Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka folur në një lidhje telefonike për “News 24” lidhur me zgjedhjet që po zhvillohen sot në vendin fqinj.

Ish-kryediplomati Lauka renditi disa nga sfidat kryesore që do të ketë qeveria e re, që do dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më e rëndësishmja e të cilave është dialogu me Serbinë.

“Dialogu me Serbinë është një gjë e rëndësishme dhe një sfidë më vete. Duhen zgjidhur problematikat që vlojnë brenda Kosovës, pasi në të kundërt nuk mund të ketë sukses të politikës së jashtme. Sfidat e brendshme të Kosovës janë jetike. Sfida numër një e qeverisë së re është që Kosovën ta bëjnë të banueshme, që qytetarët të mos e braktisin. Njerëzit të mos kërkojnë rrugë për t’u larguar”, tha ish-ambasadori.

Pjesë nga intervista

Po për taksën …?
Tarifa 100% ndaj mallrave serbe nuk duhet të hiqet. Heqja e tarifës duhet të jetë me kushte, pra heq tarifën, por duhet të kalojmë në reciprocitet.

Kandidatët potencialë, kë veçoni?

Ka vite që kërkoj ndryshim dhe këtë ndryshim e shoh te të rinjtë. Në këtë rast, të rinjtë janë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Ju bëj thirrje që pas zgjedhjeve të lënë mënjan interesat e ngushta vetjake dhe të shohin interesat e Kosovës. Ata duhet t’i thërrasin mendjes dhe ndryshimet të ndodhin shumë shpejt.

Shkëmbimi i territoreve …

Unë e kam kritikuar këtë tezë dhe vazhdoj të jem totalisht kundër. Kjo tezë është goditur, sidomos pas takimit të Berlinit. Jam kundër çdo mendimi që për të na njohur Serbia, duhet të japim territor. Nëse ndodh një gjë e tillë, Kosova futet në një rrugë pa krye dhe është e humbur.

Flash Lajme

Më të lexuarat