Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në prezantimin e projektit që kishte në fokus transformimin e ambienteve të Godinës së Arkivës Gjyqësore-Lundër ku mbahen dhe menaxhohen të gjitha dokumentacionet e rëndësishme të organeve të drejtësisë, tregoi se pse zgjodhi t’ja besojë implementimin e këtij projekt studentëve dhe pedagogeve të Universitetit Politeknik dhe jo kompanive kontraktuese, duke vënë theksin te vëmendja dhe rëndësia që duhet t’u jepet të rinjve.

Ky projekt është produkt i marrëveshjes së nënshkruar midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Universitetit Politeknik në bazë të dokumentit të Paktit për Universitetin si një nismë qeveritare. ”Të gjithë ne nuk kemi pasur kurrë dilema për t’ju besuar dhe ngarkuar me përgjegjësi ndihmuese dhe inspiruese në funksion të së nesërmes suaj profesionale dhe personale. Dhe vetë ky projekt, është një dëshmi suksesi për bashkëpunimin mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, i cili padyshim i shtohet si ogur “Paktit për Universitetin” i cili në muajin Janar nisi si mision, ndërsa sot është shndërruar në një realitet të prekshëm për të gjithë”.

Nga ana tjetër, ministrja Gjonaj tregoi edhe për rëndësinë që ka ky projekt në kuadër të plotësimit të të gjithë infrastrukturës së nevojshme që ka të bëjë me Reformën në Drejtësi.

”Ky projekt, i zbatuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i realizuar nga studentët dhe pedagogët e këtij universiteti, është një produkt mjaft i rëndësishëm për të gjithë ne pasi i shërben transformimit rrënjësor të ambienteve të Godinës së Arkivës Gjyqësore, Lundër në të cilën mbahen dhe menaxhohen dokumentacionet e rëndësishme të organeve të drejtësisë. Ju keni qenë vetë aty dhe e keni parë se çfarë kemi trashëguar dhe sa i rëndësishëm është ky investim për Institucionin e arkivës gjyqësore. Ndaj edhe kjo iniciativë konkrete është një tjetër element i rëndësishëm që vërteton vullnetin real dhe pozitiv që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për të plotësuar të gjithë infrastrukturën e nevojshme, e cila gjithashtu ka të bëjë me Reformën në Drejtësi për të cilën siç e dini ne jemi investuar maksimalisht, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian”.

Flash Lajme

Më të lexuarat