Ministria e Shëndetësisë shpall procedurat e punësimit për mjekët e përgjithshëm dhe specialistë në institucionet shëndetësore. Afati i aplikimit deri më 5 tetor. Dosja që duhet të paraqitet, kushtet dhe kriteret

Enida Vërça

Ministria e Shëndetësisë ka shpallur procedurat e pranimit për mjekët e përgjithshëm dhe specialistë në institucionet shëndetësore, të cilat do të kryhen nëpërmjet platformës elektronike “Mjekët për Shqipërinë”. Dikasteri i ministrisë bën me dije se afati i aplikimit do të jetë deri në datën 5 tetor për të gjithë të interesuarit, të cilët aspirojnë të punësohen në një nga vendet vakante të shpallura. “Bazuar në Udhëzim nr. 499, datë 2.7.2019 “Për procedurat e pranimit dhe emërimit të mjekëve në institucionet shëndetësore publike në republikën e Shqipërisë nëpërmjet platformës elektronike”  Drejtoria Qendrore e Operatori të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor shpall konkurrimin e hapur për pozicionet vakant: Mjek familje/ të përgjithshëm dhe mjek specialistë në qendrat shëndetësore; Mjek specialistë në spitale”, bën me dije njoftimi.

Kushtet

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njofton se kandidatët e interesuar, duhet të plotësojnë disa kushte të cilat i kualifikojnë ata për t’u përzgjedhur në një nga institucionet publike të shëndetësisë. Në këtë mënyrë, është e nevojshme që kandidati duhet të kenë diplomën e mjekut, mjekët specialistë edhe diplomën e specialitetit, të lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë brenda apo jashtë shtetit, të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin. Një tjetër kusht është që kandidatët duhet të jenë të pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit. Po ashtu kërkohet që aplikantët të mos jenë në marrëdhënie pune me një institucion shëndetësor publik që ofron direkt shërbim shëndetësor (qendër shëndetësore/ spital).” Për Procedurat e Pranimit dhe emërimit të mjekëve në institucionet Shëndetësore Publike në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet platformës elektronike,  Kreu II, Pika 6 “Kandidati të cilët janë të punësuar në një institucion shëndetësor publik, nuk mund të konkurrojnë ndërmjet kësaj platforme, për ata do të zbatohen procedurat e lëvizjes paralele brenda NJVKSH “, saktëson njoftimi. Ndërkohë mësohet se për pozicionet mjek specialist në Qendrat Spitalore Universitare, kandidatët duhet të plotësojnë edhe disa  kriteret e veçanta, në varësi të institucionit ku ata kërkojnë të punësohen.

Dokumentet

Për procedurat e pranimit dhe emërimit të mjekëve në institucionet shëndetësore publike është e nevojshme që kandidatët duhet të ndjekin një procedurë në platformën online “Mjek për Shqipërinë”, duke i bashkangjitur edhe disa dokumente të përcaktuara nga ministria. Si fillim, kandidatët duhet të aplikojnë në platformën online sipas rajoneve për qendrat/spitalet përkatëse dhe më  pas të bashkëngjisin dokumentet. Kërkohet që aplikanti të paraqes: Jetëshkrimin e kandidatit ( CV); Librezën e punës; Diplomën universitare dhe listën e notave (e detyrueshme); (Për kandidatët që kanë studiuar jashtë vendit, diploma e tyre duhet të jetë e njohur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë); Diplomën e specializimit dhe listës së notave (e detyrueshme nëse pozicioni i punës është për mjek specialist); Lejen e ushtrimit të profesionit (e detyrueshme); Dëshmi të kualifikimeve shkencore (gradë ose titull akademik/shkencor); Diploma dhe dëshmi të tjera kualifikimesh që lidhen me fushën; Dëshmi të njohjes së gjuhës/ve të huaja (nga institucione të njohura nga ministria e arsimit). Më tej ministria sqaron se të gjitha atyre kandidatëve të cilëve do u mungojë një nga dokumentet e më sipërme, do të bëjë që të s’kualifikohen nga gara. “Mosplotësimi i kushteve dhe kritereve të mësipërme dhe mungesa e një prej dokumenteve të detyrueshme e s’kualifikojnë automatikisht kandidatin”, sqaron Ministria e Shëndetësisë.

