Redjan Rraja u kap teksa tentonte të arratisej. Iu gjetën gjurmët e gishtave në makinës së përdorur. Stomatologu i përfshirë në prishjen e provave në vrasjen e Elton Çicos si edhe në dosjen ‘Xhisiela’

Diamila Leka

Policia ka vënë në pranga një nga autorët e dyshuar të atentatit të prokurorit të Durrësit Arian Ndoja. Pas katër ditëve të atentatit, burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se kanë vënë në pranga autorin e dyshuar që mund të ketë qëlluar ndaj makinës së prokurorit. Në pranga ka rënë 34-vjeçari Redjan Rraja, kushëriri i deputetit socialist Rrahman Rraja. Duke iu referuar hetimeve të deritanishme, faktohet se shënjestër e atentatit ishte prokurori. Prova mjaftë e forta, që vunë në pranga 34-vjeçarin ishin gjurmët e gishtave të gjetura në makinën e braktisur të autorëve “Mercedez Benz” me targë AA 341 LM, theksojmë që nuk u dogj. Shenjat e gjurmëve të gishtave kanë çuar në identifikimin dhe zbulimin e Redjan Rrajës, i cili është arrestuar në Shkodër, në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi, mbrëmjen e së dielës. Ndërkohë, burimet bëjnë të ditur se Rraja ka mohuar të ketë lidhje me atentatin, megjithëse prova në duar të hetuesve është mjaftë e fortë dhe e përfshin 34-vjeçarin si një nga personat që ka qëlluar me breshëri automatiku ndaj makinës së prokurorit Ndoja. “Për dokumentimin ligjor të këtij procedimi penal në lidhje me autorët e mundshëm të kryerjes së kësaj ngjarje të rëndë kriminale, me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e provave materiale që lidhen me autorët e kryerjes së kësaj ngjarjeje, iu kërkua Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda lejimi i kontrollit të banesave të 11 shtetasve me banim në Krujë dhe të katër shtetasve me banim në Tiranë dhe në Lushnjë. Si rezultat i këtyre kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale që dyshohet se kanë lidhje me autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje. Provat e sekuestruara po i nënshtrohen një analize të hollësishme nga grupi hetimor dhe një pjesë e tyre u dërguan në Laboratorin Shkencor për egzamiminm të mëtejshëm.”, njofton policia. Ndërkaq, në momentin e arrestimit, mësohet se Rraja është shprehur se pse po e ndalonin ndërsa ka vijuar të mohojë të ketë pjesë në këtë ngjarje. Në pistat e hetimit ndaj atentatit të prokurorit, rezulton deri më tani ajo e një atentati me pagesë ku sipas hetuesve nuk ka asnjë konflikt të dokumentuar mes Redjan Rrajës dhe prokurorit Arian Ndoja apo edhe Landi Muharremit, megjithëse ende nuk janë rezultate përfundimtare. Redjan Rraja njihet edhe me pseudonimin “Dara” pasi sipas hetuesve ai në çdo veprimtari kriminale është gjakftohtë dhe i saktë. Rraja, sipas hetuesve është ndihmuar edhe nga tre bashkëpunëtorë të cilët po verifikohen. Bashkë me maskat, në makinën që autorët nuk mundën dot të digjnin pasi e braktisën, policia gjeti edhe dy armët automatike, pra dyshimet janë që të kenë qenë dy personat që lëshuan breshërinë ndaj makinës në ecje “Mercedez Benz” (që rezulton në pronësi të Fadil Çallikut) dhe që drejtonte shoferi i prokurorit, Andi Maloku, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës.

Sekuestrimi

Sipas burimeve të policisë, bëhet e ditur se Redjan Rraja është arrestuar në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Arrestimi i tij është bërë në pikën kufitare të Muriqanit. Ndërsa, policia ka sekuestruar edhe dy telefona celularë të cilat nuk janë zhbllokuar ende nga grupi hetimor, por cilësohen si provë kyçe që mund të çojë në zbardhjen e kontakteve me persona të përfshirë në këtë ngjarje por jo vetëm, përmes tyre mund të ndiqet edhe itinerari i lëvizjeve të tij. 34-vjeçari nga Nikla e Fushë-Krujës, i arrestuar tre netë më parë si një nga autorët e dyshuar në atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arian Ndoja, ka punuar edhe në burgun e Fushë-Krujës. Rraja, i cili është me profesion stomatolog, ka një klinikë dentare së bashku me bashkëshorten e tij, gjithashtu stomatologe në qytetin e Krujës, por nga viti 2014, ai ka punuar stomatolog edhe në institucionin e vuajtjes së dënimit në Fushë-Krujë. Rraja ka qenë dentist në dhomën e stomatologjisë ku kryhen shërbimet dentare për çdo të dënuar. Emri i tij është lakuar dhe në dosjen e dhunimit të Xhisiela Malokut nga kushëriri i tij Rexhep Rraja (djali i deputetit Rrahman Rraja). Gjithashtu ai ka qenë i pranishëm në tavolinë me Elton Çiçon, me të cilin kishte lidhje familjare, në momentin kur Çiço u ekzekutua në atentat në një lokal në zonën e ish-bllokut në Tiranë më 1 maj 2016. Asokohe Rraja u akuzua se prishi provat duke penguar zbardhjen e së vërtetës ndërsa pas disa orëve ndalimin rifitoi lirinë. Rraja u arrestua pas kontrolleve të shumta që RENEA dhe Policia e Durrësit nisën me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, në 15 banesa në Krujë, Tiranë dhe Lushnje. Deri më tani janë shoqëruar 14 persona të cilët pasi janë marrë në pyetje janë lënë sërish të lirë. Sipas policisë, si rezultat i këtyre kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale që dyshohet se kanë lidhje me autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje. Pas breshërisë së tetë plumbave makina e prokurorit doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private, një ‘Benz CLS’ që dyshohet se ishin të shoqëruesit e Landi Muharremit.


