Presidenti deklaron se 30 qershori është datë e paligjshme për zgjedhjet. Asnjë palë nuk e ka ankimuar në gjykatë. Vendimet e Kolegjit Zgjedhor nuk e rrëzojnë dekretin. Ftesë për 3 palë zgjedhje në 13 tetor

Lindita Bushgjokaj

Pak orë para seancës parlamentare për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, kreu i Shtetit ka bërë një shpjegim ligjor të situatës së krijuar pas 30 qershorit, duke dhënë edhe mendimin e tij për zgjidhjen e krizës. Në këtë sqarim, Kreu i Shtetit kujton se ka anuluar datën 30 qershor si datë të zhvillimit të zgjedhjeve vendore, mbështetur tërësisht në dispozitat e Kushtetutës. “Ky Dekret për anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, deri në ditën e sotme nuk është kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jo politik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor”. Presidenti vëren se edhe pse Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e padisë së Partisë së Unitetit Kombëtar, ky vendim nuk prek aspak vlefshmërinë e Dekretit që anulon 30 qershorin.  Meta i referohet edhe gjetjeve të misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR, ndërsa thotë se gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese, e cila është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit. “Për pasojë e gjithë veprimtaria zgjedhore e organizuar dhe zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019 është një proces votimesh tërësisht i paligjshëm, antikushtetues dhe që nuk krijon asnjë pasojë juridike, pasi veç të tjerave data 30 qershor 2019, nuk ekziston ligjërisht si një datë zgjedhjesh për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. E përsa kohë Presidenti ka të drejtën e dekretimit të datës së zgjedhjeve, Meta vë në dukje se zgjedhjet vendore janë më 13 tetor, ky akt është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.

Thirrja për 13 tetorin

Po kështu, duke vlerësuar krizën e rëndë të përfaqësimit në vend, Presidenti i Republikës u bën thirrje të gjithë aktorëve t’i bashkohen propozimit të tij që më 13 tetor qytetarët shqiptarë të votojnë për zgjedhje lokale, për zgjedhjet parlamentare, por edhe për zgjedhje presidenciale nga populli. Kreu i Shtetit deklaron se është koha për t’iu rikthyer sovranitetin të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. “Duke vënë në dukje këtë situatë të qartë ligjore se nuk ekzistojnë ligjërisht zgjedhjet e 30 qershorit dhe duke ritheksuar se dekreti i 13 tetorit është një mundësi e shkëlqyer për të garantuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike, Presidenti i Republikës i fton të gjithë të mos thellohen në rrugën e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit”.

Presidenti është autoriteti i vetëm që cakton datën e zgjedhjeve

Sipas Kreut të Shtetit, çdo veprimtari zgjedhore e zhvilluar nga KQZ deri tani është e paligjshme dhe anti-kushtetuese. Gjithashtu Meta i cilëson të pavend paralelizmat mes Kolegjit Zgjedhor Shqiptar dhe Kolegjit Zgjedhor Amerikan, pasi sipas tij në SHBA, Presidenti është subjekt zgjedhor konkurrent dhe në këtë mënyrë ai mund të ankohet në lidhje me çështjet zgjedhore. Ndërsa në Shqipëri, Presidenti është autoriteti i vetëm kushtetues që cakton datën e zgjedhjeve dhe Kolegji nuk mund të shqyrtojë pretendimet e Kreut të Shtetit dhe as dekret e nxjerra prej tij. “Po kështu lidhur me krahasimin e pavend që bëhet mes Kolegjit Zgjedhor Shqiptar me Kolegjin Zgjedhor Amerikan është tërësisht i qëllimshëm për të krijuar konfuzion ligjor, për të minuar sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për të çoroditur opinionin ndërkombëtar. Në sistemin amerikan kandidati për President apo vet Presidenti kur ai rikandidon, është subjekt konkurrent në zgjedhje, pra konsiderohet një subjekt zgjedhor garues. Në këtë mënyrë ai mund të ngrejë pretendime përpara Kolegjit Zgjedhor për rezultatet e zgjedhjeve/votimeve të zhvilluara, apo për çështjet e tjera zgjedhore (procedurale dhe materiale). Ndërkohë, sipas sistemit tonë Presidenti i Republikës nuk është subjekt konkurrent në zgjedhje, pra nuk është subjekt zgjedhor”, ka thënë Meta.

Anulimi

Kujtojmë se me 8 qershor Presidenti doli në një konferencë ku nxori edhe dekretin e tij për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit. Pas kësaj tensionet politike u shtuan, ndërsa presidenti nxori një tjetër dekret. Dekreti i Metës shkoi deri në Kolegjin Zgjedhor ku gjykatësit me vota unanime i hapën rrugën 30 qershorit. Ndërkohë vetëm tre ditë para zgjedhjeve lokale, kreu i shtetit, nxori një dekret tjetër ku kërkonte që data e zgjedhjeve vendore të ishte 13 tetori, po qeveria u tregua e vendosur për 30 qershorin. Por këtë dekret maxhoranca e konsideron të pavlefshëm dhe antikushtetues, duke hedhur hapat e parë drejt shkarkimit të Presidentit Meta.

Flash Lajme

Më të lexuarat