Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka zhvilluar një interpelancë me gratë e dënuara nga IEVP-ja 325, ku është folur mbi projekt-ligjin për amnistinë.

Kushte lehtësuese pritet të ketë për gratë, ku mbi 50 për qind e tyre do të përfitojnë nga amnistia.

  Një ndër shqetësimet e grave në interpelancë ishte se çfarë do të ndodhë me to pasi të fitojnë lirinë. Deri më tani janë bërë pak politika sociale që kanë për synim punësimin e ish-të dënuarave dhe integrimin e tyre të plotë në shoqëri.

“Gratë në këtë amnisti do të jenë përfitueset kryesore duke e krahasuar me përqindjen e grave që ne kemi në Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Është përgatitur një studim nga stafi i Ministrisë së Drejtësisë duke marrë një për një të gjitha elementët ligjorë, kartelën e secilës së dënuar për të parë periudhën që i ka mbetur, kriteret të cilat ne do duhet t’i përfshijmë si kritere më lehtësuese për gratë dhe do të arrijmë në një konkluzion që gratë të cilave u ka mbetur nën 3 vjet dënim, do të përfshihen në amnisti. E dyta do të shikohet mundësia për të bërë një amnisti më të përgjithshme, një pyetje të cilën ju e keni bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe një kërkesë që ju e keni pasur në mënyrë të herëpashershme si me letra ashtu edhe me takimet e drejtpërdrejta. Pikërisht fakti që amnistia e përgjithshme pavarësisht kritereve ndaluese, apo atyre veprave që nuk janë lehtësuar në amnisti, ne po shikojmë mundësinë të përcaktojmë një shuarje të dënimit pavarësisht kritereve ndaluese të veprave penale për të cilat ju jeni dënuar”, u shpreh Gjonaj.

Sa i takon grave të dënuara që kanë fëmijë të mitur, ministrja tha: “Ne po shikojmë të gjitha mundësitë për t’i lehtësuar me qëllim që edhe nëse do të bëjnë pjesë të kritereve ndaluese të amnistisë, të kenë mundësi të përfitojnë nga shuarja e një kohe të dënimit në mënyrë që të bashkohet sa më shpejt me fëmijët dhe familjen. Padyshim një ndër kriteret e amnistisë është dhe mosha, ku gratë të cilat kanë mbushur moshën 55 vjeç do të kenë mundësinë të përfitojnë nga amnistia, po ashtu duke marrë si kriter dhe kohën e mbetur të dënimit nën 3 vjet, apo ato gra të cilat janë dënuar më pak sesa 3 vjet. Të gjithë këto kategori, do të jenë pjesë e propozimit të projektligjit për amnistinë. Unë jam e bindur që amnistia e përgjithshme është një fakt që ju gëzon shumë sepse ashtu siç kemi biseduar, një pjesë e juaja kanë kriteret ndaluese për shkak të veprave penale të cilat nuk janë amnistuar. Por unë dua edhe t’ju konfidoj dhe një diskutim të fundit që kam me stafin ku po shikojmë edhe mundësinë që mund të heqim kriterin ndalues për veprat penale të cilat nuk është kryer amnistia me qëllim që të jetë vetëm specifike për gratë të cilat vuajnë dënimin në institucion”.

Projekt-ligji i amnistisë është pothuajse i përfunduar dhe tashmë pritet të merret një miratim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Brendshme lidhur me kategorinë e grave apo të gjithë personave që ndodhen në institucione ekzekutimi të vendimeve penale, por që janë me statusin si të paraburgosur pasi nuk kanë ende një vendim të formës së prerë.

Amnistia pritet të miratohet në qeveri në fund të shtatorit dhe mandej do t’i kalojë Parlamentit, në mënyrë që festat e dhjetorit t’i gjejnë pranë familjes të dënuarat.

 

Flash Lajme

Më të lexuarat