Vendimi/ Publikohet formulari dhe dokumentet për blerjen e banesave me kredi me interes të ulët. Përfituesit nga listat e bashkive dhe të qeverisë. Përzgjedhja në dy faza, kriteret për familjet dhe individët

Vendimi për kriteret e reja që duhet të plotësojnë familjet me të ardhura të ulëta ose të mesme, tashmë ka kaluar në Fletoren Zyrtare, çka do të thotë se kanë nisur zyrtarisht aplikimet për të përfituar banesë me interes të ulët të kredisë. Shekulli ka siguruar formularin që duhet të plotësohet nga kërkuesit dhe dokumentacionin. Me vendimin e ri, aplikimi do të kalojë në dy faza, e para ajo e selektimit nga komisionit përkatëse, në rast se plotësohen kushtet dhe e dyta përzgjedhja dhe listimi i fituesve. Masa e interesit të kredive të buta për familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët apo me kredi të lehtësuar nga shteti ose bashkitë nuk do të jetë fikse 3 %, siç është përcaktuar gjatë viteve të fundit, por do të ndryshojë në varësi të statusit ekonomik të familjes, madje deri në 0%. Përmes një VKM-je, qeveria ka vendosur të zgjerojë rrethin e përfituesve të këtij programi, duke përcaktuar kritere të reja për përfitimin, që nisin me përzgjedhjen e institucionit financiar dhe vijojnë më tej me selektimin e familjeve mbi bazën e aftësive paguese sipas kategorive.

Vendimi

Masa e subvencionit të interesave të kredisë për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, për banesa me kosto të ulët, bazuar në ligjin nr.22/2018, “Për strehimin social”, është e barabartë me diferencën që rezulton ndërmjet interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë me interesin në varësi të aftësisë përballuese të familjes, me kusht që interesi dhe principali që paguan familja të mos jenë më të mëdha së aftësia e familjes për t’i përballuar, sipas përcaktimeve të nenit 3, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”. Në rastet kur këstet mujore me interes të subvencionuar rezultojnë më të larta se aftësia e familjes për t’i përballuar ato, familja kalon për trajtim në një program tjetër të përballueshëm për të. Llogaritja e masës së subvencionit të interesave të kredisë bëhet në momentin e lidhjes së kontratës për marrjen e kredisë, ndërmjet individit/familjes përfituese dhe institucionit financiar, mbështetur në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet institucionit financiar dhe ministrisë përgjegjëse për strehimin ose njësisë së vetëqeverisjes vendorePërjashtim bëhet vetëm për familjet qiramarrëse që banojnë në banesa, pronë e subjekteve të shpronësuara, të cilat përfitojnë subvencion 100% të interesit të kredisë. Këto familje paguajnë vetëm principalin e kredisë me interes 0%. Procedura e dhënies së subvencionimit të interesave të kredisë për familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët me kredi fillon me përzgjedhjen e institucionit financiar që do të kreditojë familjet. Përzgjedhja e institucionit financiar, që do të kreditojë familjet, bëhet me procedurë konkurrimi, si më poshtë vijon: a) Nëpërmjet një oferte publike dhe transparente ftohen të gjitha institucionet financiare, që kryejnë shërbime për dhënien e kredive në territorin e Republikës së Shqipërisë; b) Oferta publike shoqërohet edhe me kriteret për vlerësimin e ofertës fituese; c) Vlerësimi i ofertave duhet të marrë parasysh kostot më të ulëta për buxhetin dhe kostot më të përballueshme për familjet. 6. Përzgjedhja e institucionit financiar me ofertën fituese bëhet nga një komision vlerësimi prej 5 anëtarësh, që ngrihet me urdhër të titullarit të institucionit që financon programin. Komisioni kryesohet nga një përfaqësues i institucionit që financon programin, sipas urdhrit të krijimit të komisionit, dhe ushtron veprimtarinë, si më poshtë vijon: a) Shqyrton raportin përmbledhës, të përgatitur nga struktura përgjegjëse për strehimin në ministrinë përgjegjëse për strehimin ose struktura përgjegjëse në njësinë e vetëqeverisjes vendore, dhe miraton: i. mënyrën e vlerësimit. ii. sistemin e pikëzimit; iii. vlerësimin përfundimtar për bankën (bankat) fituese. b) Mblidhet, minimalisht, dy herë: i. Një herë për miratimin e sistemit të pikëzimit dhe të mënyrës së vlerësimit; ii. Një herë për vlerësimin përfundimtar për bankën (bankat) fituese. Pas përzgjedhjes së ofertës fituese, ndërmjet institucionit financiar dhe institucionit që financon programin nënshkruhet një marrëveshje, si më poshtë vijon: a) Kur subvencionimi i interesave të kredisë kryhet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, marrëveshja me institucionin financiar nënshkruhet nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore konkrete. Masa e subvencionit të interesave të kredisë miratohet nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore; b) Kur subvencionimi i interesave të kredisë do të kryhet nga buxheti i shtetit, marrëveshja lidhet ndërmjet ministrit përgjegjës për strehimin, ministrit përgjegjës për financat dhe institucionit financiar.

Dokumentet

Individi/familja që aplikon për subvencionimin e interesave të kredisë paraqet në strukturën përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore dokumentacionin që lidhet me plotësimin e kushteve të përgjithshme. Dokumentacioni përfshin,

a) vërtetimin negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron, në të gjithë territorin e Shqipërisë, pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi ose vërtetimin për një pronë që është nën normat e banimit;
b) vërtetimin nga bankat për gjendjen e llogarive dhe të depozitave të familjes/individit;
c) dokumentin e lëshuar nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore për dhënien e statusit të individit/familjes që përfiton për subvencionimin e kredisë;
ç) certifikatën e gjendjes familjare;
d) adresën e banesës dhe emrin e pronarit të banesës.

Lejet e ndërtimit

Pas disa ndryshimeve që lehtësojnë procedurën e ndryshimit të zërave kadastralë nga tokë bujqësore apo pyll në truall, Këshilli i Ministrave po ndërhyn më Ligjin për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit, në mënyrë që të bëhet i mundur ndryshimi automatikisht i kategorive të tokës në momentin e regjistrimit pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Në relacionin shoqërues të Projektligjit, Këshilli i Ministrave argumenton se gjatë shqyrtimit të aplikimeve të ndryshme për leje ndërtimi, është konstatuar se sipërfaqet, në të cilat kërkohet të ndërtohet, nuk gëzojnë statusin “truall”. Në këto raste zbatohen procedurat sipas legjislacionit të posaçëm për ndryshimin e resurseve të tokës. Këto procedura, thjesht formale, zgjasin në kohë, duke krijuar mospërputhje me afatet e shqyrtimit e të miratimit të lejeve, si dhe vonesa për aplikuesit. Ndërkohë, shumë prej këtyre aplikimeve u referohen sipërfaqeve/zonave për të cilat janë miratuar dokumente planifikimi (PDZRK, PPV, PDV) apo dhe leje zhvillimi, ku parashikohen zhvillime, pavarësisht kategorizimit të tokës.  “Për sa më sipër, sugjerohet që të parashikohet ndryshimi automatikisht i kategorive të tokës në momentin e regjistrimit pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke vepruar në këtë mënyrë, në përputhje me parashikimet e vendosura në dokumentet e planifikimit apo lejen e zhvillimit”, thekson në relacion Këshilli i Ministrave.

Flash Lajme

Më të lexuarat