Prokurori Olsian Çela mori 459 pikë nga vlerësimi i KPK, ndërsa prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku mori 406 pikë, kurse Fatjona Memçaj 362 pikë. Emrat e kandidatëve pritet t’i dorëzohen Kuvendit

Xhentila Gjoshi

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vlerësuar platformën që prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela parashtroi gjatë procesit të intervistimit. Çela arriti të renditej i pari në listë, ndërsa kandidon përballë dy kolegeve të tij, Arta Markun dhe Fatjona Memçaj. Prokurori Olsian Çela mori 459 pikë nga vlerësimi i KPK, ndërsa prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku mori 406 pikë, kurse Fatjona Memçaj 362 pikë. Listimi në vend të parë i Olsian Çelës, në vend të dytë i Arta Markut dhe në vend të tretë i Fatjona Memçajt u votua unanimisht nga Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Olsian Çela mësohet se lajmin e renditjes në vend të parë e mësoi teksa ishte në sallën e Gjykatës ku po përfaqësonte një çështje gjyqësore, ndërkohë që edhe dy rivalet e tij për këtë post gjendeshin në zyrë. Tashmë do të respektohet ligji që ka vendosur afat për pretendentët nëse ndonjëri prej tyre do ta kundërshtojë renditjen në Gjykatën e Apelit Administrativ. Dhe vetëm pas këtij moment Këshilli i Lartë i Prokurorisë do t’a dorëzojë listën në parlament prej nga ku duhet që të votohet për Prokurorin e Përgjithshëm, i pari pas ndryshimeve të reformës në drejtësi që ka mandatin shtatë vjeçar. Për shkak se në vend të parë është listuar prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela pritet që edhe Parlamenti t’a votojë për Prokuror të Përgjithshëm. Në rast se asnjë kandidat nuk merr 84 vota, atëherë automatikisht Prokuror i Përgjithshëm do të zgjidhet ai që është renditur i pari. Të mërkurën, Këshilli i Lartë i Prokurorisë intervistoi në seanca të ndara të tre kandidatët. Ata paraqiten platformat e tyre dhe më pas iu përgjigjen pyetjeve të anëtarëve të KLP për çështje të ndryshme për menaxhimin e punës në Prokurorinë e Përgjithshme.

Intervistimi

E para që shpalosi platformën e saj për Prokuror të Përgjithshëm para KLP-së Arta Marku, e cila e nisi fjalën e saj duke folur për të shkuarën dhe eksperiencën e saj. Marku tha para anëtarëve të KLP-së se nëse zgjidhej Kryeprokurore me mandat të plotë, do të përmirësonte treguesit e punës, do të rriste besimin e publikut në sistemin e Prokurorisë dhe do të punonte për tregues statistikorë të plotë dhe të saktë. Marku iu përgjigj edhe pyetjeve për ndikim, politikë, duke thënë se ajo kishte dhënë prova që është e pandikueshme dhe se të vetmen mbështetje që ka pasur, është ajo e ndërkombëtarëve. E dyta që doli para Këshillit ishte prokurorja e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj. Kjo e fundit e kishte mbështetur platformën e saj në monitorimin e punës së prokurorëve dhe zgjidhjes së problemeve që mund të kenë. Më tej, prokurorja tha se roli i Prokurorit të Përgjithshëm është që të sigurohet që respektohet ligji. Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela, ishte i fundit që doli para KLP-së dhe parashtroi platformën e tij. Çela tha se nëse do të ishte Prokurori i Përgjithshëm, do të bënte ndryshime rrënjësore në këtë institucion, duke e bërë më interaktiv, pavarësisht cungimit të kompetencave. Prokurori në programin e tij kishte evidentuar një sërë problemesh, një pjesë i konsideroi si “kronike” të sistemit dhe disa të tjera të krijuara rishtazi. Teksa foli për mosefikasitetin e politikave penale, Çela u shpreh ashpër ndaj punës së bërë nga Prokuroria gjatë kësaj kohe. Në platformën e tij, prokurori i Krimeve të Rënda tha se do të krijonte bashkëpunim me disa institucione dhe se do të monitoronte punën e prokurorëve, ku çdo 4 muaj do të zhvillonte një mbledhje me drejtues të prokurorive. “Këto problematika nuk i shoh vetëm brenda Prokurorisë, por më gjerë, në tërësinë e përgjigjeve që ka shteti ndaj kriminalitetit. Do të doja të ngriheshin probleme nga kushdo, të thonë pse kriminaliteti është në rritje, pse s’kanë efekt masat që ne marrim. Problemet shtrihen më përtej se Gjykata e Prokuroria. Unë dëgjoj vetëm ashpërsim dënimesh, po a i kemi krahasuar ato me vendet e BE? Na kanë dhënë këto masa rezultatet e pritura, a mendohet çfarë pasojash shkaktojnë te familjet e atyre që izolohen këto masa ekstreme? A mendojmë që ai njeriu që ka shkuar në burg, ka punë, familje, fëmijë që mbeten pa mbështetje? Si do jetojnë, ç’do bëjnë për të jetuar? Ligjet penale nuk duhet të cenojnë familjen. Me keqardhje më duhet të pranoj se të ashpër kemi qenë me shtresat e dobëta, por kështu thellojmë problemet sociale, përgatisim breza të rinj, që nesër janë fidanishte krimi. Prokuroria duhet të ketë një vizion në shoqëri, jo vetëm masë të ashpër, vetë kodi të lejon të zbatosh si duhet, të mos jemi ekstremë, ajo që kam propozuar është kryerja e një studimi mbi efektet që ka hetimi penal. Efektet parandaluese, sa na kanë ndihmuar? Ligji dhe morali duhet të shkojnë përherë bashkë dhe kjo më pas pasqyrohet në mënyrën sesi Prokurori i Përgjithshëm ndërvepron me institucionet e tjera”, është shprehur Çela ditën e intervistimit.

