Ministrja e Drejtësisë i konsideron spekulime investigimet për shpenzimet e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, dhe thotë se faturat përpjesëtohen për gjithë stafin. PD nxjerr rezervimin individual. Hoteli e konfirmon faturën

Pak ditë pas publikimit të disa faturave të ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj për udhëtimet e saj jashtë vendit ka ardhur edhe reagimi i kësaj të fundit. Në një postim të gjatë në Facebook, ajo shkruan se faturat e hoteleve përfshinin edhe qëndrimin e stafit, se hotelet përcaktoheshin nga ftuesit dhe se në disa raste prenotimet janë bërë për një kohë të shkurtër. Ndër të tjera Gjonaj thotë se nuk ka shkelur ligjin dhe se e kanë njollosur qëllimisht.

Ftoj cilëndo media dhe gazetar që të investigojë gjithë punën time në funksionin e Ministres së Drejtësisë, përfshi dhe menaxhimin e burimeve financiare duke i garantuar që ashtu siç i kam vënë në dispozicion, do të vazhdoj t’i ofroj me maksimumin e transparencës çdo informacion konform ligjit. Besoj se më të njëjtën transparencë që Ministria e Drejtësisë ka vepruar duke i ofruar të dhënat e kërkuara, të njëjtën transparencë dhe profesionalizëm do të duhej të kishte dëshmuar edhe media për të kryer verifikimet e duhura dhe për t’i paraqitur ato me vërtetësi jashtë interpretimeve dashakeqe dhe spekulative. Nëse media do të verifikonte dhe do të kërkonte shpjegim, do të arrinte të kuptonte që fatura me shumën e hotelit në Itali nuk është vetëm për 1 natë siç është përcjellë në mënyrë spekulative, por është fjetje për dy net. Për të shtuar, që faturat e publikuara nuk përmbajnë vetëm shpenzimet e mia, por përmbajnë shpenzimet e të gjithë delegacionit që merrte pjesë në këto aktivitete, ku në shumicën e rasteve hotelet për shkak të sigurisë për të gjitha delegacionet përcaktohen nga organizatorët apo ftuesit, që shpenzimet e fjetjes apo të biletave në shumë raste janë në varësi edhe të periudhës së kërkuar që mund të përkojë me një fluks të pronotimeve në ato vende apo për shkak të kohës së shkurtër në të cilën kanë ardhur ftesat apo axhendës së diktuar nga pala pritëse”, deklaron Gjonaj ndër të tjera.

Hoteli në Gjermani

Por shfajësimi për këtë deklaratë nuk zgjat shumë, pasi është vetë hoteli në Berlin i cili i ka kthyer përgjigje interesimit nga një portal në vend, duke lënë të kuptohet se ka qenë dëshira e vetë ministres për të zgjedhur një dhomë të shtrenjtë akomodimi, përtej alternativave që siguronin edhe çmime më të ulëta e të leverdishme. Portali dosja.al raporton se ka kontaktuar me George George E.V, shefin e rezervimeve në këtë hotel ku ka mësuar se në periudhën kur Gjonaj ka shpenzuar 1900 euro për të fjetur ka pasur mjaft alternativa. “Më 6 qershor? E kush dëshiron të qëndrojë në Berlin, të gjithë janë duke marrë rreze në Bullgari, Spanjë apo Greqi. Në atë periudhë kemi pasur shumë alternativa, madje edhe dhoma me 250 euro nata. Por gjithçka rezervohet sipas dëshirës së klientit”,  u shpreh George. Në faturën e publikuar shihet se Gjonaj ka fjetur 3 net në hotelin “Hilton” në Berlin, Gjermani dhe ka paguar shifrën e majme prej 1900 eurosh. Dhoma ka qenë standarde.

Për deklaratën  e Gjonajt ka reaguar në faqen e saj në facebook edhe ish-deputetja, Albana Vokshi duke bashkëngjitur  një dokument me faturën që cilëson prenotimin për një person në vlerë 700 euro.  Vokshi shprehet se Gjonaj ka paguar 700 euro për person, nënshkruar me emrin e saj personal dhe ka rezervuar një dhomë.

PD

Ish-deputetja demokrate ka publikuar edhe dokumentet, ku faktohet sipas saj, se ministrja ka rezervuar një dhomë për një natë për shumën e konsiderueshme 700 euro. “Reagimi i Etilda Gjonit për hotelet luksoze me çmime sheikësh, ku qëndron gjatë vizitave zyrtare, tenton të bëjë shqiptarët për budallenj. Faturat janë të shkruara e zeza mbi të bardhë. Dhoma e luksit me 700 euro nata: Është në emrin e Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Është dhomë teke. Është dhomë e paguar për 1 person, ku, normalisht, nuk mund të gjente strehë gjithë delegacioni, siç mashtron ministrja e Edi Ramës. Edhe kontrollin e brendshëm e ka porositur sa për të larë duart me opinionin publik, që e refuzon luksin e qeverisë së vendit më të varfër në Europe! Askush nuk e ka detyruar Etildën të zgjedhë hotele me 5 yje gjatë vizitave të saj, vizita të cilat nuk rezultojnë në kohë bumi turistik, që Etilda të mos gjejë një dhomë të zakonshme, pa shumë luks dhe komoditete të tjera speciale. Dhe, së fundi, zonja ministre e një qeverie hajdute gënjen edhe për kohën e publikimit të lajmit, i cili është shpërndarë parmbrëmë, jo para 24 orësh, siç përpiqet të mashtrojë Etilda, në mënyrë që të justifikojë heshtjen e gjatë për shpenzimin e parave publike si t’i kishte fituar në bixhoz”.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All