Florjan Selimaj është qëlluar për vdekje dhe më pas është hedhur në kanal. Makina e tij është gjetur me kofano të hapur dhe gomë të hequr në anë të rrugës.

Shoqërohen në polici familjarët e të riut

Xhentila Gjoshi

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, një djalë i ri është gjetur i vrarë në zonën e Fierit. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Fierit, ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Kthesa e Hamilit”. Viktima është Florjan Selimaj, 23 vjeç, i cili është gjetur i pajetë në një kanal në anë të rrugës me plagë thike në trup. “Sot rreth orës 07:00, në vendin e quajtur ‘Kthesa e Hamilit’ është gjetur pa shenja jete shtetasi F. S., 23 vjeç. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 23-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e plagës së marrë nga goditja me një mjet të mprehtë(thikë), dyshohet gjatë një konflikti”, njoftoi policia. Dyshimet e para janë që drejtuesi i mjetit është nxjerrë nga makina dhe ekzekutuar në kanal pranë rrugës. Pranë kanalit është gjetur një makinë e braktisur tip “Renault”, me targa AA641EN, me një gomë të hequr dhe kofano të hapur. Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e kësaj ngjarje. Policia ka shoqëruar disa persona dhe po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Kush është viktima

Florjan Selimaj, 23-vjeçari i cili u gjet mëngjesin e djeshëm i vrarë me thikë në një kanal në vendin e quajtur “Kthesa e Hamilit”, në Fier, mësohet se është nga Tropoja. Sipas burimeve, viktima se bashku me familjen, ka ardhur vitet e fundit në fshatin Sulaj të Fierit, nga qyteti verior dhe njihet prej banorëve si një familje e qetë dhe sociale. Sipas informacioneve nga uniformat blu, dyshohet se 23-vjeçari mund të jetë ekzekutuar gjatë orëve të natës të së dielës dhe është gjetur në afërsi të një kanali mëngjesin e djeshëm. Ndërsa mjeti tip “Renault”, me targa AA641EN, me të cilin ai dyshohet se mund të ketë qenë duke lëvizur është gjetur me kofano të hapur dhe një gomë të hequr. Nuk dihet ende nëse vrasja ka të bëjë me autorë nga Fieri apo edhe nga vendlindja e tij, Tropoja. Burimet nga Policia e Fierit, bëjnë të ditur se viktima në vitin 2015 është regjistruar në skedarët e policisë së Fierit si i dyshuar për vjedhje të një automjeti. Ndërsa banorët e zonës nuk dinë shumë për 23-vjeçarin. Sakaq, policia ka bërë shoqërimin dhe marrjen në pyetje të gjithë familjarëve të 23-vjeçarit, të cilët janë shprehur se nuk kanë dijeni për ndonjë konflikt të tij. Po ashtu, uniformat blu shprehen se zbardhja e kësaj vrasje nuk do të jetë e lehtë, pasi ngjarja ka ndodhur në një zonë mjaft të largët dhe të pabanuar. Ata që e kanë konstatuar fillimisht trupin e pajetë të të riut, kanë qenë kalimtarët në atë zonë, të cilët kanë njoftuar policinë. Kjo e fundit, ka shkuar në vendin e ngjarjes ku ka konstatuar se 23-vjeçari ishte i hedhur në kanal pa shenja jete.

 

Flash Lajme

Më të lexuarat