Vula simbolizon qenien e vetë shtetit dhe vlerën që kishte çdo njeri, anëtar i shtetit, ku më pas shndërrohet në një “person të rëndësishëm”. Ministra, deputetë , kryeministra e presidentë, kanë marrë pushtetin nëpërmjet vulës

Miho Gjini

S’ka pak muaj që kam lexuar tregimin e shkrimtarit  Faruk Myrtaj, për një njeri të rëndomtë e pa asnjë vlerë, që nuk mundeshin t’i besonin asnjë gjë dhe, më në fund i dhanë një punë: të rrijë në karrige e të vërë vulën e zyrës mbi morinë e shkresave që dërgoheshin. E jam mrekulluar me tipizimin e kësaj figure, që dukej si e parëndësishme në hierarkinë e shtetit dhe befas, do t’i atribuonte vetes rëndësinë më të madhe të vetë shtetit. Se vula, në fund të fundit, simbolizonte qenien e vetë shtetit dhe vlerën që kishte çdo njeri, anëtar i shtetit. Grotesku ishte i hatashëm. Si te nëpunësit e gubernës ruse të Çehovit. Dhe kështu, një Hiç, shndërrohet në një “person të rëndësishëm” që vinte vula mbi një shkresë se do të vërtetonte qenien e personit tjetër. Të gjorit njeri, iu faneps edhe ideja, sesi, me anë te vulave, mund të bënte gjëmën, po edhe “gropën” për këdo njeri që nuk honepsej prej tij! Se, po nuk i vure vulë mbi kartë personit që e kishe zët apo inat, mund t’i “dridhte edhe zorrët”!

Kjo mani e këtij vulëmbajtësi, nisi të bëhej mani edhe e vetë Shtetit, gjë që dilte jashtë tregimit të Farukut e të “kërcasë” dukshëm! I doli “hairi” punës! Si të ishte një biznes më vete…Po, po, mori trajtat e një biznesi fitimprurës! Aq shumë sa njerëzit hallexhinj, sidomos ata që emigruan jashtë vendit të tyre, për 30 vjet me radhë nuk do të tmerroheshin asnjëherë nga punët e lodhshme diku tjetër, në shtetin fqinj, sesa nga certifikatat që u duheshin për t’u legalizuar e sidomos , nga moria e vulave që duhesh vendosur mbi to! Të vije një vulë, për të rrëfyer se je ti e jo një tjetër, dikur vihej vetëm një vulë, ndërsa tani duheshin shtuar edhe tri vula të tjera, prej njërit shtet që edhe shteti tjetër te vinte tri të tjera! Çmenduria po afronte e kështu mbeti për tri dekada! Po edhe kjo ka historinë e vet, nga më të çuditshmet që mund të ngjajnë brenda këtij shteti që për fatin tonë, është i yni e nuk e shajmë dot, ngaqë kemi lindur brenda tij dhe e quajmë At(dhe) ose Mëmë(dhe).

Vulëmbajtësit

Fillimisht, pas shembjes së shtetit të dikurshëm, nuk qe fare nevoja të veje nëpër zyra e të vije vula nëpër dokumentet që kërkoheshin me shumicë, sepse të gjitha vulat e shtetit të mëparshëm qenë vjedhur e viheshin me lehtësinë më të madhe në “Sheshin Omonia” këtu e në “Piaca d’i Roma” më përtej. Paguaje një dorë dhrahmi apo lireta dhe të vinin vula nga të doje ti e si t’i doje , derisa u “doli era”, u ra vlera dhe këtë punë me leverdi financiare e “mori në dorë” Ambasada jonë në vendin bujtës. E ndodhi që aty u shtuan për qamet radhët, puna , personeli dhe sekserët përreth ambasadës. Bile, këta të fundit, qenë më të shumtit e të “merrnin me erë”, si qentë, sapo të shihnin në krye të rrugës që ti kishe hallin e vulave. E të rripnin të gjallë për një vulë nga ana e Shtetit Am!

