Komisioni Evropian komenton për gazetën “Shekulli”, se kërkesa e Holandës për kthim të vizave ndaj Shqipërisë, nuk do të merret parasysh. Shqipëria  nuk plotëson mekanizmat për pezullimin, do vijojë monitorimi

Erjon Dervishi

Pas afro një muaj shqyrtimi, Komisioni Evropian ka hedhur poshtë dje kërkesën e Holandës për rikthimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Shekulli” nga zyrtarë të Komisioni Evropian, të cilët thonë se pas vlerësimit të situatës aktuale, Shqipëria nuk plotësohen mekanizmat për pezullimin e vizave. Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikat e Emigracionit dhe Lëvizjen e Lirë, Tove Ersnt dhe Katarzyna Kolanko, zëdhënëse e Unionit për sigurinë, shtetin e së drejtës dhe Kartën Themelore të të Drejtave të Njeriut, tha për gazetën “Shekulli”, se ekzekutivi i Bashkimit Evropian do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e kritereve për lëvizjen e lirë nga ana e qeverisë shqiptare. Në komunikimin zyrtar për gazetën “Shekulli”, thuhet se: “Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së kërkesës të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të rikthyer regjimin e vizave nuk plotësohen. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza”, thotë zëdhënësi në një e-mail zyrtar. Ky vendim i Holandës solli mjaft përplasje në Tiranë në sferën politike. Teksa maxhoranca shprehej se nisma është marrë nga deputetë që kanë qenë gjithmonë kundër integrimit, opozita e ka parë si rezultat i nivelit të ulët të luftës kundër krimit, korrupsionit dhe trafikut të drogës. Vetëm dy javë pas dorëzimit zyrtar të kërkesës së Holandës në Komisionin Evropian parlamenti holandez miratoi dhe qëndrimin zyrtar për çeljen e negociatave për Shqipërinë duke bërë të ditur se janë kundër hapjes së tyre. “Parlamenti i Holandës, në datën 12 të muajit qershor, miratoi një mocion ku i kërkonte qeverisë të mos pranojë për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Një vendim nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, që në datën 18 qershor të hapen negociatat e pranimit do të ishte i parakohshëm”, do të njoftonte ambasada holandeze me 12 qershor. Nëse kërkesa e Holandës do të miratohej atëherë pezullimi i lëvizjes së lirë do të bëhej për një afat prej 9 muajsh dhe gjatë kësaj periudhe Komisioni do të “krijojë një dialog të zgjeruar me shtetin e tretë në fjalë, me qëllim që të korrigjojë rrethanat në fjalë”.

Reagon Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca

Pas refuzimit të kësaj kërkese, ka reaguar edhe Ambasadori i BE, në Tiranë Luigi Soreca, i cili thekson se, pas kësaj arritjeje Shqipëria duhet të bëjë përpara në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ku gjithçka bazohet në përgjigjen e tetorit. Soreca shkruan në rrjetin social Tëitter se: “Tani është koha që Shqipëria të mbështetet mbi këtë konfirmim të arritjes së saj të rëndësishme në vitin 2010 dhe për të ecur përpara me energji në rrugën e saj drejt integrimit në BE, në pikëpamjen e vendimit vendimtar të KE-së tetorin e ardhshëm”, shkruan ambasadori i BE-së.

Reagon Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama

Ndërkohë kryeministri Edi Rama në një reagim tha: “Ja dhe vizat s’u rikthyen siç predikuan e trumbetuan lajmësit e qametit që s’ndodhi! Komisioni Evropian e refuzoi kërkesën e qeverisë holandeze dhe e vërteta doli fiks siç ishte kur e thamë e shumëkush s’e besoi: Vizat nuk rikthehen sepse Shqipëria s’ka shkelur asnjë kriter”.

Reagimi i Qeverisë së Holandës

Në reagimin e saj, Ambasada Holandeze në Tiranë, thotë se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar. “Në datën 1 korrik, Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës ka marrë një përgjigje nga Komisioni Evropian në lidhje me letër-kërkesën e dërguar në datën 31 Maj 2019. Në këtë letër, Komisioni ka dalë në përfundimin se kushtet teknike për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Por gjithsesi, në letër theksohet se Komisioni beson se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar. Sinjali që vjen nga letër-kërkesa vijon të jetë i rëndësishëm. Holanda do të punojë me Shqipërinë për të parë se si shqetësimet tona në lidhje me krimin e organizuar, aplikimet e pabazuara për azil dhe klandestinët që përpiqen të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet porteve të Holandës mund të adresohen në mënyrë më efikase. Ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të mirë me palën Shqiptare dhe e shohim si thelbësore adresimin e këtyre çështjeve”, njofton ambasada, e cila flet në emër të qeverisë së Holandës.

