Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, ku përfshihen bashkitë e drejtuara nga opozita, dorëzoi sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për konstatimin si antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Në kërkesën e saj, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë kërkon “konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë së procesit zgjedhor të zhvilluar me 30 qershor 2019 për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiake dhe, si rrjellojë, konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve në kundërshtimin me nenet e Kushtetutës së Shqipërisë”.

Gjithashtu, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të verifikojë kushtetutshmërinë e veprimtarisë së Partisë “Bindja Demokratike” në lidhje me rregjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor.

Në një prononcim për mediat, kryetarja e Shoqatës së Bashkive të djathta, Voltana Ademi, e cila drejton edhe Bashkinë e Shkodrës, tha se shpresonte që, në momentin që Gjykata Kushtetuese do të ngrihet, do e marrë në shqyrtim kërkesën e tyre.

“Ne po veprojmë në mënyrë institucionale. Gjithë kryetarët e bashkive i janë drejtuar institucioneve të drejtësisë, një e drejtë e jonë, për të ndërtuar demokracinë mbi bazën e shtetit. Apeloj që çështjet të hetohen dhe gjykohen në mënyrë të pavarur duke mos iu nënshtruar presionit politik. Kemi gjykata që kanë vepruar në mënyra të ndryshme.”

Një ditë më parë, kryebashkiakja e Shkodrës dorëzoi në prokurori një kallzim penal për “krimet elektorale të kryera në votimet e 30 qershorit”.

Zonja Ademi kërkoi me këtë rast që prokuroria të bëjë detyrën dhe të hetojë në lidhje me shkeljet e konstatuara në votimet e 30 qershorit dhe të mos i nënshtrohet anjë presioni politik apo çfarëdo lloji tjetër.

Bashkitë qe drejtohen nga opozita i kane cilësuar si antikushtetuese zgjedhjet e 30 qershorit, pasi sipas tyre ato bien ndesh me dekretin e Presidentit, i cili shdekretoi daten 30 qershor duke caktuar nje datë tjetër për zgjedhjet vendore, ate të 13 tetorit.

Flash Lajme

Më të lexuarat