Audry Glover, monitoruese e zgjedhjeve lokale deklaron se situata në të cilën u mbajtën zgjedhjet lokale nuk u dha qytetarëve mundësi të zgjedhin. Ngërçi politik shoqëroi zgjedhjet. KQZ në disa rate ishte jo transparente

Erjon Dervishi

Shefja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të ODIHR, Audrey Glover në një konferencë për median bëri të ditur se zgjedhjet vendore të 30 qershorit u bënë në një mjedis të polarizuar dhe ku votuesit ishin nën presion nga të gjitha partitë. “Votuesit nuk patën mundësi zgjedhjeje dhe përplasjet çuan në pasiguri politike, atmosfera shqetësuese dhe e paparashikueshme nuk lejoi votuesin që të votojë i lirë dhe i mirëinformuar, cenoi besimin e tyre”, u shpreh Glover para gazetarëve një ditë pas zgjedhjeve. Për konkluzionet e misionit të OSBE/ODIHR do të duhet të presim edhe dy muaj, por ajo që shefja bëri të qartë duke e shprehur dy herë, se i takon autoriteteve shqiptare që të vendosin se çfarë do të bëhet me këto zgjedhje. Partive u bëri thirrje të zgjidhin mosmarrëveshjet politike dhe të punojnë në emër të gjithë qytetarëve të këtij vendi, ndërsa shtoi se KQZ herë-herë e interpretoi në mënyrë kreative ligjin dhe nuk ishte gjithmonë transparente në publikimin e vendimeve të saj.

Raporti paraprak

Zgjedhjet vendore të 30 qershorit u mbajtën pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit. Opozita vendosi të mos marrë pjesë, kurse qeveria u tregua e vendosur për t’i mbajtur zgjedhjet pa opozitën. Në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike. Në 31 nga 61 bashki gjithsej, kandidatët për kryetarë bashkie garuan pa kundërshtarë. Pati pretendime të besueshme nga qytetarët për presione nga të dyja palët. Përplasjet politike çuan në pasiguri juridike dhe shumë vendime të administratës zgjedhore u morën me duke pasur si objektiv garantimin e mbajtjes së zgjedhjeve. Ishin zgjedhje me qëllim që zgjedhësit të zgjidhnin kryetarët e bashkive dhe anëtarët bashkiakë dhe u zhvilluan në një mjedis tejet të ngarkuar politikisht. Opozita u tërhoq nga parlamenti dhe nuk mori pjesë në zgjedhje me qëllim rrëzimin e kryeministrit nga detyra. Që nga ajo kohë opozita ka organizuar protesta, disa prej të cilave kanë qenë të dhunshme.

Qytetarët, sidomos ata që punonin për administratën publike, u përballën me presione direkte dhe indirekte për të demonstruar preferencat e tyre politike. Presidenti dha një deklaratë dhe më pas nxori dekretet me qëllim shtyrjen e zgjedhjeve. Megjithatë, Kryeministri ishte i vendosur me zgjedhjet dhe me mbështetjen e parlamentit. Në 14 qershor kryetarëve të bashkive u kërkuan KZAZ-ve të lironin ambientet e tyre për zgjedhje. Që nga ai moment disa prej tyre u shkatërruan dhe të tjerat u bënë jo funksional për KZAZ. Në 21 qershor kryetari i KQZ tha se do të akreditonte vëzhguesit ndërkombëtar. Por e gjitha kjo e ka çuar popullatën në një situatë konfuze dhe ka çuar në shqetësime në të gjithë vendin. Për kë janë pyetjet? Për politikanët apo për votuesit? Jam e bindur se në zgjidhje pjesëmarrësi më i rëndësishëm është votuesi. Në fund të fundit zgjedhjet bëhen që zgjedhësit të zgjedhin atë që përfaqëson ata. Zgjedhësit duhet të jenë në gjendje të votojë lirshëm dhe pa asnjë lloj presioni. Duhet të sigurohen që vota e tyre do të ruhet e sigurt dhe do të numërohet si duet. Kandidati duhet të ketë aksesë në media për të shpjeguar politikat që ata u propozojnë votueseve. Zgjedhjet duhet të organizohen mirë dhe të jenë funksionale në të gjitha nivelet dhe në përputhje më të gjitha nivelet. Duhet të ketë edhe një gjykatë funksionale që të shqyrtojë ankesat dhe apelimet e zgjedhjeve.

