Gjergj Krygja, 43 vjeç u ekzekutua në fshatin Sumë. 4 plagë gjatë ekzekutimit, arratisen vrasësit me ‘Fuoristradë’. U denoncua për vjedhje votash në vitin 2015, kush është përfaqësuesi socialist i Dukagjinit

Diamila Leka

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në Shkodër, ku një person është qëlluar për vdekje nga persona të paidentifikuar. Vritet me armë zjarri pranë banesës së tij Gjergj Krygja në fshatin Sumë, Njësia Administrative Pult, në Shkodër. Babai i tre fëmijëve, është ekzekutuar rreth orës 11:40, në rrethana ende të paqarta. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se shtetasi Gjergj Krygja, është qëlluar me armë zjarri pranë banesës së pabanueshme nga ai, ndërsa ka ndërruar jetë. Mësohet se 43-vjeçari kishte shkuar në fshat për të mbledhur prodhimet e dimrit, që ka në tokat bujqësore ndërsa është qëlluar për vdekje. Krygja, është vrarë në afërsi të banesës që ka në fshat, pasi nuk banonte aty por shkonte vetëm për të mbledhur prodhimet e dimrit. Sipas hetimeve të deritanishme mësohet se autorët e vrasjes së Gjergj Krygjës kanë lëvizur me një mjet tip ‘Fuoristradë’ në afërsi të banesës së 43-vjeçarit. Ndërsa viktima ka marrë 4 plagë si pasojë e atentatit me armë zjarri, ndërkohë që autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes pas krimit. “Me datë 06.11.2019, rreth orës 11:40, në fshatin Sumë, Njësia Administrative Pult, Shkodër, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri shtetasin Gj. K. 43 vjeç, i cili ka ndërruar jetë. Në drejtim të vendngjarjes janë nisur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje”, thuhet në njoftimin e policisë. Ndërkohë, bëhet e ditur se forcat policore po bastisin çdo ndërtesë në këtë zonë dhe po bëjnë kontrolle të hollësishme në të gjithë fshatin për të gjetur gjurmë që mund të çojnë në zbulimin e autorit apo autorëve që vranë babanë e tre fëmijëve. Vendi ku u ekzekutua 43-vjeçari është një zonë ku ka një infrastrukturë të dobët dhe mungesa e rrugëve i ka vështirësuar punën policisë që të mbërrijë sa më shpejt. Ky fakt mund të ketë favorizuar autorin/ët që të humbasin gjurmët. Një ekzekutim i ngjashëm ndodhi jo më larg se 2 javë më parë, ku viktimë mbeti Lazër Arraj.

Kush është Krygja?

Mësohet se viktima Gjergj Kryegja ka qënë komisioner i Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2015 në Qendrën e Votimeve numër 0092. Ka qënë pikërisht kjo qendër votimi ajo që u denoncua nga PD-ja se i ishin vjedhur masivisht vota nga koalicioni PS-LSI. Asokohe deputeti Eduart Halimi, i cili sot është tërhequr nga politika, ka bërë deklarata dhe ka publikuar video ku denonconte se si vidheshin votat nga komisionerët socialistë.Partia Demokratike pretendonte se kishte humbur vota në njësinë administrative të Pultit në Shkodër. “PD publikon sot si provë se si pushteti masakroi standardin për zgjedhjet e lira. Në Pult të Shkodrës kutia 0092 është tejmbushur me vota nga komisionerët e PS dhe LSI. Në video duket qartë që gjatë procesit të votimit kanë mbushur duart me fletët e votimit. 2 komisionerët e PD janë nxjerrë forcërisht nga qendra e votimit. Rezultati i këtyre veprimeve verifikon tërësisht pretendimin e PD. Në kuti u gjetën 388 fletë kur në votim sipas procesverbalit kanë firmosur 377 persona. Në 2013 në këtë QV kanë marrë pjesë jo më shumë se 125 persona. Rezultati për këtë QV është Bazhdari 331 vota ose 88%, për kandidatin e pavarur 2 vota ndërsa për kandidaten fituese 44 vota. PD i bën thirrje prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal për komisionerët që mbushën kutitë e votimit. i bëjmë thirrje OSBE/ODIHR të marrë menjëherë këtë provë”, deklaronte asokohe deputeti demokrat.

Ngjarja

Lazer Arraj u ekzekutua pasi kishte dalë me dy kuaj për të marrë ushqimet e dimrit për familjen, kryesisht qepë dhe patate në fshatin e origjinës. Duke qenë se fshati i lindjes ku dhe kishte marrë zahiretë e dimrit është larg, ai kishte dalë në rrugën kryesore me kafshët, të cilat u gjetën të ngarkuara me ushqime. Ndërkohë Arra u gjet i larë në gjak në rrugë, nga të afërmit e tij, dy nipërit. Ekzekutimi i 55-vjeçarit rezulton se është kryer me breshëri automatiku, duke bërë që viktima të gjejë vdekjen në vend, pa mundur të dilte në rrugën kryesore, prej nga me makina të rastit do të çonte ushqimet drejt banesës së tij. Dy kuajt me të cilët ai po bënte transportin e zahireve, mësohet se i kishte marrë tek të afërmit e tij. Lazër Arraj, kishte vënë në dijeni nipërit e tij që të shkonin e të merrnin kuajt pas transportit që ai bëri deri në rrugën kryesore të fshatit, aty ku edhe do të priste furgonët e linjës. Kur dy nipërit e 55-vjeçarit kanë zbritur në rrugën kryesore të fshatit, kanë parë xhaxhanë e tyre të lartë në gjak. Ndaj Arrajt, dyshohet se është qëlluar me breshëri automatiku, ndërsa trupi i tij është gjetur pranë kuajve që ishin të ngarkuar me zahire.

Gjergj Krygja mbeti viktimë si pasojë e një ekzekutimi me armë në banesën e tij të pabanuar. 43-vjeçari mësohet të ketë qenë komisioner në zgjedhjet vendore të 2015 në qendrën e votimit me numër 0092, si përfaqësues i Partisë Socialiste. Ngjashëm me Krygjën, u ekzekutua në 22 tetor, po në Dukagjin edhe Lazer Arraj, për të cilin u akuzua nipi i tij. Arraj u gjet i larë në gjak në rrugë, nga të afërmit e tij, dy nipërit. Ekzekutimi i 55-vjeçarit rezulton se është kryer me breshëri automatiku, duke bërë që viktima të gjejë vdekjen në vend, pa mundur të dilte në rrugën kryesore, prej nga me makina të rastit do të çonte ushqimet drejt banesës së tij.

Flash Lajme

Më të lexuarat