Po edhe kjo “pune” zgjati derisa i “erdhi era edhe kësaj pune” e u shpikën  mënyra të tjera e kërkesa të tjera, nga “Vulëmbajtësit e Farukut!” për vulëhumburit që shtoheshin pambarimisht!. Shteti Grek nisi të kërkojë tri deri në pesë vula, duke kërkuar edhe vulat e përkthimeve dhe , për t’iu përgjigjur kësaj manie, edhe shteti shqiptar nisi të verë tri vula  vetëm në një fletë letre, që mezi i nxënte, për t’u njohur personi e vetë Shteti nga vinte personi dhe të viheshin kështu nga tri deri në pese vula! E çdo pune paguhej nga afro 20 Euro vula këndej e nga afro 20 mijë lekë nga krahu tjetër, pa llogaritur lënien e punës (që edhe mund ta humbisje fare!), rrugëtimet (që mund të kushtonin sa dy-tre fishi i vlerës së vulës!), duke shtuar këtu taksën që ta merrje vulën brenda ditës e jo pas një apo dy javësh, sikundër filloi të kërkohej enkas nga “Vulëmbajtësit e Farukut!?”. Pa përmendur as incidentet që ndodhnin nga vapa, nga i ftohti i madh e nga shtrëngesat  tmerruese të radhëve të gjate, që të “siguronin spitalin”!

Vula zyrtare

Pikërisht në këtë “pikë vlimi” nisën edhe ankesat, shkrimet nëpër gazeta, protestat e të emigruarve, të cilët luftonin për “bukën e gojës”; erdhën këtu edhe zyrtarë të shtetit, ministra, deputetë  të parlamentit të ri, bile edhe kryeministra e presidentë, që “morën shënimet e duhura” e që , për fatin e keq të emigrantëve të këtushëm “bënë një vrimë në ujë”! Thonë se diçka ndreqën nga ana e “Çizmes”, po këndej, nuk “lëvizi asgjë”, tri dekada!  Po ai tmerr, po ajo vërtitje e po ato të shkreta para që fitohen me gjak e vuajtje të mëdha e që shpenzohen për një vulë, atë të saktën të shkretën, e cila vihet mbi kartën, që të marrë njëfarë vlere, vetëm për disa sekonda! E të krijohet ideja a Xhelozisë se, shteti ynë i dashur, e bën këtë që të “paralelizojë” me shtetin fqinj”! Në qoftë se një vulë e thjeshtë e Gjendjes Civile Shqiptare , duhet vulosur deri në Ministrinë e Jashtme të këtij Shteti , edhe në Shqipëri, pasi e krren vulën zyrtari i Komunës , duhet t’i vërë të dytën ai i Prefekturës e të tretën  ai i Ministrisë së Jashtme.

Vula e sulltanit

“O PIKË E ZEZË!  Gjeni, o njerëz, vetëm një vulë , për shtetin tonë të drobitur, qe t’u japë fund të gjitha vulave të tjera kotsëkoti! Bëni ju lutem, o njerëz të protestave e te antiprotestave, vetëm një “protestë” për vulat e të mos tmerrohen më njerëzia e shkrete! Se, ta dini, po u vonuat një muaj nëpër radhët e shtetit tënd, shteti tjetër, ku ti ke bujtur, nuk t’i njeh më, sepse i do të freskëta këto djallo vula, sikur të ishin vezë të vjetra  e u “delte era”!. E dikush tha, me shpirtin nëpër dhëmbë: “Le t’i hedhim sytë nga Ankaraja përsëri, si 500 vjet me përpara, kur nëpër fermanët e asaj Perandorie të Madhe, vihej vetëm një vulë e me të mund të bëheshe edhe Pasha, edhe Vezir, edhe Sulltan i një Perandorie të tërë!”

Flash Lajme

Më të lexuarat