Komisari që hapi dosjet e frikshme të Beratit u vra në qytetin e tij të lindjes pas kërcënimeve të shumta që pati marrë nga miku i ngushtë i Lul Cakës.

Dëshmori i Policisë u qëllua për vdekje nga Kastriot Jaupaj

Dëshmia e dëshmorit të policisë, Ilir Ngresi i kushtoi Lulzim Cakës dënimin me 25 vite burgim për sulmin me armë që ‘i tmerrshmi i Beratit’ kreu ndaj një postblloku policie ku u rrezikua edhe jeta e Ngresit. Ai pati thënë gjatë hetimeve paraprake se “nuk do ta harronte kurrë atë fytyrë (Lul Cakën). Por, komisari i Vlorës nuk mundi ta shikonte me sytë e tij arrestimin apo dhe dënimin e Lulzim Cakës. Komisari, i cili hapi dosjet e frikshme të Beratit u vra në qytetin e tij të lindjes pas kërcënimeve të shumta që pati marrë nga miku i ngushtë i Cakës. Kastriot Jaupaj, sot 48 vjeç dhe në një burg të sigurisë së lartë ishte një tjetër personazh i krimit në qytetin e Beratit. Ai organizoi eliminimin e komisarit mbrëmjen e ndërrimit të viteve, teksa ai po pinte kafe. Ishte data 30 dhjetor 2000 kur qetësia e qytetit u trazua nga një breshëri automatiku. Ilir Ngresi ra përtokë i pajetë nga plagët vdekjeprurëse që i shkaktuan plumbat që ishin ruajtur për të. Kastriot Jaupaj ishte betuar që do ta vriste Ilir Ngresin. Ia kishte dërguar lajmin e kobshëm atij dhe familjes së tij. Por në vend që të ruhej dhe t’i jepej mbrojtje nga autoritetet teksa po gjurmohej hap pas hapi për t’u vrarë, komisari u transferua në Delvinë.

Përse u vra komisari Ilir Ngresi?

Gazeta Si.al disponon fashikullin e plotë të këtij krimi kundër uniformës së Policisë së Shtetit, njërit nga zyrtarët më të mirë që ka pasur policia dhe që hetimi i masakrave të Beratit dhe të Urës Vajgurore i mori jetën. Jeta e komisarit kishte nisur countdown tri vite përpara se ai të pushonte së marri frymë. Atëherë kur policia organizoi një aksion për kapjen e Ilir Jaupit (vëllai i Kastriot Jaupit). Sipas dosjes që Gazeta Si.al disponon, rezulton se më 12 nëntor 1997 Ilir Jaupi mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit me armë zjarri me policinë. I plagosuri ndërroi jetë në spital. Gjatë kësaj kohe, Ilir Ngresi mbante detyrën e shefit të Policisë Kriminale Berat dhe familja Jaupi drejtoi gishtin e akuzës drejt tij dhe në adresë të çdo shefi që kishte qenë në detyrë ditën e operacionit. Ilir Ngresi, i cili ndërkohë kishte lënë familjen e tij në Vlorë gjatë atyre viteve të trazuara, jo vetëm u kërcënua nga familjarët e të ndjerit, por përpara se të vritej atij iu organizua edhe një atentat tjetër që dështoi. “Kastriot Jaupit i lindi mendimi kriminal për t’u hakmarrë”, thuhet në dosjen që Gazeta Si.al disponon. Ai kërkoi sqarime nga shefi i Policisë Kriminale, Ngresi, duke u takuar drejtpërdrejt me të. Më pas, herë pas here miku i Lulzim Cakës i priste rrugën shefit të Policisë së Beratit, duke i xhiruar gomat e makinës. Më pas, ai i ka intensifikuar veprimet me kërcënime përmes telefonit. Në këtë moment Ilir Ngresi u bind se po përgatitej eliminimi i tij dhe njoftoi familjen që të kishin kujdes.

