Lindita Bushgjokaj

Pas apelit të ndërkombëtarëve drejtuar partive politike që të punojnë më shumë me reformën zgjedhore, si një provë për integrimin e vendit, kanë reaguar forcat politike, analistë dhe së fundmi edhe aktorët e shoqërisë civile.

Koalicioni i Vëzhguesve Vendore përmes një deklaratë për mediat, thotë se reforma zgjedhore është dështim i palëve me vullnet të plotë. “Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, ka shprehur shqetësimin dhe ka deklaruar në mënyrë permanente se realizimi dhe finalizimi me sukses i një Reformë Zgjedhore të thelluar e gjithë përfshirëse, e premtuar publikisht nga klasa politike në vend, ka dështuar plotësisht pikërisht me vullnetin e palëve politike. Për këtë arsye, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, rikujton se Kuvendi me vendim nr:102/2017 ngriti Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore , me qëllim hartimin e ndryshimeve të kuadrit ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të ODIHR-it për tre zgjedhjet e fundit 2013, 2015 , 2017”.

Gjithashtu, KVV i bën thirrje përfaqësuesve të partive politike dhe drejtuesve të Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore që të bëjnë transparente punën e arritur deri më tani, dhe të tregojë sesi do procedojë në vijim përmes grupit të ekspertëve. “Aktualisht Komisioni i Reformës Zgjedhore ka përfunduar afatin e veprimtarisë së tij më 21 Shkurt 2019. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në datën 3 Prill 2019 , ka miratuar vendimin nr 45 /2019 , për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr 102/2017, ” Për ngritjen e Komisionit të posaçëm Parlamentar “, për realizimin e Reformës Zgjedhore . Të sqarohet sa më shpejt për opinionin publik, cili dhe si do jetë përfaqësuesi i PD, me statusin e vëzhguesit në këtë komision. – Të prezantojë menjëherë grupin e ekspertëve të përfshirë si dhe të qartësojë në vazhdim si do procedohet me draft propozimin-projekt ligjin e dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”.

Mes shumë kritikash, KVV ka një thirrje edhe për drejtuesit e partive të mëdha në vend, që të përdorin instrumentet e duhur politik për të përfunduar me sukses dhe në kohë punën e reformës zgjedhore. “Veçanërisht, të dy krerët respektivë të mazhorancës z. Rama dhe opozitës z. Basha të përdorin të gjithë instrumentet e mekanizmat demokratike, duke kontribuar me përgjegjësi e maturi të plotë, për të orientuar drejtë frymën e bashkëpunimit e gjithëpërfshirjes të gjithë palëve e sa ne shumë aktorëve politikë në realizimin e Reformës Zgjedhore në kohën e duhur. Reforma zgjedhore është një ndër kushtet themelore që të hapen dhe negociatat në qershor 2019 për të qenë anëtarë të denjë në familjen europiane”, thuhet në deklaratë.

Flash Lajme

Më të lexuarat