Policia arrestoi si autor të dyshuar kushëririn 26-vjeçar. Shkak për vrasjen e Lazer Arrajt, dyshohet të jenë bërë konfliktet e mëparshme familjare që mund të ketë patur me autorin e dyshuar, apo familjen e tij

 Diamila Leka

Ekzekutimi i 55-vjeçarit, Lazër Arraj (Pjetrushi) i cili u krye mesditën e së hënës është zbardhur nga Policia e Shkodrës. Në një njoftim për media, policia bën të ditur se ka arrestuar autorin e dyshuar. Viktima (Pjetrushi) dyshohet se është vrarë nga djali i xhaxhait të tij. Në pranga mësohet se është vënë shtetasi me inicialet M.A., 26 vjeç. Sipas policisë, shkak për vrasjen e 55-vjeçarit dyshohet të jenë bërë konfliktet e mëparshme familjare që mund të ketë patur me autorin e dyshuar, apo familjen e tij. “Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur dje, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi L. A.Arrestohet autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje. Nga strukturat e D. V. P. Shkodër nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë një pune intensive hetimore dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative është bërë dokumentimi ligjor dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit M. A., 26 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, Shkodër. Arrestimi i tij u bë pasi dje më datë 21.10.2019 dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin L. A., në fshatin Palaj, Njësia Administrative Shosh, Shkodër. Kjo ngjarje dyshohet të ketë ndodhur për konflikte të mëparshme mes familjeve. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Hetimet
Për dokumentimin e plotë të ngjarjes, burimet e policisë thonë se po kryen hetime edhe në një tjetër pistë. Dyshohet se 55-vjeçari mund të jetë përfshirë në ndonjë konflikt për çështje të drogës. Ky dyshim është hedhur për shkak të vendit ku ndodhi ngjarja. Theksojmë se Lazër Arraj u qëllua për vdekje në një zonë të pabanuar dhe të largët. Ngjarja në fjalë ndodhi dje në fshatin Shosh të Dukagjinit. Për vrasjen e 55-vjeçarit është arrestuar 26-vjeçari Marash Arraj, banues në fshatin Shto i Ri, Shkodër, i cili është kushëriri i viktimës. Ndërkohë, gjatë orëve të paradites së djeshme policia shoqëroi dhe babanë e vëllanë e autorit, pasi dyshohet se mund të kenë marrë pjesë në vrasjen e 55-vjeçarit. Ky i fundit, kishte shkuar në fshat për të mbledhur ushqimet e dimrit, por është ekzekutuar me armë zjarri. Ai është qëlluar për vdekje, teksa ka qenë duke transportuar me kuaj disa produkte ushqimore nga arat e fshatit drejt rrugës kryesore të makinave. Kujtojmë se pak kohë më parë, Policia ka sekuestruar në fshatin Palaj rreth 1000 rrënjë kanabisi. Aktualisht policia po heton ne lidhje me zbardhjen e konfliktit që i mori jetën 55-vjeçarit.

Ngjarja
Mësohet se viktima, LazërArraj, 55 vjeç, kishte dalë me dy kuaj për të marrë ushqimet e dimrit për familjen, kryesisht qepë dhe patate në fshatin e origjinës. Duke qenë se fshati i lindjes ku dhe kishte marrë zahiretë e dimrit është larg, ai kishte dalë në rrugën kryesore me kafshët, të cilat u gjetën të ngarkuara me ushqime. Ndërkohë Arraju gjet i larë në gjak në rrugë, nga të afërmit e tij, dy nipërit. Ekzekutimi i 55-vjeçarit rezulton se është kryer me breshëri automatiku, duke bërë që viktima të gjejë vdekjen në vend, pa mundur të dilte në rrugën kryesore, prej nga me makina të rastit do të çonte ushqimet drejt banesës së tij. Dy kuajt me të cilët ai po bënte transportin e zahireve, mësohet se i kishte marrë tek të afërmit e tij. LazërArraj, kishte vënë në dijeni nipërit e tij që të shkonin e të merrnin kuajt pas transportit që ai bëri deri në rrugën kryesore të fshatit, aty ku edhe do të priste furgonët e linjës. Kur dy nipërit e 55-vjeçarit kanë zbritur në rrugën kryesore të fshatit, kanë parë xhaxhanë e tyre të larë në gjak. Ndaj Arrajt, dyshohet se është qëlluar me breshëri automatiku, ndërsa trupi i tij është gjetur pranë kuajve që ishin të ngarkuar me zahire. Menjëherë, dy nipërit identiteti i të cilëve nuk dihet, kanë lajmëruar policinë për ngjarjen, ndërsa kanë transportuar në spital 55-vjeçarin. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe një grup hetimor, i cili mblodhi provat në vendin e ngjarjes. Burimet thanë se janë marrë në cilësinë e provës materiale disa gëzhoja, ndërsa dy prej tyre kanë prekur trupin e viktimës. Plagët kanë qenë të rënda, çka kanë shkaktuar edhe vdekjen e 55-vjeçarit.

Dëshmitarët

Ndërkohë, dy dëshmitarët e vetëm që janë marrë në pyetje lidhur me këtë ngjarje, janë dy nipërit e viktimës. Ata janë shprehur para grupit hetimor, sepse xhaxhanë e kanë gjetur të pajetë teksa priste furgonin në rrugë kryesore. Mësohet se dëshmia e dhënë prej tyre ka çuar policinë në zbardhje e menjëhershme të ngjarjes. Nipat e viktimës kanë qenë ata që kanë treguar mbi konfliktet që kishin familjet në fjalë. Po ashtu, janë marrë dëshmitë edhe të bashkëshortes dhe fëmijëve të viktimës të cilët gjithashtu kanë pohuar mbi konfliktet që mund të ketëpatur 55-vjeçari. LazërArraj, i njohur në zonë edhe me mbiemrin Pjetrushi, u gjet i vrarë me armë zjarri mesditën e të hënës në fshatin Palaj të njësisë administrative të Shoshit në Dukagjin.Dy herë është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij ndërsa po largohej nga fshati për t’u kthyer në Shkodër, aty ku jetonte prej vitesh me familjen e tij.Viktima kishte shkuar në malësinë e Dukagjinit si çdo prag dimri, për të marrë prodhimet e fundit që i shërbejnë për muajt e ftohtë të vitit, por nuk arriti të kthehej i gjallë në shtëpi

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All