Deklarata e prokurorit Ndoj
Prokurori Arian Ndoja ka deklaruar se nuk ka bërë asnjë veprim në kundërshtim me ligjin dhe se nuk e ka pritur këtë që ka ndodhur. “Nuk jam ndjerë asnjëherë i kërcënuar, ndryshe do të kisha marrë masa të mbrohem. Çdo gjë kisha pritur, vetëm këtë jo. Kisha menduar që mund të më çonin në prokurori, duke më ngritur akuza, por jo deri tek arma. Unë nuk i trembem askujt. Asgjë nuk kam bërë në kundërshtim me ligjin dhe nuk jam shoqëruar kurrë me kriminelë. Sa i përket dokumenteve të gjetura në bagazhin e makinës së tij ai është shprehur se ato janë shkresa, dokumente dhe fotokopje të dosjeve për të cilat ai ka ofruar konsulencë ligjore. “Unë prej kohësh drejtoj një studio ligjore, ku ofroj dhe konsulencë ligjore për çështje të ndryshme. Ndër to janë disa çështje që lidhen me pronat, por edhe çështje penale për të cilat unë jam njohës dhe sugjerues. Shpresoj që prokuroria të tregohet objektive në hetim, pasi këto janë gjëra të ditura dhe unë nuk kam shkelur asnjë ligj apo të drejtë”, tha Ndoja.

Reagime

Rexhep Rraja: Jemi të afërm, policia të japë dënim

Deputeti i Partisë Socialiste Rrahman Rraja, ka reaguar në lidhje me arrestimin e të afërmit të tij si autor i dyshuar në atentatin e prokurorit Ndoja. Deputeti Rraja pohon se nuk është nipi i tij, por një kushëri i largët ndërsa është shpjeguar se me babain e Redjanit është kushëri i dytë, ndërsa personin e arrestuar është kushëri i tretë. Ndër të tjera tha se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se ai kërkon që personat në fjalë të marrin ndëshkimin maksimal. “Është një ngjarje shumë e rëndë, për mua pak rëndësi ka kush mund të jetë ai person, por policia tani i ka të gjithë të drejtat e veta për të vendosur drejtësi. Duhet të marrë dënim maksimal. Babai im, Rexhepi, me gjyshin e Redjanit, janë vëllezër për babe. Pra, i bie më shumë se brez i tretë, por unë dënoj veprimin, por jo se çfarë brezi jam unë. Me mbiemrin Rraja ka më duket edhe në Berat e Lushnjë, megjithatë, ne kemi lidhje gjaku, por jemi me mbi 150 persona me këtë mbiemër në Nikël.”, është shprehur deputeti Rraja.

Basha: Autori, pjesë e bandave të pushtetit

“Vendi është në depresion”, është shprehur lideri i opozitës Lulzim Basha në lidhje me atentatin e prokurorit Ndoja. Lidhur me arrestimin e Redjan rrajës, basha është shprehur se  ai nuk është i panjohur por është pjesë e bandave të pushtetit, teksa shtoi se sulmi është një ‘atentat mafioz’. Basha e cilësoi një lajm të rëndë që nuk i bën mirë gjendjes se depresionit ku sipas tij ndodhet vendi. “Siç e keni ndjekur sot ka pasur një tjetër skandal, disa skandale por njëri që vazhdon e vazhdon është zbuluar siç thamë edhe para 4 ditësh është zbuluar një nga autorët që besohet se ka qenë pjesë e atentatit mafioz dhe nuk është askush i panjohur, është pjesë e pushtetit, pjesë e bandave të pushtetit. E gjitha është luftë bandash, bandat në pushtet që luftojnë me njëra-tjetrën për të grabitur më shumë. Natyrisht ky është një lajm i rëndë, i cili nuk i bën aspak mirë gjendjes së vendit që është një gjendje e depresuar, depresioni psikologjik, social, mbi të gjitha ekonomik”, deklaroi kreu i PD. Basha tha se e sheh shpresën dhe rrugëdaljen nga kriza në të cilën ndodhet vendi tek sytë e të rinjve, duke i quajtur madje faktorë.