Atentati i parë

Kastriot Jaupaj e gjurmonte hap pas hapi komisarin. Javën e parë të shtatorit në vitin 2000, së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar ai i ngriti pritën e parë të armatosur. Në qafën e Koshovicës, teksa komisari Ilir Ngresi po udhëtonte, ndaj tij dhe shoferit të tij, Artimond Jaupit, me detyrë polic i thjeshtë, u zbraz një karikator. Breshëria e automatikut solli devijimin e makinës. Komisari mori një plumb në supin e djathtë përshkruhet në dosje. Pavarësisht se atentati ishte i drejtpërdrejtë dhe dështimi i tij nuk erdhi për shkak të vullnetit të atentatorëve. Pas kësaj pusie, polici Jaupi u largua nga Shqipëria për shkak të frikës nga hakmarrja. Siç u kuptua më pas, komisari u braktis nga autoritetet megjithëse kuptohej qartë që miku i Lul Cakës nuk do hiqte dorë. Ilir Ngresi u dërgua me detyrë në Delvinë, por edhe aty Kastriot Jaupi ishte në kërkim të gjurmëve të tij. I pandehuri udhëtonte shpesh në qytetin e Vlorës për të mësuar shtëpinë e komisarit, por edhe për të mësuar se kur i kishte ditët e pushimit. Kastriot Jaupi kishte si krahun e tij të djathtë në këtë plan kriminal shokun tjetër, Dritan Zhuka i vrarë më pas nga policia në vitin 2001.

Udhëtimi i vrasësve

Kur komisari po priste ndërrimin e viteve dhe ishte ulur poshtë banesës për të pirë një kafe, Kastriot Jaupi u nis drejt Vlorës i armatosur bashkë me Dritan Zhukën. Ata udhëtuan me autobus dhe sapo mbërrijnë në qytetin bregdetar, kërkon takim me shokun e tij vlonjat, Renato Beqiraj. Së bashku bënë një xhiro me makinën e Beqirit, të cilit ia kërkoi më pas autoveturën me justifikimin se kishte “ca punë dhe se sa të mbaronte, do ia linte makinën të parkuar para oborrit të shtëpisë”. Më pas, i thirrur si dëshmitar Beqiri, shpjegoi se nuk i dinte arsyet e vizitës së shokut të tij, ndaj ia la çelësat në dorë dhe vetë u largua në këmbë drejt lokal ‘Zyrihut’. Zhuka dhe Jaupaj nisën së bashku udhëtimin e vdekjes, duke qarkulluar përgjatë rrugës së Skelës. Aty ata pikasën shënjestrën. Komisari thuhet në dosje, po pinte kafen e fundit të jetës së tij së bashku me shokun e tij, Besnik Tare, në bar ‘Shelgu’ që gjendej në hyrjen e shtëpisë së tij. Pas zbulimit, të dy vrasësit parkuan makinën dhe udhëtuan në këmbë drejt lokalit. Iu afruan komisarit nga pas shpine. Kastriot Jaupaj qëndronte në cep të lokalit, Dritan Zhuka iu afrua nga pas krahëve dhe e qëlloi.

“Pasi pa që viktima u rrëzua për tokë, Dritan Zhuka vazhdonte të qëndronte në këmbë në skenën e krimit. Aty ka vrapuar Kastriot Jaupaj që ndërkohë kishte këqyrur se si vdes një komisar me urdhër të tij, ka kapur për krahu bashkëpunëtorin dhe ia kanë dalë mbanë të largohen e t’u shpëtojnë dy aksioneve, njërit në Vlorë dhe tjetrit në Levan, ku edhe pse u rrethuan nga policia arrestimi i tyre nuk u bë i mundur. Pas vrasjes së Ilir Ngresit, përveç veprimeve hetimore, autoritetet u kujtuan se në fakt komisari kishte bërë edhe një kallëzim ku njoftonte zyrtarisht kolegët dhe kërkonte hetimin e kërcënuesve. Përveç marrjes së 13 dëshmive, ajo që i vuri kapakun urrejtjes së familjes Jaupi ishte dhe dëshmia e Liri Jaupit, nëna e Kastriot Jaupit.

Pasi komisari ishte vrarë, familja Jaupi vazhdonte kërcënimet

“Vrasja e djalit tim, Ilir Jaupi, ishte vepër e policisë. Ilir Ngresi e kishte mbushur kupën. Ai duhej të vdiste, sepse gjaku me gjak lahet”. Por, ndërsa Lulzim Caka luajti gjyqësish, duke përmbysur dënimin e përjetshëm dhe doli nga burgu, disa vite pasi shkrepi armën dhe tentoi të vriste njeriun që deshi ta arrestonte, Kastriot Jaupi vazhdon të vuajë dënimin e përjetshëm në burgjet shqiptare. Pas dhjetëra aksioneve të dështuara në Shqipëri, ai u arrestua jo nga policët shqiptarë, por nga policia spanjolle, e cila gjeti strehën e tij në Madrid dhe ia dorëzoi vendit që e kërkonte shtatë vite pasi e kishte arrestuar. Ndryshe nga si kishte thënë për Lul Cakën se nuk do ta harronte kurrë fytyrën e tij, për Kastriot Jaupin, kallëzimi i komisarit në vend që të ishte një material për hetimet, përfundoi një paralajmërim për vrasjen.