Kuadri ligjor dhe KQZ

Ajo çka ishte pozitive, ishte se votimi u zhvillua përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe paqësore, ndërkohë që numërimi u vlerësua në përgjithësi pozitivisht, ndonëse disa procedura nuk u ndoqën gjithmonë me korrektesë. Kuadri ligjor mbetet kryesisht i pandryshuar nga zgjedhjet e mëparshme. Ai mund të përbënte një bazë të shëndoshë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, por zbatimi i tij si duhet kërkon vullnet politik nga aktorët zgjedhorë. Në disa dispozita ligjore kishte paqartësi dhe interpretimi dhe zbatimi i tyre nga aktorët zgjedhorë u perceptua ndonjëherë si i njëanshëm. Shumë rekomandime të mëparshme të ODIHR-it mbeten të pa adresuara, duke përfshirë edhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore, transparencën e financimit të fushatës dhe efiçencën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur vazhdimisht mbledhje të hapura dhe i ka rregulluar në mënyrë gjithëpërfshirëse aspektet e procesit zgjedhor.

Ekuilibri politik i parashikuar me ligj brendapërbrenda administratës zgjedhore nuk u arrit për shkak të refuzimit fillimisht të partive kryesore opozitare për të emëruar komisionerët e tyre dhe interpretimit më pas të KQZ-së se vetëm ato parti që marrin pjesë në zgjedhje mund të përfaqësohen në administratën zgjedhore. Përbërja e paekuilibruar politikisht e administratës zgjedhore, thirrjet e partive opozitare ndaj zgjedhësve për të bojkotuar zgjedhjet dhe interpretimet kontradiktore të vlefshmërisë së dekreteve të Presidentit që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit cenuan besimin e publikut te procesi. Saktësia e listës së zgjedhësve u përmirësua me heqjen e të dhënave të dublikuara dhe me reduktimin e emrave me adresa të pasakta. Megjithatë, disa prej bashkëbiseduesve të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MVZ) të ODIHR-it ngritën pikëpyetje në lidhje me cilësinë e procesit të verifikimit të të dhënave të adresave. Listat e zgjedhësve u afishuan fillimisht në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe në Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV), por u hoqën në shumicën e bashkive që drejtohen nga opozita në mes të muajit qershor, duke e kufizuar në këtë mënyrë mundësinë e zgjedhësve për të verifikuar të dhënat e tyre.

Media

Mediat janë të larmishme, por mbeten të varura nga pozicionimet politike dhe interesat e biznesit të pronarëve të tyre. Në mungesë të një vetë rregullimi efikas, gazetarët operojnë në kushte pune të pasigurta dhe zgjedhin shpesh auto censurën. Monitorimi i medias nga MVZ-ja e ODIHR-it doli në përfundimin se media audiovizive u përqendruan te kriza e vazhdueshme politike, duke shërbyer si një platformë për shkëmbime të ndezura mes Partisë Demokratike (PD) dhe PS-së. Mbulimi i kufizuar i fushatës u fokusua kryesisht te Kryeministri aktual, i cili në cilësinë e tij të kryetarit të PS-së, prezantoi kandidatët nëpër rrethe, si dhe kryetarin aktual të Tiranës. Praktika e përdorur nga partitë kryesore politike dhe zyrtarët publikë e vënies në dispozicion të mediave vetëm të regjistrimeve të gatshme apo të regjistrimeve të drejtpërdrejta nga aktivitetet zyrtare dhe ato të fushatës, duke ua kufizuar ndërkohë aksesin mediave në aktivitete, e kufizoi mundësinë e zgjedhësve për të marrë informacion objektiv. Mosmarrëveshjet zgjedhore u zgjidhën përgjithësisht nga KQZ-ja dhe nga Kolegji Zgjedhor brenda afateve të parashikuara. Ndonëse të dhëna në seanca të hapura, vendimet e KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor nuk u publikuan në kohë, gjë që solli pasoja negative mbi të drejtën për zgjidhje dhe transparencë të kufizuar rreth zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore.

