mëdha që ka legjislacioni ynë, nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, nga cenimi i rëndë i sovranitetit të popullit, shkatërrimi i integritetit të zgjedhjeve, keqpërdorimi i pushtetit, mungesa e vullnetit për të ndërtuar shtetin ligjor dhe mbizotërimi i kulturës së mosndëshkimit, qeverisja joefektive që gjithmonë e më shumë po distancohet nga interesat e popullit, demokracia e munguar në jetën dhe organizimin e partive politike, kriminalizimi i zgjedhjeve dhe i politikës.

Deklarimet, sjellja dhe qëndrimet e dy blloqeve politike po kontribuojnë në ashpërsimin e kësaj krize. Për të zgjidhur dhe për të parandaluar rishfaqjen e krizave të tilla në të ardhmen dhe për të bërë të mundur që kjo krizë të zgjidhet në favor të Shqipërisë, ne vendosëm të firmosim e ndjekim këtë Platformë të Lirisë (Pakt Kombëtar) gjithëpërfshirëse dhe konsensuale të domosdoshme për zhvillimin dhe për realizimin e objektivave që kemi si shtet anëtar i NATO-s dhe vend që aderon hapjen e negociatave për antarsim në BE:
Ky pakt nënkupton një dakordësi kombëtare dhe mes të gjithë aktorëve politikë, grupeve të interesit, shoqërisë civile, trupave akademike, shtypit dhe inteligjencës, njerëzve të thjeshtë, rinisë, mëkatarëve dhe të tërë të tjerëve shqiptarë të interesuar.

Të gjithë pranojnë të angazhohen për realizimin e një reforme të thellë në gjithë korpusin legjislativ të vendit. Objekt i kësaj reforme duhet të jenë Kushtetuta dhe legjislacioni që rregullon çështje që janë të lidhura me sistemin qeverisës të vendit, Kuvendin e Shqipërisë, zgjedhjen e Presidentit nga populli, institucionin e Kryeministrit, ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe Kodit zgjedhor, ligjin për referendumet, ligjin për partitë politike, etj.
Reforma legjislative konsensuale duhet t’i bëjë reale dhe të zbatueshme parimet e demokracisë përfaqësuese dhe të demokracisë së drejtëperdrejtë, konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës dhe forcimin e kapaciteteve që garantojnë kushtetutshmërinë dhe kapërcimin e konflikteve të mundshëm mes tyre.

Palët bien dakort të pranojnë, por duke mos u kufizuar vetëm që:

a) Reforma Legjislative të zhvillohet si një proces intensiv mbarëshoqëror me asistencë ndërkombëtare dhe brenda një periudhe kohe 3-4 mujore.
b) Të shfuqizohen ose korektohen plotësisht ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008. Rreth 60-70 për qind e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë të zgjidhen me sistem mazhoritar të korektuar me propocional kombëtar me lista të hapura.
c) Të ndalohen me kushtetutë kryebashkiakët, Presidenti i Republikës dhe Kryeministri që të zgjidhen për më shumë se dy mandate.
d) Të garantohen zgjedhjet nga ndikimi i strukturave qeverisëse dhe funksionet e tyre shtetërore. Qeveria e zgjedhjeve të jetë e përkohshme dhe me bazë të gjerë.
e) Të vendosen me ligj postet politike në administratë, ku të përcaktohet se kush mund të largohet në rastet e ndryshimit të pushtetit.
f) Të demokratizohen dhe depolitizohen zgjedhjet, me një KQZ dhe administratë zgjedhore tërësisht të pavarur;
me një proces e ligj zgjedhor që garanton barazinë, ndershmërinë dhe lirinë e plotë të konkurencës mes partive dhe individëve, duke eliminuar favorizimin e partive të vjetra dhe diskriminimin e partive të reja. Në administratën zgjedhore të përfshihen individë nga institucione që janë larg politikës, numëruesit e votave të mos jenë përfaqësues apo militantë të partive politike. Kutitë e votimit të mos transportohen më të panumëruara.
g) Të respektohen rregulla strikte për financimin e partive dhe të vendosen ndëshkime penale për rastet e abuzimit dhe shkeljes së rregullave.
h) Të hetohen individët e përfshirë në skandale të trafikut të votës dhe të forcohet legjislacioni penal për ndëshkimin e abuzuesve dhe të shkelësve të rregullave zgjedhore.
i) Të hiqen barierat ligjore për referendumet. Për këtë të ndjekim modelet e vendeve demokratike europiane. Përmes referendumeve t’i jepet mundësi popullit të vendosë në mënyrë të drejtpërdrejtë për çështje nga më të ndryshmet që nuk cënojnë integritetin teritorial dhe sovranitetin kombëtar të Republikës së Shqipërisë.

Ne biem biem dakort që procesi i hartimit, negociimit dhe dakordësimit të Reformës Legjislative do të kryhet nga një komisjon politik gjithpërfshirës që mund të udhëhiqet nga një ekspert i Kombeve të Bashkuara, KE-së ose OSBE-së. Kjo Platformë Lirie kërkon krijimin e një qeverie teknike me bazë të gjerë, me kohëzgjatje deri në zgjedhjet e ardhëshme të parakohshme dhe me mandat të:

1) përfundojë implementimin e Reformës në Drejtësi;
2) implementojë Reformën Legjislative dhe Reformën Zgjedhore për demokratizimin e sistemit;
3) të përmbyllë detyrat dhe marrëveshjen për çeljen e negociatave të pranimit në BE;
4) përgatisë dhe zhvillojë zgjedhjet e reja të përgjithshme dhe vendore të parakohshme.
Shqipëria nuk është vetëm e tre-katër njerëzve të gjithpushtetshëm. Ajo është e tërë shqiptarëve, prandajë pret t’i dalin për zot të gjithë ata që ndjejnë se ju rrjedh gjak shqiptar në zemër.

Flash Lajme

Më të lexuarat