Drejtoria Rajonale e AKU Fier dhe Korçë, në kuadrin e planit të masave të marra për garantimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik, kryen kontrollin në 4 subjekte, me aktivitet “Restorant” dhe “Market”, nga ku u konstatuan mungesë e kushteve higjeno-sanitare dhe produkte me afat përdorimi të kaluar.

Për shkeljet e konstatuar, AKU mori masën administrative gjobë me vlerën totale 1.2 milionë lekë për katër subjektet, si dhe masën administrative “Bllokim i produkteve” të pasigurta për konsum human me destinacion asgjësimin, për dy nga subjektet.

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Artan Stasa” me aktivitet “Market Ushqimor”, Ndërmenas (Fier), u konstatuan një sasi e konsiderueshme produktesh të skaduara (karamele, makarona, salcë domateje, pije energjike, llokume, oriz etj). Për shkeljen e konstatuar, AKU mori masat gjobë me vlerën totale 300,000 lekë për hedhjen në treg të produkteve me afat të kaluar përdorimi dhe “Bllokimi i produkteve” të pasigurta për konsum human, me qëllim asgjësimin e tyre.

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Josif Lushi” me aktivitet “Market Ushqimor”, Seman (Fier), u konstatuan një sasi e konsiderueshme produktesh të skaduara (biskota, mish i grirë, gjalp, sallam, kërnacka, vaj ulliri etj). Për shkeljen e konstatuar në këtë subjekt, AKU mori masat gjobë me vlerën totale 300,000 lekë për hedhjen në treg të produkteve me afat të kaluar përdorimi dhe “Bllokimi i produkteve” të pasigurta për konsum human, me qëllim asgjësimin e tyre.

Në subjektin “Alma Novak” me aktivitet “Njësi tregtimi”, Pogradec, nga kontrolli i ushtruar u konstatua se subjekti ushtronte aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare (nuk kishte marrë masa kundër brejtësave). Për shkeljen e konstatuar, AKU mori masë me gjobë me vlerën totale 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare. Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Hotel Park Voskopoja” me aktivitet “Bar-Restorant-Hotel”, Voskopojë, u konstatua se subjekti ushtronte veprimtarinë në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare (ka prani të mykut në tavanin e ambientit të larjes së enëve të gatimit). Për shkeljen e konstatuar, AKU mori masë me gjobë me vlerën totale 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë kontrollet rigoroze, për të garantuar zbatimin e ligjit nga të gjithë Operatorët e Biznesit që tregtojnë produkte ushqimore, me qëllim garantimin e një sezoni turistik veror të shëndetshëm.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All