Politika, tejet antagoniste gjatë periudhës së fushatës

Raporti i OSBE thekson se, aktorët e ndryshëm politikë, nuk demonstruan gjithmonë vullnet politik për të zbatuar sa duhet dispozitt ligjore. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese ka ndikimin e saj në këtë pjesë. Raporti thekson se: Mjedisi politik para zgjedhjeve ishte i polarizuar dhe antagonist. Në muajin shkurt, pas rrëzimit nga parlamenti të iniciativës së tyre për vetingun e politikanëve, partitë e opozitës, Partia Demokratike (PD) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), u tërhoqën nga parlamenti. PD-ja dhe LSI-ja, së bashku me disa parti më të vogla, bënë të ditur se nuk do të merrnin pjesë në zgjedhje deri në dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama (PS) dhe formimin e një qeverie tranzitore që do të organizonte zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Protesta të vazhdueshme të opozitës, të drejtuara nga PD-ja, u shënjuan nga dhuna dhe vandalizmi kundër institucioneve shtetërore, duke përfshirë më vonë edhe administratën zgjedhore.

Kryeministri i hodhi poshtë kërkesat e opozitës dhe, duke paralajmëruar se kjo mund të çonte në krijimin e një precedenti që do të kërcënonte atë çka ai e përshkroi si “bashkëjetesë demokratike” të qeverive të zgjedhura dhe të opozitave të tyre parlamentare, bëri thirrje që zgjedhjet të mbaheshin siç ishin planifikuar. Aktorët zgjedhorë nuk demonstruan gjithmonë vullnet politik për të zbatuar si duhet dispozitat ligjore, duke përfshirë rastet e emërimit të anëtarëve në komisionet zgjedhore dhe regjistrimit të kandidatëve. Dekretet e 10 qershorit dhe 27 qershorit të Presidentit dhe veçanërisht reagimet e ndryshme që ata ngjallën mes aktorëve institucionalë dhe politikë, kontribuuan të gjitha bashkë në pasiguri juridike dhe politike. Gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese dhe një Gjykate të Lartë funksionale, ku e para është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit.

Mjedisi i fushatës

Fushata, e cila filloi zyrtarisht më 31 maj, ishte kryesisht e padukshme. Përveç stendave të afishimit për edukimin e zgjedhësve, të cilat iu dhanë autoriteteve bashkiake nga KQZ-ja, MVZ-ja e ODIHR-it vuri re një numër të vogël posterash dhe shenjash të tjera që tregonin për zgjedhje të afërta. 26 Kandidatët e bënë fushatën kryesisht në mediat sociale, përmes vizitave derë-më-derë dhe takimeve të vogla me zgjedhësit. Kandidatet gra të PS-së dhe BD-së për bashkinë e Durrësit u përballën me njëra-tjetrën, kurse në pesë bashki garuan për koalicionin e drejtuar nga PS-ja pa pasur kandidatë kundërshtarë. Debatet ballë-për-ballë mes garuesve ishin të pakta. Aktivitetet e kufizuara të fushatës mbetën në hije për shkak të zhvillimeve në shkallë vendi që i thelluan edhe më tej ndarjet e hershme politike. Debatet mbi një numër të madh temash politike u dominuan nga çështja e mospjesëmarrjes në zgjedhje të partive kryesore opozitare dhe nga diskutimet rreth datës së zgjedhjeve.

Përmes medias audiovizive, medias së shkruar dhe asaj sociale, tubimeve publike dhe takimeve me përfaqësues të partive politike, qytetarët u ekspozuan ndaj pikëpamjeve të ndryshme rreth zgjedhjeve, të cilat në shumë fusha, ishin jo konkurruese. Gjuha me të cilën kundërshtarët politike shprehën pikëpamjet e tyre ishte shpesh e ndezur dhe e mbushur me akuza dhe kundër akuza. Në këtë mjedis tejet të polarizuar, zgjedhësit e mundshëm u përballën me presion për të treguar preferencën politike. Punonjësit e bashkisë ishin mes atyre protestuesve që MVZ-ja e ODIHR-it i vëzhgoi teksa e pengonin fizikisht administratën zgjedhore në bashkitë, ku kryetarët e bashkisë që i përkisnin PD-së, Partisë për Drejtës, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe LSI e kishin njoftuar KQZ-në se kishin për qëllim të zbatonin dekretin e 10 qershorit të Presidentit. Këtu përfshihen incidentet e ndodhura në Devoll, Dibër, Kamëz, Kavajë, Kukës, Mat, Pogradec, Prrenjas, Shkodër, Tropojë, Vau i Dejës dhe Vorë. Pjesa më e madhe e këtyre incidenteve përfshinte shkatërrimin e materialeve zgjedhore, si dhe përplasjet mes Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit.