Vlerësimi

Në vlerësimin e kandidatëve rol kryesor do të ketë diploma dhe përvoja në shëndetësi. Një tjetër kriter i cili i rrit mundësit për punësim është edhe zotërimi i gjuhës së huaj, kryesisht anglisht. Trajnimet dhe kualifikimet, pjesëmarrjet në konferenca shkencore të cilat lidhen me fushën, janë një tjetër kriter i cili do të vlerësohet nga Komisioni i Vlerësimit. Po ashtu, kandidatët do të zhvillojnë edhe një intervistë me gojë, e cila do të fokusohet mbi njohuritë për organizimin e sistemit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë dhe Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 50 pikë, përkatësisht. Maksimumi i pikëve për dosjen e aplikantëve do të jetë 45, ndërkohë 5 pikë është menduar të vlerësohet intervista me gojë, e cila do të përmbajë njohuri të përgjithshme të cilët kandidatët i kanë hasur gjatë këtij profesioni.

Shpallja

Shpallja e pikëve të dosjes për çdo kandidatë do të bëhet nga Komisioni i Vlerësimit i cili i njofton ata për rezultatin nëpërmjet adresës së tyre me e-mail. Të gjithë ata kandidatë të cilët nuk janë të kënaqur me pikët e grumbulluara, kanë të drejtën e ankimimit, në një afat kohor prej dy ditësh, nga momenti i njoftimit nga komisioni i vlerësimit. Ankesat do të bëhen përmes portalit “Mjekë për Shqipërinë” në adresën e kontaktit në këtë faqe. Pas këtij procesi, Komisioni i Vlerësimit njofton kandidatët për intervistën me gojën. Dy ditë pas kësaj interviste, kandidatët do të njihen me rezultatin përfundimtar, të pikëve të grumbulluara. Pas përfundimit të afateve të ankimimit dhe shqyrtimit të ankesave, Komisioni i Vlerësimit shpall renditjen e kandidatëve në portalin “Mjekë për Shqipërinë” dhe dërgon emrat e fituesve/fituesin pranë Drejtorisë Rajonale të OSHKSH ose institucioneve qendrore shëndetësore.

Agjencia e Barnave tërheq nga tregu barin Ranitidinë

Tri ditë pas një njoftimi në faqen e ueb-it dhe ‘Facebook’, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Nervina Sinani në një deklaratë për mediat foli ditën e djeshme për për ilaçin me përmbajtje kancerogjene, Ranitidinën. Ajo tha se janë marrë masa shtesë për parandalimin e mundshëm të medikamentit dhe kërkoi tërheqjen nga tregu të të gjitha prodhimeve me përmbajtje të “Ranitidinës” aktive. Gjithashtu, në deklaratën e saj drejtoresha e Agjencisë së Barnave ka shtuar se kërkon nga të gjitha institucionet shëndetësore që të mos e përdorin këtë medikament gjatë trajtimeve dhe distributorët farmaceutikë ta tërheqin menjëherë nga tregu. “Në të njëjtën kohë Agjencia ka nisur kontrollet e menjëhershme tek subjektet farmaceutike si dhe farmacitë e rrjetit të hapur për zbatimin e këtij njoftimi. Në rast konstatimi të tregtimit të këtij bari, ndaj subjekteve do të merren masa sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë,” thuhet më tej në njoftimin e Agjencisë. Ditët e fundit Fondacioni Amerikan i Ilaçeve dhe Ushqimeve dhe Agjencia Europiane e Barnave, njoftuan se “Ranitidina” ka një përbërës kancerogjen dhe nuk duhet përdorur nga pacientet për dhimbjet e stomakut. Kujtojmë që tre ditë më parë, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore njoftoi profesionistët e shëndetit dhe pacientët për një shtim efekti anësor të rëndësishëm në barin me lëndë aktive “Ranitidinë”. Në faqen zyrtare të Administratës Amerikane për Barna dhe Ushqime (FDA-Food and Drug Administration) si dhe të Agjencisë Evropianë të Barnave (EMA- European Medicines Agency) është publikuar njoftimi lidhur me përmbajtjen e lëndës N-Nitrosodimetlamine (NDMA), papastërti e gjendur në barna me lëndë aktive “Ranitidine” duke përfshirë këtu edhe barin “Zantac”. “NDMA” është një lëndë që klasifikohet si kancerogjene, bazuar në disa teste laboratorike të kryera. Njoftimi është bërë edhe për Urdhrin e Farmacistit të Shqipërisë si dhe Urdhrin e Mjekut në mënyrë që për barin e rekomanduar apo përshkruar të jepet informacion për efektet anësore që mund të shfaqen tek pacienti.

Flash Lajme

Më të lexuarat