Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj vizituan ambientet e Njësisë Speciale për Kapjen e Personave në Kërkim. Njësia u prezantua javën e kaluar në Poloni, me synim aderimin në Rrjetin ENFAST, që është rrjeti europian për kapjen e personave në kërkim.

”Jemi këtu së bashku me Drejtorin e Policisë Kriminale, në Njësinë Speciale për Kapjen e Personave në Kërkim. Është njësia më e re speciale pranë Policisë së Shtetit, për identifikimin, gjurmimin e vendndodhjes dhe kapjen e personave më të rrezikshëm. Kjo njësi përbëhet nga dy komponentë, komponenti i Inteligjencës, i cili ka për detyrë të mbledhë infromacionin, ka një pikë kontakti 24 orë në 7 ditë të javës dhe bashkëpunon intensivisht me agjensitë homologe në nivel europian; si dhe Njësia Operative e cila funksionon në shërbim të Njësisë Inteligjente, për bërjen të mundur të ekzekutimit të urdhrave të arrestimit të personave më të rrezikshëm, qofshin këta në kërkim kombëtar ose ndërkombëtar. Janë shumë mirë të trajnuar dhe plotësojnë gjithë kushtet e parametrat e nevojshëm për të funksionuar si homologë të denjë të Njësive në vendet e Bashkimit Europian”, tha zv.ministri Lamallari.

Qeveria së fundmi ka miratuar një plan të ri veprimi për luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit. Ajo çfarë synohet është që i gjithë ky angazhim për goditjen e krimit, të shkojë sipas kontekstit aktual politik që është vënia në zbatim paralelisht me Reformën në Drejtësi.

Çfarë do të përmirësojë ky plan i ri veprmi në luftën kundër krimit të organizuar? ”Përfshin rritjen e numrit të hetimeve proaktive, përdorimin e metodave speciale në luftën kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive të paligjshme kriminale. Dobësimin e pushtetit ekonomik të rrjeteve kriminale. Modernizmin e kapaciteteve të policisë shkencore. Rritjen e kapaciteteve dhe bërjen më efektive të strukturave kundër krimit ekonomik”. Nëpërmjet këtij plani të ri veprimi, do të bëhet i mundur edhe shkëmbimi automatik i të dhënave me 12 vende të ndryshme të bashkimit europian dhe Europës juglindore. Ky shkëmbim përfshin gjurmët e gishtave, të dhënat e automjeteve dhe profileve të ADN-së.

Flash Lajme

Më të lexuarat