Kërkesa e Holandës për rikthim vizash

Dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për vendin tonë, parlamenti holandez votoi në prill për rikthimin e tyre, pas arrestimit të 64 anëtarëve të një rrjeti të krimit të organizuar shqiptar në katër shtete anëtare të BE, përfshirë edhe Holandën.  Më 31 maj Holanda dorëzoi zyrtarisht në Komisionin Evropian kërkesën e saj për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen. Në një letër dërguar Eurokomisionerit për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitri Avramopoulos, Robert de Groot, përfaqësuesi i përhershëm i Holandës në Bashkimin Evropian, paraqiti edhe argumentet e Parlamentit të tij. “Gjatë viteve të fundit, çështjet që kanë të bëjnë shtetasit shqiptarë kanë marrë shumë vëmendje në Holandë. Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në krimin e organizuar në qytete të tilla si Amsterdami dhe Roterdami dhe rajone të tjera në vendin tonë. Një zhvillim tjetër është numri në rritje i emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria, kryesisht njerëz të rinj që dëshirojnë të fillojnë një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhej në kërkesën e Holandës. “Numri i aplikimeve për azil nga shtetas shqiptarë është gjithashtu i lartë. Këto rrethana po minojnë mbështetjen e publikut në Holandë për liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë”, thuhej në kërkesë. Me tej Amsterdami zyrtar përcakton edhe arsyet se përse Bashkimi Evropian duhet të pezullojë lëvizjen e lirë për shqiptarët, duke theksuar mes të tjerash se rrjetet kriminale shqiptare përbëjnë rrezik edhe për sigurinë e vendeve anëtare, si Britania e Madhe. Holanda njoftoi Komisionin Evropian se ballafaqohet me një rrezik në rritje për qetësinë publike, rritjen e veprave të rënda penale, të ndërlidhura me shtetasit shqiptarë dhe me një rritje të konsiderueshme të numrit të shtetasve nga Shqipëria të cilët qëndrojnë në Holandë edhe nëse i është refuzuar leje qëndrimi. Më tej, në dokumentin e hartuar nga zyrtarë të qeverisë holandeze, thuhet se që nga viti 2015, Holanda ka përjetuar një rritje të konsiderueshme të veprave penale të lidhura me bandat kriminale shqiptare. “Kriminelët shqiptarë janë të përfshirë në trafikun e drogës (kryesisht kokainë), pastrimin e parave dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Prania e tyre në skenën kriminale në Holandë po bëhet gjithnjë e më e spikatur, pasi po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me grupe të tjera të huaja kriminale. Është e qartë se aktivitetet e tyre janë një kërcënim i menjëhershëm për sigurinë e brendshme”, thekson kërkesa. Kërkesa e vë theksin tek rritja e numrit të shqiptarëve të paligjshëm në Holandë, i cili sipas Amsterdamit zyrtar ka filluar që nga viti 2009. “Në vitet e fundit, autoritetet holandeze të emigrimit dhe të zbatimit të ligjit hasën sfida të konsiderueshme për të luftuar emigrimin e paligjshëm nga Shqipëria. Këto sfida kanë të bëjnë veçanërisht me udhëtarët shqiptarë që përpiqen të kalojnë në mënyrë të parregullt në Mbretërinë e Bashkuar duke u fshehur në kamionët dhe anijet që nisen nga Roterdami. Kjo shkakton dëme dhe probleme të konsiderueshme për shoferët, sektorin e transportit, komunat dhe autoritetet e zbatimit të ligjit në Holandë”, thuhej në dokument. Nëse kërkesa e Holandës do të miratohej atëherë pezullimi i lëvizjes së lirë do të bëhej për një afat prej 9 muajsh.

