FORUMI/ Diplomati Agim Nesho, Ben Andoni, Preç Zogaj, Arian Starova shprehen optimistë për votimin e Bundestagut, pasi Shqipëria udhëhiqet nga një qeveri e keqe dhe si e tillë vendimi mund të ishte një JO pa shpresë për Shqipërinë

Lindita Bushgjokaj

Pak më shumë se gjysma e deputetëve të Bundestagut gjerman votoi për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë. Në nëntë kushtet e vendosura, theksohet ai për rikthimin në funksion të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe reforma zgjedhore duhet të plotësohen para takimit hapës të negociatave, ndërsa tek 7 kushtet e tjera, Bundestagu i rezervon të drejtën e ndërprerjes së negociatave nëse vërehet mungesë vullneti në plotësimin e tyre. Vendimi i Bundestagut gjerman për analistët është një hap drejt zgjidhjes së krizës. Të pyetur nga “Shekulli”, analistët shprehen njëzëri, se reforma në drejtësi është një proces që mund të zgjasë dhe si e tillë vendimmarrja është e vështirë të merret në një kohë me Maqedoninë.

Pyetja:

Gjermania i tha PO Shqipërisë me 9 kushte, ndërsa Maqedonisë i dha një PO të madhe. A mendoni, se do t’i plotësojmë shpejt e shpejt këto 9 kushte dhe të ecim në një hap me Maqedoninë drejt Europës?

Agim Nesho: Vendimi i Bundestagut në favor të Shqipërisë!

Vendimi i Bundestagut gjerman ishte një vendim në favor të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Do të ishte katastrofike për të ardhmen e Shqipërisë nëqoftëse do të na thonin hapur që ju nuk e meritoni të jenin pjesë e BE-së. Dhe kjo si rezultat i një qeverie që dështoi në të gjitha drejtimet. Sot Shqipëria është kthyer në një shtet jodemokratik, me mungesë të plotë të funksionimit të institucioneve demokratike, në një regjim autoritar i cili ka prishur balancat e pushtetit, në një shtet ku korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë zbehur funksionimin e shtetit ligjor. Nëntë kushtet për Shqipërinë, janë kushte që Parlamenti Gjerman ja parashtron qeverisë gjermane në vendimmarrjen e saj të ardhshme lidhur me negociatat për Shqipërinë. Realizimi i tyre në thelb kërkon një ndryshim rrënjësor, një legjitimitet të ri të institucioneve shqiptare që mund të vijë nga vota e lirë e popullit shqiptar. Prandaj Parlamenti Gjerman kërkon urgjentisht ngritjen e organeve kryesore të drejtësisë, si: Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, si dhe reformën në sistemin zgjedhor. Të gjitha këto realizojnë atë që shërben si parakusht për tu ulur në tryezë dhe vendosur për hapjen e negociatave në të ardhmen. Maqedonia është një hap përpara dhe pritet që KE në tetor të vendosë datën për hapjen e negociatave. Vendimi i Bundestagut gjerman është një vendim i përgjegjshëm, jo vetëm në aspektin gjeopolitik dhe të ardhmes së Ballkanit, por dhe një kontribut në ruajtjen e sistemit demokratik dhe vlerave të përbashkëta europianë.

Ben Andoni: Problem i madh është zhbërja e sistemit!

Për Shqipërinë do jetë e vështirë t’i përmbushë cilësisht 9 kërkesat, por mund t’i realizojë të themi sa për protokoll. Duhet të ndajmë diçka: Maqedonia kishte detyrë më të lehtë. Ka vite që merret me një gjë: Problemin e emrit. Shqipëria ka nisur një proces të vështirë që lidhet me Drejtësinë dhe po përdoret si shembull në Ballkan. Që do të thotë: masat dhe realizimi i reformës do jenë shtampë për gjithë vendet e Ballkanit perëndimor. Ky është plusi, por dhe minusi sepse reforma nuk i përshtatet fare situatës shqiptare. Ndaj të huajt duke u kamufluar me kërkesat po i japin një dorë integrimit. Problemi i madh është zhbërja e sistemit dhe futja e të vegjëlve në sistem. Kjo do të ndihmojë zhvillimin e vendit nga ana demokratike, por edhe do të ndihmojë zbatimin deri diku të kërkesave.

Preç Zogaj: Kushtet janë zgjidhja e krizës!

Unë mendoj se kushtet adresojnë sfida imediate për Shqipërinë dhe nxisin për plotësimin e tyre. Duke qenë  se një pjesë e kushteve janë në proces plotësimi, besoj se brenda vitit gjashtë prej tyre, përfshirë SPAKU-n do të realizohen. Ndërkohë që ka dy kushte tjera që janë shumë specifike, sepse është betimi dhe hapja e proceseve gjyqësore për prokurorët dhe gjyqtarët që janë s’kualifikuar nga vetting-u dhe hetimi i dosjeve 339 dhe 184. Besoj se SPAK-u do të merret me përparësi me këto dy kërkesa. Sipas analizës që bëj unë, kushtet janë edhe zgjidhja e krizës. Demokracia në Shqipëri është një proces dhe deri sa të bëhen inventarët e plotë për në BE, do kemi dhe shumë më tepër kërkesa nga Brukseli për standardet e integrimit. Këto kushte, siç janë vendosur janë zgjidhja e krizës, janë edhe një parapritë për organet e reja të drejtësisë, për ngritjen e këtyre.

Arian Starova: Vendimi pozitiv, por politika shqiptare po e vonon integrimin!

Vendimi i Bundestagut Gjerman është ndihmë e madhe që i jepet Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ai e bën të qartë për të gjithë shqiptarët se është politika qeveritare dhe opozitare ajo që po e pengon dhe vonon Integrimin Europian me mosmarrëveshjet e tyre të pafund dhe hipokrite. Prandaj ky vendim është njëkohësisht edhe një shuplake për të gjithë politiken shqiptare. Prapa këtij vendimi, shqiptaret duhet të shohin dhe të kuptojnë se ka ardhur koha më në fund për një politike të re dhe me aktore të ndershëm politike. Kushtet e vëna për integrimin europian të Shqipërisë nuk mund të plotësohen nëpërmjet elitës politike hipokrite të deritanishme, sepse kjo elitë është pjesë e problemit.

Si u votua për Shqipërinë?

599 deputetë nga 709 që ka në total Parlamenti gjerman morën pjesë në votimin e fshehtë për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Nga këta, vendit tonë i dhanë “Po” në parim 395 prej tyre, 188 votuan kundër dhe 16 të tjerë abstenuan. Por si u ndanë grupet parlamentare të Bundestagut në këtë vendimmarrje? Grupit të CDU/CSU-së i rrodhën 6 deputetë nga qëndrimi zyrtar i hapjes së negociatave me 9 kushte, ndërsa nga socialdemokratët nuk pati asnjë votë kundër, por 127 pro dhe 25 abstenime. Ekstremistët e AfD-së, përveç një abstenimi dhe 14 mungesave në sallë, u radhitën që të gjithë kundër. Nga liberalët vetëm një votë u dha pro për Shqipërinë, ndërkohë që i njëjti grup u rreshtua në shumicë pro Maqedonisë. Asnjë votë pro nuk u dha as nga grupi Die Linke (E Majta), ndërsa Të Gjelbërit e mbështetën rezolutën e CDU/CSU-së, pavarësisht se amendamenti i tyre që 9 kushteve u mbivendoste tre kushte të tjera u refuzua. Katër deputetët e pavarur në Bundestag nuk dhanë asnjë votë pro dhe as kundër.

Flash Lajme

Më të lexuarat