Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka pezulluar për 1 vit kryeprokurorin e Apelit Shkodër, Elvin Gokaj. Kjo masë disiplinore është dhënë për herë të parë nga vettingu. Shkak u bënë 3 raste të gjetura në dosjen e prokurorit

Xhentila Gjoshi

Kryeprokurori i Apelit në Shkodër, Elvin Gokaj është pezulluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa është urdhëruar të ndjekë trajnim në Shkollën e Magjistraturës. Kjo është një masë disiplinore, e dhënë për herë të parë nga institucionet e vettingut. Masa ndaj Gokaj është dhënë pas problemeve të konstatuara me profesionalizmin nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi. Pezullimi për një vit, shoqëruar me edukimin e detyrueshëm është një ndër masat disiplinore të parashikuara në nenin “Ë”, të Kushtetutës për mangësitë profesionale, megjithatë ajo aplikohet për herë të parë nga KPK. Elvin Gokaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore. Në vitin 2000 ai është emëruar prokuror në Prokurorinë e Matit, ndërsa në vitet 2007-2013 ka kryer detyrën e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit. Gokaj është promovuar në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës në vitin 2014 dhe prej vitit 2016 ushtron funksionin e drejtuesit të kësaj prokurorie. Procesi i vetingut për prokurorin Elvin Gokaj u krye nga trupa gjykuese e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Genta Tafa Bungon dhe anëtare Pamela Qirkon. Gjatë seancës dëgjimore, KPK konstatoi probleme në shumicën e dosjeve të hetuara nga subjekti dhe që u bënë pjesë e rivlerësimit. Sipas relatores Bungo, në 3 raste “duket se subjekti s’ka analizuar si duhet masën e dënimit; në dy rase s’ka analizë të veprës penale; në 1 rast në cilësinë e drejtuesit s’ka dhënë argumentim për zëvendësimin e prokurorit të një çështjeje dhe në një rast duket se ka shkelur të drejtat e të pandehurit duke zëvendësuar avokatin e zgjedhur prej tij me një avokat kryesisht”. Përveç dosjeve të analizuara, relatorja shtoi se në KPK ishte depozituar një denoncim ndaj prokurorit Gokaj, i cili pretendonte se gjatë periudhës kur subjekti drejtonte prokurorinë e Elbasanit “ka ndikuar te prokurorët për caktimin e masave të buta të sigurisë për të dhënë dënime të ulëta”. KPK konstatoi gjithashtu si problem mungesën e pasqyrimit të kontaktit të tij me një shtetas me inicialet E.N., i akuzuar për shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve penale. Prokurori Elvin Gokaj i kundërshtoi denoncimet si të pavërteta dhe që kishin për synim diskretitimin e tij, ndërsa lidhur me marrëdhënien me shtetasin E.N., deklaroi se nuk ishte në dijeni se ndaj tij kishin nisur hetime.

Hetimi pasuror

Gjatë seancës dëgjimore, drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Shkodrës nuk rezultoi me probleme të dukshme në kriterin e pasurisë. Sipas relatimit, ai kishte marrë një vlerësim pozitiv nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ndërkohë që KPK konstatoi disa mangësi dhe mospërputhje. Sipas relatores Bungo, subjekti zotëronte një apartament me sipërfaqe 57 m² në Shkodër, me burim krijimi akt dhurimi i vitit 2010. Komisioni ka konstatuar se apartamenti është përfituar nga prindërit prej Shoqatës së të Përndjekurve Politikë për shkak se gjyshja e subjektit ka gëzuar statusin e të përndjekurit politik. Lidhur me këtë apartament Bungo evidentoi faktin se prokurori Gokaj e kishte dhënë me qira, por nuk kishte paguar tatim-fitimin. “Komisioni ka vendosur që të mos i konsiderojë si të ardhura të ligjshme ato të përditësuarat nga qiraja,” tha Bungo në seancë. Ndërkohë, Komisioni ka evidentuar mospërputhje mes kontratës së sipërmarrjes dhe të akt shit-blerjes së një apartamenti në Durrës. Relatorja Bungo shpjegoi se në kontratën e porositjes së një apartamenti në Durrës në vitin 2009, shënohet sipërfaqja 84 m2. Ndërsa në kontratën e shit-blerjes të 30 majit 2014, shënohet sipërfaqja 76 m2. Komisioni ka kryer analizë financiare për mundësinë e prokurorit Gokaj për të paguar këstet për këtë apartament, 20 mijë euro në vitin 2009 kur është kryer prosia dhe 10 mijë euro në vitin 2014. Komisioni ka konkluduar se në vitin 2009 rezulton një balancë negative me vlerë 827 mijë lekë. Ndërsa për këstin e dytë të paguar në firmosjen e kontratës, ka rezultuar se prokurori Gokaj ka marrë një hua 10 mijë euro në vitin 2014, bazuar në një deklaratë të panënshkruar para noterit. Ndërkohë, kthimi i huas është nënshkruar para noterit. Nga verifikimet, Komisoni ka konstatuar se prokurori Gokaj ditën e nënshkrimit të kontratës noteriale për shlyerjen e huasë, ka tërhequr nga banka vlerën 11 mijë euro. Nga analiza financiare ka rezultuar se prokurori Gokaj e ka pasur mundësinë e kursimit të 11 mijë eurove në vitin 2014.

Figura

Lidhur me pastërtinë e figurës, Bungo është shprehur në seancën dëgjimore se DSIK ka dorëzuar pranë KPK-së një raport sipas të cilit prokurori Gokaj nuk ka kontakte me persona me lidhje me krimin e organizuar dhe se ai është i përshtatshëm për të vazhduar detyrën. Megjithatë, komisioni konstatoi si problem mungesën e pasqyrimit të kontaktit të tij me shtetasin me inicialet E.N; i akuzuar për “shpërdorim detyre” në vitin 2014 dhe “pastrim të produkteve të veprës penale” në vitin 2015. Gokaj pretendoi në seancën dëgjimore se E.N. nuk është regjistruar si person nën hetim në prokurorinë e Durrësit, ku ai ushtronte në atë kohë detyrën. “Unë s’kam pasur dijeni për hetimin që është kryer atje, pasi karakterizohet nga sekreti hetimor”, u justifikua ai.

Flash Lajme

Më të lexuarat