Foto ilustruese

Aksidentet rrugore me pasojë vdekje vijojnë të mos njohin ulje, pavarësisht ashpërsimit të ligjeve dhe gjobave. Sipas statistikave të institucioneve, vetëm gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, si pasojë e aksidenteve kanë humbur jetën 157 persona.

Ndërkohë, në dy muajt e fundit kanë humbur jetën 39 persona, 20 prej të cilëve vetëm në muajin Shtator 2019.

Vetëm mbrëmjen e djeshme, në autostradën Tiranë-Durrës ndodhën 3 aksidente me një të vdekur. Ndërkohë, sot policia njoftoi nisjen e një aksioni të ri kundër shkelësve të qarkullimit rrugorë. Në aksion janë përdorur jo vetëm patrullat e policisë rrugore, por edhe agjentë civilë.

Vetëm për parakalime të gabuara në të gjitha akset rrugore të vendit policia ka vendosur 432 gjoba. Nisur nga aksidentet e fundit, policia fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të qarkullimit rrugor në numrin 112 e në Komisariatin Dixhital çdo shkelje të Kodit Rrugor.

Shkaku kryesor i aksidenteve në Shqipëri vlerësohet shpejtësia dhe mos respektimi i sinjalistikës rrugore dhe përdorimi i celularit në timon. Edhe pse ligjet për qarkullimin e mjeteve janë ashpërsuar, sërish niveli i viktimave dhe aksidenteve mbetet i lartë, në krahasim me vendet e tjera në rajon.

Sipas ekspertëve, problem nuk janë vetëm gabimet e drejtuesve të mjeteve, por edhe shkelja ose mosnjohja e rregullave të qarkullimit nga këmbësorët që presin rrugën jashtë vijave të bardha.

Flash Lajme

Më të lexuarat