Çfarë rrëfyen policët që ishin në postbllok?

Rrëfimi i komisarit Ilir Ngresi, në atë kohë shef i Komisariatit Berat dhe sot dëshmor i policisë është më prekësi. Pasi tregon se ishin vendosur në postblloqe për të kapur njerëzit e armatosur, komisari tregon se po ushtronin operacion për kapjen e të kërkuarve dhe atyre që qarkullonin me armë “ai filloi të shajë dhe të qëllojë në drejtimin tim dhe mua më ka shpëtuar vetëm rastësia”. Njëri nga shokët thirri “të vrau shef, mos u ngri”, deklaroi menjëherë pas ngjarjes komisari, që përshkruante se atë dhe të pandehurin i ndante vetëm rruga automobilistike. Kjo më bëri që unë mos ta harroj atë fytyrë, edhe pse më herët e kisha parë, pasi isha shef komisariati. Gentian Musabelliu, inspektor dhe në detyrë në atë posbllok thotë në dokumente “për t’u shpëtuar goditjeve u pozicionuam”. Duke u afruar zëri që ishte hedhur në kanal thirri “mos u afroni, do t’ju vras” dhe vazhdonte qëllonte në drejtimin tonë duke u përgjigjur vetëm me të shtëna. Në kohën kur zjarri pushoi unë lëviza bashkë me Ilir Ngresin dhe kur iu afruam i vendosëm armën te koka, ai ngriti duart lart dhe tha “jam Lul Caka”. Oficeri tjetër i policisë Julian Kuci kujton se përpara se njerëzit që ishin në motor të qëllonin në drejtim të policisë kishte bërtitur “mos u afroni o maskarenj”.

Rrëfimi i Arben Frashërit, ish-shef i policisë kriminale

Ne ishim në një postbllok më para atij ku ndodhi vatra e zjarrit. Lulzim Caka kaloi i armatosur bashkë me shokun e tij dhe ne bëmë thirrje të ndalonin. Ata u larguan dhe ne njoftuam postbllokun tjetër. Policia sekuestroi dhjetëra gëzhoja automatiku dhe një maskë dhe kapele që lexonte ‘Reebook’.

Vrasja e Pëllumb Eminit

Më datë 21 korrik 1997, Lulzim Caka gjendej në lavazhin Sadiku në afërsi të Lushnjës. Aty ka shkuar të lajë makinën viktima Pëllumb Emini, ku edhe ka nisur sherri se kush do ta lante i pari makinën. Në grindje e sipër viktima e qëllon me pëllëmbë Lul Cakën dhe ai kthehet i qetë në makinën e tij, ku ka marrë armën. Të dy djemtë edhe Pëllumbi, i cili ndërkohë ka nxjerrë pistoletën dhe Lul Caka kanë filluar të qëllojnë mbi njëri-tjetrin. I vetmi që është lënduar nga ky sherr është një kalimtar i rastit që është plagosur. Por nuk është mbyllur me kaq. Pëllumb Emini arrin të largohet në këmbë duke e lënë makinën në lavazh dhe pak minuta më vonë kthehet me një makinë tjetër dhe nën shoqërinë e një shoku. Por pa zbritur ende mirë nga makina e dytë ku siç duket deshi të vinte pikat mbi “i”, Lulzim Caka e pret me një breshëri të dytë, duke e lënë të vdekur në vend. Për këtë krim në dosje ekziston edhe dëshmia e një dëshmitari okular, i larguar nga Shqipëria që tregon për policinë “fierakun e vrau një djalë me flokët e gjatë që quhej Luli nga Berati”. Një tjetër dëshmitar rrëfen madje se atij i kishin kërkuar të shikonte nëse ai që kishte qëlluar a kishte vdekur apo jo. “Shkova e pashë që kishte mbaruar dhe ia thashë, pastaj ai iku”, thotë dëshmitari.

Flash Lajme

Më të lexuarat