Flasin opozitarët: Raporti i OSBE tregoi se nuk është plotësuar asnjë kusht

Partitë opozitare, të cilët janë aleat të Partisë Demokratike, kanë dhënë reagimet e tyre për sa i përket publikimit të fundit të raportit të OSBE-së për zgjedhjet lokale. Reagimet e aleatëve të Lulzim Bashës kanë ardhur gjatë tryezës së aleatëve të Partisë Demokratike. Pjesë e kësaj tryeze ishte, Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, Mesila Doda, si pjesë e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet. Pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike, aleatët e tij, Fatmir Mediu dhe Mesila Doda iu përgjigjën interesit të medias, për sa i përket perceptimeve të tyre në lidhje me raportin e fundit të OSBE-së për zgjedhjet lokale. Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, tha se raporti paraprak i OSBE/ODIHR tregoi se në zgjedhjet e së dielës asnjë nga kushtet e saj nuk është plotësuar. Të pyetur  se nëse opozita do të vijojë protestat, Mediu dhe Doda treguan se edhe protestat janë mjete demokratike që do garantojnë lirinë e votës, ndërsa shtuan se një vendim i tillë ende nuk ka marrë “firmën finale”. Mediu u shpreh se: Raporti i OSBE-së tregon se nuk është plotësuar asnjë kusht. Shqiptarët e dinë se çfarë ka ndodhur. Mendoj se çdo gjë që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, duhet të vijohet. Nga ana e saj Mesila Doda, e pyetur nga mediat, foli për protestat në ditët e ardhshme. Ajo u shpreh se: Zgjedhjet e kësaj radhe vërtetuan qëndrimin tonë prej kohësh. Do nisni protestat? Besoj se kjo është një nga vendimet që do të merret në vijim.

Oerd Bylykbashi: Deklarata më e ashpër në 28 vjet e OSBE/ODIHR

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi komentoi deklaratat e misionit të OSBE/ ODIHR-it dhe 1 ditë pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Në një deklaratë për mediat, Bylykbashi u shpreh se mesazhi i ODIHR-it ishte i qartë, zgjedhjet janë nul. Oerd Bylykbashi u shpreh se: Mosrespektimi i standardeve për zgjedhje dmeokratike detyroi opozitën të marrë vendimin për të mos u futur në zgjedhjet e 30 qershorit, dekretuar dhe më pas anuluar nga Presidenti. Zgjedhjet kanë më shumë rëndësi për zgjedhësit. Këtë e deklaroi OSBE/ ODIHR dhe këtë ka deklaruar edhe PSD kur jemi përpjekur për zgjedhje të lira dhe të ndershme. ODIHR i tha shqiptarëve se në 30 qershor nuk pati zgjedhje, ku zgjedhësit shqiptarë të kishin mundësi të bënin zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të ketë mundësi për ata që i përfaqësojnë. Mungesa e zgjedhjes i ka bërë këto zgjedhje nul. ODIHR deklaroi se pa ekuivok se e vetmja gjykatë për të shqyrtuar dekretet e Presidentit për zgjedhje është Gjykata Kushtetuese. Kapja e plotë e KQZ-së dhe e gjithë komisioneve zgjedhore nga PS, refuzimi i të drejtave të partive opozitare për të pasur anëtarët e tyre në komisione sipas ODIHR dhunoi kodin zgjedhor dhe qëllimin e kodit për të siguruar balancimin politik të Komisioneve zgjedhore me qëllim për të garantuar të drejtat bazë të zgjedhësve. Kjo deklaratë e bëri nul të gjitha përpjekjet e Ramës dhe organizimin e farsës së Ramës në 30 qershor”, përfundoi në fjalën e tij, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.

Flash Lajme

Më të lexuarat