Kostot e ndërtimit të banesave u rritën me ritme mjaft të ngadaltë edhe në gjysmën e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në tremujorin e dytë të vitit, indeksi që mat këto kosto u rrit 0.3% me bazë vjetore.

Kjo normë ishte edhe më e ulët se rritja me 0.4% e tremujorit të parë. Kostot  e ndërtimit po rriten gradualisht që nga mesi i vitit 2016, megjithatë rritja ka qenë në nivele modeste, pa ushtruar presione të mëdha për rritje të çmimeve nga krahu i ofertës.

Në tremujorin e dytë të këtij viti, rritja erdhi sidomos nga kostot më të larta të makinerive dhe shpenzimeve të shtuara për paga. Shpenzimet e bizneseve ndërtuese për fondin e pagave u rritën me 0.8%, ndërsa shpenzimet e makinerive me 0.9%.

Rritja e kostove për paga dhe makineri, megjithatë, edhe në tremujorin e dytë u balancua nga rënia e kostove për shpenzimet materiale, që përbëjnë edhe zërin me peshën kryesore në aktivitetin ndërtues. Kostot e shpenzimeve materiale ranë me 0.3% krahasuar me një vit më parë. Çmimet më të ulëta të karburantit gjatë këtij viti kanë bërë që edhe kostot e transportit të bien me 0.6% ndaj tremujorit të dytë 2018.

Aktiviteti i ndërtimit të banesave po rritet në vitet e fundit, çka provohet nga ecuria e lejeve të ndërtimit. Në gjysmën e parë të këtij viti u dhanë 555 leje për ndërtesa të reja, ndërsa vitin e kaluar ishin dhënë pothuajse 1200 leje.

/ SCAN

Flash Lajme

Më të lexuarat