Tërmeti që ra pasditen e së shtunën me qendër në Durrës dhe u ndje në Tiranë e disa rrethe të vendit, ishte test i rëndësishëm për ndërtuesit dhe tregoi që është punuar me përgjegjësi të madhe, pasi nuk patëm asnjë lloj problematike sa i përket konstruksionit të objekteve.

Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu, gjatë takimit që zhvilloi me përfaqësues të grupit të vlerësuesve të dëmeve të tërmetit në terren, tha se 91% e rasteve të objekteve të dëmtuara nga tërmeti nuk kanë pasur probleme konstruksioni.

Ekspertët e Institutit të Ndërtimit, janë angazhuar maksimalisht dhe në bashkërendim të punës edhe me përfaqësuesit e bashkive e njësive administrative do të kryejnë me saktësi programin e vlerësimit të detajuar për çdo dëmtim që ka shkaktuar tërmeti në objekte dhe banesa me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme, deri në rikuperimin e plotë të dëmtimit.

“Në bisedat që kam bërë me kolegët, ky test i kaloi ato të vitit 1978. U them të gjithë kolegëve që kanë punuar me ndershmëri, inxhinierët shqiptarë treguan që vërtetë janë në gjendje të projektojnë dhe të bëjnë ndërtime të mira. Kjo është diçka shumë domethënëse për ne si inxhinierë. Të gjithë strukturat kanë qëndruar dhe janë në këmbë dhe siguria është e qartë dhe e saktë. Nuk pa problematika”, tha ai.

Në total, në këtë proces janë angazhuar 47 inxhinierë nga sektori privat, 26 nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe të gjithë stafet inxhinierike të Institutit të Ndërtimit. Po ashtu, Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit i është kërkuar që të mbështesin procesin e nisur. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku u shpreh në këtë takim, se në procesin e vlerësimit të dëmeve nga tërmeti, do të angazhohen edhe studentë të fakultetit të linjës, në kuadër të Paktit me Universitetin që dikasteri i Infrastrukturës ka me Universitetin.

Flash Lajme

Më të lexuarat