Është zbuluar pronari i vërtetë i jahtit luksoz “Atik Bey” që u gjet i braktisur pak ditë më parë rreth 12 milje larg bregut në Shëngjin.

Në fillim u mendua se bëhej fjalë për Sevgin Yavuz, por më vonë u konfirmua se jahti i përket shtetasit turk të quajtur Nedim Akyuz.

Emri dhe fotoja e Akyuz janë bërë publike në faqen zyrtare të kompanisë turke “Tur Marine” që i ka shitur subjektit në fjalë jahtin e llojit “kataraman”.

Pronari i jahtit besohet të ketë lundruar i vetëm nga Tivari në Malin e Zi për të përshkuar detin Adriatik.

Në ndalesën e tij në Budva, Akyuz madje ka bërë dhe disa foto dhe i ka publikuar në llogarinë e tij në Instagram.

Ndërkaq, në javën e fundit të gushtit, jahti rezulton të ketë lundruar në ujërat territoriale të Kroacisë, nga ku Akyuz ka postuar po ashtu një tjetër foto poshtë urës “KRKA”.

Aykuz është biznesmen në profesion në fushën e tekstileve dhe aktiviteti i tij sipërmarrës lokalizohet në Turqi.

Sa i përket shtetasit Sevgin Javuz, policia ka nisur kërkimet, në bashkëpunim me homologët e saj në Ankara si dhe me Interpol Tirana.

Flash Lajme

Më të lexuarat