Mafia shqiptare në Holandë

Por përse u kthye mafia shqiptare në kryefjalën e parlamentit holandez dhe sa serioz është ky problem në Holandë? Në fakt, i pari që ka kërkuar rivendosjen e vizave me Shqipërinë ishte Departamenti i Policisë në vitin 2017. Po ashtu përgjatë muajve të fundit, Policia holandeze ka ngritur shqetësimin se sheh se bandat shqiptarët po blejnë tonelata kokainë në Amerikën e Jugut dhe po krijojnë rrjete të fuqishme shpërndarjeje nga Holanda në vende të tjera evropiane. Në vitin 2017, Departamenti i Hetimeve penale, gjyqësori, Bashkia e Amsterdamit dhe autoritetet tatimore ndërmorën një hetim të përbashkët për numrin e shqiptarëve që janë të përfshirë në trafikun e drogës në Holandë. Atë vit, autoritetet holandeze arrestuan 499 të dyshuar shqiptarë, ndërsa në vitin 2018 u prangosën 476 shqiptarë. Numri i kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarët u rrit ndjeshëm në vitet 2015 dhe 2016, me më shumë se 1300 aplikantë në vit. Në vitin 2018 janë dorëzuar 550 aplikime, por sipas mediave holandeze shumica e kriminelëve shqiptarë nuk janë të njohur për autoritetet, sepse nuk janë të regjistruar në Holandë. Operacioni i fundit kundër mafies shqiptare në Holandë përfshiu rreth 600 oficerë dhe çoi në arrestimin e 64 anëtarëve të një rrjeti kriminal shqiptar, sipas statistikave të fundit të bërë publike nga zyra e Policisë së Mbretërisë së Holandës. Operacioni i mbështetur nga Europol u organizuar më 5 prill dhe u zgjerua edhe në Belgjikë, Francë dhe Itali. Shqiptarët e arrestuar akuzohen për trafik drogë, trafikimin e qenieve njerëzore, prostitucion dhe pastrim parash. Autoritetet holandeze kanë ngritur prej kohësh alarmin se mafia shqiptare po përbën një kërcënim gjithnjë e më të madh për Holandën, pasi luan një rol të rëndësishëm në rrjetin e drogës së Amsterdamit dhe Rotterdamit. Në 2017-ën, departamenti i hetimit kriminal në Amsterdam përfundoi një hetim intensiv për një dege të madhe të një organizate kriminale shqiptare, duke arrestuar 7 të dyshuar. Falë një bashkëpunimi me autoritetet italiane, u vëzhguan rreth 100 të dyshuar shqiptarë, të cilët u kapën me armë zjarri, granata, dhjetëra kilogramë kokainë dhe marihuanë. Mediat holandeze shkruajnë se shqiptarët janë të njohur për ofrimin e kokainës së cilësisë së lartë kundrejt çmimeve të mira. Ata kanë arritur të kontrollojnë një pjesë të mirë të tregut evropian, pasi janë të dhunshëm ndaj çdo konkurrenti tjetër. Sipas autoriteteve holandeze, bandat shqiptare atje trafikojnë kokainë, kryesisht nga Ekuadori, përmes porteve të Roterdamit, Hamburgut dhe Bremenit, duke e shpërndarë atë nëpër Evropën Perëndimore dhe Britaninë e Madhe. Për shembull grupi i arrestuar operonte me mjaft saktësi dhe kishte ndërtuar ndarje të fshehta nëpër banesa e makina, me sisteme hidraulike, magnetike apo elektrike, për të fshehur drogën dhe paratë. Anëtarët organizatave shqiptare banojnë në apartamente luksoze me garazhe të mbyllura, nga të cilët ata mund të hynin në shtëpi pa ngritur dyshime. Sipas mediave holandeze, bandat shqiptare filluan të negociojnë drejtpërdrejt me kartelet kolumbiane që kontrollojnë prodhimin e kokainës. Dërgesa të mëdha u organizuan direkt nga Amerika e Jugut. Po ashtu, ekzistojnë dëshmi të konsiderueshme se jo vetëm shqiptarët punojnë me Ndrangheta-n, por se ata kanë formuar aleancat më të forta edhe me organizatat vendase, të cilat i konsiderojnë si të barabartë. Dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për vendin tonë, parlamenti holandez votoi në prill për rikthimin e tyre, pas arrestimit të 64 anëtarëve të një rrjeti të krimit të organizuar shqiptar në katër shtete anëtare të BE, përfshirë edhe Holandën. Ishte pikërisht lufta kundër grupeve kriminale të trafikut të lëndëve narkotike që shtyu me një vit hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe nëse vende skeptike si Holanda dhe Franca shohin se nuk është bërë përparim në këtë drejtim, negociatat rrezikojnë të shtyhen sërish edhe këtë qershor. Edhe pse qeveria shqiptare është e sigurt se propozimi nuk do të marrë “bekimin” e Komisionit Evropian për rikthimin e vizave, klima brenda BE-se pritet të jetë shumë më agresive pas zgjedhjeve të parlamentit evropian.

Flash Lajme

Më të lexuarat