Dentisti që shfaqet në skema të bujshme krimi

Emri i Redjan Rrajës është lakuar edhe në rastin e Xhisiela Malokut teksa përmendet nga ish-oficeri i Policisë, Emiliano Nuhu si një prej personave që e kanë kërcënuar. Ndërkohë, një tjetër rast është ekzekutimi i bujshëm në mes të ish-Blloku i Elton Çiços. Emri i tij përmendet në dëshminë e ish-specialistit të hetimit të krimit në Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu, në rastin e bujshëm të Xhisiela Malokut. Kjo e fundit fillimisht akuzoi dhe më pas u tërhoq nga akuzat për dhunë djalin e deputetit Rrahman Rraja, Rexhepin. Sipas dosjes hetimore për këtë rast, më 30 korrik 2018, Emiljano Nuhu denoncon në Komisariatin nr.6 në Tiranë se është kërcënuar nga Redjan dhe Ramazan Rraja, nipër të deputetit të PS Rrahman Rraja. Në procesverbalin e mbajtur Nuhu jep detaje në polici në lidhje me bisedën e bërë në një lokal në Tiranë me dy personat e kallëzuar prej tij. “Unë jam Emiljano Nuhu, specialist i hetimit të krimit në Fushë-Krujë. Në datë 27 korrik 2018 jam thirrur nga prokurori i çështjes Mirela Kapo ku më ka deleguar dosjen për hetim. Ajo mu drejtua: Po ta dërgoj ty këtë dosje se bëhet fjalë për shtetasin Rexhep Rraja, i cili është djali i deputetit të Krujës, Rrahman Rraja”, nis dëshminë e tij, Emiljano Nuhu. Më 30 korrik 2018, Nuhu thotë se thirri për të rimarrë në pyetje Xhisiela Malokun në lidhje me procedimin penal të hapur ndaj Rexhep Rrajës, djalit të xhaxhait të Redjan Rrajës. Ish-oficeri i policisë thotë se seanca e marrjes në pyetje ka zgjatur rreth 2 orë dhe më pas ai ka lënë komisariatin për në drejtim të Tiranës. Këtu thotë se është kontaktuar përmes Whats App-it nga Redjan Rraja.

Biseda sipas denoncimit të bërë nga Emiljano Nuhu:

Jam Redjan Rraja. Ti ishe sot që more në pyetje Xhisiela Malokun?

Emiljano Nuhu: Po unë isha.

Redjan Rraja: Çfarë ke me ne që po krruan kurrizin?

Emiljano Nuhu: Nuk kam asgjë po bëj punën e shtetit.

Redjan Rraja: Ku je të vij të të takoj pak nga afër.

Nuhu thotë se pranoi të takohej me Redjan Rrajën në një lokal në zonën e Unazës së Re në Tiranë.
“Më erdhën me makinë të zezë. Të tre u ulëm në tavolinë. Ata m’u prezantuan si Redjan Rraja dhe Ramazan Rraja dhe se janë kushërinjtë e Rexhep Rrajës. Me një ton zëri të lartë dhe të revoltuar më thanë: “Çfarë problemi ke me ne? Për çfarë e ke thirrur sot Xhensilën dhe e ke pyetur për ne?”, dëshmon Nuhu. Ai thotë se iu përgjigj me qetësi duke u shpjeguar se kishte marrë një dosje nga prokuroria për procedimin penal të regjistruar në ngarkim të kushëririt të tyre. “Ndërkohë që po flisja ai më thotë: Nuk më rruhet k….. fare për ty që ke ardh nga Berati dhe do të bësh ligjin në Fushë-Krujë. Ne e shkrijmë të gjithë komisariatin dhe ty të s’të kemi asgjë. Do të të zhdukim ty bashkë me familjen, po thirre më njeri nga fisi jonë ta marrësh në pyetje. Do të zhdukim ty bashkë më familjen tënde për 24 orë nëse vazhdon merresh me ne dhe mos të të shohim më në Fushë-Krujë. Ligjin në Fushë-Krujë e bëjmë ne dhe jo ti”, denonconte Emiljano Nuhu. Në rastin tjetër, 34-vjeçari Rraja, me profesion stomatolog, u hetua dhe më pas dënua me 8 muaj burg për pengim të zbardhjes së të vërtetës në vrasjen e bujshme të Elton Çiços të ndodhur në vitin 2016 në një lokal në zonën e ish-Bllokut. Rraja ndodhej në të njëjtën tavolinë me Elton Çiçon, me të cilin kishte lidhje miqësore. Pas vrasjes së Çiços, Redjan Rraja shihet nga pamjet filmike të kamerave të lokalit teksa merr me shpejtësi telefonin dhe armën e viktimës, duke i fshehur ato. Për këtë, 34-vjeçari u akuzua për “pengim të hetimit” dhe më pas dënua me 8 muaj burgim. Gjatë periudhës së burgut mori nofkën “Dentisti” për shkak të profesionit

Flash Lajme

Më të lexuarat