Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka dalë në një deklaratë për mediat, pas mbylljes së procesit të votimit për 61 bashkitë e vendit. Sipas Bashës, 85% e shqiptarëve refuzuan votimet moniste duke braktisur maskaradën e Edi Ramës.

“Shqiptarët braktisën në masë maskaradën e Edi Ramës. 85% e shqiptarëve refuzuan votimet moniste. Edi Ramën e braktisën edhe socialistët sepse votuan më pak se në 2017-ën. Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Europë, që nga koha e komunizmit. Organizata e Rilindjes sot kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë dhe çertifikonte vetë. Kjo është parodi tragjike e demokracisë, Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës”, u shpreh kreu i PD-së.

Basha akuzoi mazhorancën se ka manipuluar në mënyrë masive votimet, duke kërcënuar dhe duke blerë votat.

“Akoma më tragjik është fakti që edhe pse votimet ishin në çdo element të tyrin, njësoj sikur të ishin votime të brendshme të Partisë Socialiste, ato u karakterizuan nga manipulime masive, përfshi rezultate të paracaktuara, blerje votash, kërcënim për të marrë pjesë, përdorim të burimeve publike dhe administratës shtetërore, votime të shumëfishta nga i njëjti person, mbushje kutish dhe shkelje të tjera të rënda”, u shpreh ai.

Sipas Bashës, 150 punonjës të administratës janë kërcënuar me pushim nga puna nëse nuk merrnin pjesë në votime.

“Në mënyrë të veçantë, regjimi ka ushtruar trysni dhe kërcënime ndaj punonjësve të sektorit publik. Mbi 150 mijë punonjësit publikë janë kërcënuar me pushim nga puna, nëse nuk votojnë së bashku me familjarët e tyre. Ata janë identifikuar dhe matrikuluar më një sistem të veçantë kodifikimi në të gjitha qendrat e votimit për të vertetuar pjesëmarrjen e tyre në votim. Në të vërtetë, thuajse e gjithë vota e sotme është vota e sektorit publik, e rrogëtarëve të shtetit, e marrë nën kërcënim dhe dhunim të vullnetit të lire të punonjësve dhe familjarëve të tyre. Numri real tregon asgjë më shumë sesa rrogëtarët e shtetit nën terror, të detyruar, njësoj siç e tregojnë përgjimet e BILD-it të dalin bashkë me familjarët që të mos e humbasin bukën e gojës”, tha Basha.

Kreu i PD-së u premtoi punonjësve të administratës se “do të çlirohemi shumë shpejt nga ky ankth, nga ky krim ndaj jush dhe fëmijëve tuaj. Njësoj si të gjithë qytetarët, Ju do të jetoni me dinjitet dhe do t’u shërbeni me dinjitet vetëm qytetarëve dhe ligjit dhe jo pushtetit të radhës.”

Për Bashën, procesi i sotëm provon të gjitha akuzat ndaj Edi Ramës, se sa kohë të jetë ai kryeministër, në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kjo vegël e verbër e Edi Ramës, shkeli çdo nen të Kushtetutës dhe çdo gërmë të ligjit. Kjo tregon se regjimi i Edi Ramës manipulon zgjedhjet, edhe kur shkon në votime i vetëm dhe kontrollon çdo gjë i vetëm. Rezultati i sotëm provon çdo akuzë që ne kemi bërë kundër Edi Ramës dhe qeverisjes së tij. Sot, u provua se me Edi Ramën në krye, në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dua të falenderoj sot të gjithë shqiptaret që braktisën masivisht dhe refuzuan me përbuzje farsën dhe regjimin e Edi Ramës. Ju e bëtë këtë për veten tuaj, për familjen tuaj për fëmijët tuaj. Ju e bëtë këtë për lirinë tuaj. Për Shqipërinë tonë dhe për demokracinë e vërtetë. Ju e refuzuat farsën kriminale dhe të paligjshme që kishte për qëllim të vetëm çimentimin e pushtetit të marrë përdhunshëm dhe që do të shkatërronte themelet e shoqërisë. Ju e kuptuat se farsa e sotme vetëm sa do ta thellonte edhe me shumë padrejtësinë, vjedhjen, shtypjen, mjerimin dhe varfërinë tuaj”, tha Basha.

Flash Lajme

Më të lexuarat