Takimi/ Rama i ka kërkuar kryeministrit grek heqjen ligjit të luftës dhe njohjen e patentave.  Diskutohen edhe çështjet e hapura, si marrëveshja e detit e pronat e minoritetit.

Në fokus të bisedës dhe vrasja e Katcifas, një vit më parë në Bularat

Erjon Dervishi

Kryeministri Edi Rama dhe ai grek, Kyriakos Mitsotakis, kanë zhvilluar dje një takim rreth 55 minuta mes tyre. Gjatë takimit mësohet se është folur për çështjen e minoritetit grek, vrasjen e Katcifas, si dhe me një mundësi vizite të kryeministrit grek në Shqipëri. Përpos pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar për Dialog Ekonomik dhe Politik, dyshja politike Edi Rama-Kyriakos Mitsotakis iu bashkua një takimi në selinë e kryeministrit grek; një takim ky që zgjati rreth 55 minuta. Dy liderët raportohet se kanë diskutuar disa çështje të rëndësishme, si marrëveshja për detin, apo dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, apo dhe qëndrimi i shtetit helen për çeljen e negociatave. Sipas raporteve, pala greke ka shprehur mbështetje për marrëveshjet e arritura deri më tani dhe implementim e tyre. Mitsotakis ka kërkuar të njihet me çështjen e pronave në Himarë dhe progresin për respektimin e minoritetit grek. Ai ka shprehur vullnetin për një vizitë në Shqipëri për të parë nga afër edhe zonat e minoritetit. Kryeministri Rama raportohet se i ka kërkuar Mitsotakis heqjen ligjit të luftës dhe njohjen e patentave. Po ashtu ai i ka kërkuar Greqisë të jetë më aktive në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të marrë një rol udhëheqës.

Rama: Një person që mban armë është i rrezikshëm

Rama ka dhënë një intervistë për mediat greke ku ka folur për çështjet kryesore mes dy vendeve, siç është edhe çështja e detit. I pyetur për çështjen e kufijve detarë dhe se ku po zhvillohen negociatat aktualisht, kryeministri shqiptar iu referua përparimit të rëndësishëm të bërë në negociatat me qeverinë e mëparshme Greke, ndërsa shprehu gjithashtu shpresë për një konsensus. “Ne kemi punuar për qeverinë e mëparshme për ca kohë dhe kemi bërë përparim të rëndësishëm dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me qeverinë e re, duke shpresuar se do të gjendet një zgjidhje konsensuale”, tha Rama. Ndërsa, duke u ndalur te minoriteti grek, kreu i qeverisë u shpreh për gazetaren e “Euronews”, Semela Tuchtidou, se Shqipëria është shembull respekti për pakicat. “Shqipëria është një shembull i ndritshëm i respektit për të gjitha pakicat dhe për grekët, të cilët kanë jetuar atje për shumë vite, në të njëjtat kushte si shqiptarët. Po, kur ka probleme, ato janë të njëjta për të gjithë, jo për një pakicë apo tjetrën.

Pra, këto janë marrëzi. Për sa i përket ligjit, ne kemi punuar për një kohë të gjatë për të zgjidhur çështjet e pronave, shumë të komplikuara pas rënies së komunizmit, kur regjimi që lejonte asnjë pronë të rrëzohej dhe shumë gjëra shkuan keq. “Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është thjesht të riformulojmë disa nga legjislacionin ekzistues për të mirën e të gjithëve, dhe të luftojmë një sistem korrupsioni që derdh – mund të themi – gjakun e njerëzve për pronat e tyre. Por nuk ka të bëjë vetëm me pakicën Greke, por të gjithë”, u shpreh Rama. Gjithashtu Rama foli edhe për vrasjen e minoritarit Kostandinos Kacifas, të cilin e quajti të rrezikshëm. “Kam besuar se dikush që drejton botën duke mbajtur një armë dhe duke kërcënuar jetën e njerëzve është i rrezikshëm”, tha kreu i qeverisë, ndërsa për një konflikt të mundshëm mes dy vendeve i nxitur nga vdekja e Kacifas, Rama tha se nuk ndodh. “Unë nuk mendoj kështu. Përkundrazi, besoj se historia e dy komuniteteve tregon që nëse politika nuk ndërhyn ose agjendat e ndryshme politike, ato janë një. Prandaj nuk ka ndarje apo urrejtje në zemrat e komuniteteve ku shqiptarët dhe grekët kanë jetuar së bashku për shumë vite. Ata janë një shembull i shkëlqyeshëm se si politika duhet të merret me faktin se ne jemi fqinjë dhe sa “të mallkuar” jemi për të jetuar së bashku dhe ta duam njëri-tjetrin. Kështu që nuk mendoj kështu.

Nëse politika “nuk i fut hundët” në interesat e brendshme dhe përpiqet të fitojë mbështetje duke ushqyer urrejtje, asgjë e keqe nuk mund të ndodhë”. Kryeministri Edi Rama shoqërohej nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe Këshilltari Endri Fuga, ndërsa Kryeministri grek, Mitsotakis shoqërohej nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të tij. Rama ndodhet në kryeqytetin greke për të marrë pjesë në punimet dyditore të samitit mes vendeve të Bashkimit Europian me vendet e Ligës Arabe. Duhet të theksojmë se misioni i Ramës në Athinë është më vështirë se ai i Zaev i cili dje ishte në Itali. Ndryshe nga Italia, Greqia ka mbajtur një qëndrim më skeptik për negociatat. Kjo u vu re edhe gjatë votimit të një rezolute për nisjen e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranë në Parlamentin Europian disa ditë më parë, kur të gjithë eurodeputetët e Demokracisë së Re abstenuan. Takimi mes Ramës dhe Mitsotakis është parashikuar që të mbahet në orën 12:30 , kur dy kryeministrat pritet të diskutojnë edhe për Marrëveshjen e detit edhe qëndrimi i Mitsotakis në lidhje me mbështetjen që Greqia do t’i ofrojë Shqipërisë për hapjen e negociatave. Mediat greke shkruajnë se Athina pritet të kërkojë në këmbim të mbështetjes për negociatat mbrojtjen e interesave të minoritetit grek në Shqipëri. Kyriakos Mitsotakis ka kritikuar disa herë radhazi qeverinë shqiptare për çështjen e minoritetit grek, një temë që e hapi vazhdimisht edhe gjatë fushatës zgjedhore, duke akuzuar Tiranën zyrtare se po shkelte drejtat e pakicës greke në vend. “Duke mos rrezikuar as më të voglin destabilizim në rajon, do të ndjekim me vëmendje fqinjët tanë se si do të përgjigjen ndaj detyrimeve të tyre. Ashtu si me të gjithë, edhe me Shqipërinë kërkojmë marrëdhënie të mira fqinjësore.

Flash Lajme

Më të lexuarat