Kryeprokurorja e Përkohshme

Pak ditë para se Këshilli i Lartë i Prokurorisë të përpilonte listën përfundimtare të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, Arta Marku ka dorëzuar një dokument të pazakontë. Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, ka realizuar në mënyrë individuale, me anë të telefonatave, një sondazh sipas të cilit mbi 3000 njerëz do të preferonin që ajo të zgjidhej Prokurore e Përgjithshme. Sondazhi, është hartuar kur në garë ishte ende avokati Lulzim Alushaj. Nga 5896 votues, 3157 vetë kanë shprehur preferencën që Marku të jetë Prokuror e Përgjithshme, ndërsa 1258 kanë zgjedhur Lulzim Alushajn. Olsian Çelaj, i cili u rendit i pari në listën e KLP, ka marrë vetëm 917 vota, ndërsa Fatjona Memçaj 564.

Platforma e Olsian Çelës, çfarë deklaroi para anëtarëve të KLP

Të mërkurën, prokurori i Krimeve të Rënda ishte i treti në radhë që u intervistua nga anëtarët e KLP. Përballë tyre, ai prezantoi platformën për prokuror të Përgjithshëm.

Gent Ibrahimi: Çfarë mund të bëjë Prokurori i Përgjithshëm për të minimizuar efektet që krijon pavarësia e prokurorëve?

Çela: Kam qenë përherë i bindur për nevojën e pavarësisë së prokurorit. Nga përvoja që kam, e imja personale, e kolegëve, marrëdhënia drejtues-vartës ka qenë një nga problemet kryesore, me të cilat zyrat e prokurorëve janë hasur dhe shpeshherë kanë krijuar ato tensionet brenda zyrave, që shpesh kanë çuar në deformime, jo vetëm të vullnetit të prokurorit, por në deformime edhe në interpretimin e ligjit. Në mungesë të cilësisë së hetimit, ligji i ri synoi pikërisht që t’u japë prokurorëve mundësinë të jenë vetvetja. Të mos fshihen më pas kolektivit, të mos fshihen më pas drejtuesit, të mos fshihen më pas Prokurorit të Përgjithshëm, por të jenë përballë ligjit, gjykatës dhe opinionit publik. Në këtë këndvështrim, unë e shikoj thelbësore garantimin, ruajtjen e kësaj pavarësie, e cila, për sa kohë mbetet brenda respektimit të kuadrit ligjor, është e shëndetshme për sistemin. Ajo çfarë unë vë re dhe konstatoj me shqetësim është që prokurorë të caktuar, për shkak të lirisë që i jep ligji, duke pasur edhe sensin e protagonizmit, nuk arrijnë ta menaxhojnë siç duhet këtë pavarësi. Kjo, natyrisht prodhon pasoja. Për të menaxhuar këto situata dhe që organi të punojë si një i tërë, është e rëndësishme që Prokuroria e Përgjithshme të ushtrojë një monitorim konstant mbi punën e prokurorive.

Bazaj: Çfarë do të implementoni në rast se konstatoni shkelje të të drejtave të avokatëve?

Çela: Ka raste kur kanë pretenduar dhunën, kane pretenduar mungesën e autenticitetit të firmës në atë që kanë firmosur. Shpesh kanë kërkuar avokatë mbrojtës dhe kemi konstatuar shpesh mbrojtje jo efektive nga avokatët që caktohen nga oficerët gjyqësorë në momentet e para. Këto janë sinjalizime që ne na vijnë shpesh dhe kur përgatita këtë platformë, ishte një nga gjerët që më shqetësonte më shumë. Se çfarë do kishte kuptim ky sistem ligjor, nëse ne s’do jemi në gjendje t’u sigurojmë qytetarëve garancitë themelore kur u kufizohet liria? Avokatët shpesh s’janë avokatë, vendosin firma aty ku u thuhet të firmosin.

Beci: Keni thënë se keni vërejtur politika penale të paefektshme, ku e referoni dhe cilat janë këto?

Çela: Këto problematika nuk i shoh vetëm brenda Prokurorisë, por më gjerë, në tërësinë e përgjigjeve që ka shteti ndaj kriminalitetit. Do të doja të ngriheshin probleme nga kushdo, të thonë pse kriminaliteti është në rritje, pse s’kanë efekt masat që ne marrim. Problemet shtrihen më përtej se Gjykata e Prokuroria. Unë dëgjoj vetëm ashpërsim dënimesh, po a i kemi krahasuar ato me vendet e BE? Na kanë dhënë këto masa rezultatet e pritura, a mendohet çfarë pasojash shkaktojnë te familjet e atyre që izolohen këto masa ekstreme? A mendojmë që ai njeriu që ka shkuar në burg, ka punë, familje, fëmijë që mbeten pa mbështetje? Si do jetojnë, ç’do bëjnë për të jetuar? Ligjet penale nuk duhet të cenojnë familjen. Me keqardhje më duhet të pranoj se të ashpër kemi qenë me shtresat e dobëta, por kështu thellojmë problemet sociale, përgatisim breza të rinj, që nesër janë fidanishte krimi. Prokuroria duhet të ketë një vizion në shoqëri, jo vetëm masë të ashpër, vetë kodi të lejon të zbatosh si duhet, të mos jemi ekstremë, ajo që kam propozuar është kryerja e një studimi mbi efektet që ka hetimi penal. Efektet parandaluese, sa na kanë ndihmuar? Ligji dhe morali duhet të shkojnë përherë bashkë dhe kjo më pas pasqyrohet në mënyrën sesi Prokurori i Përgjithshëm ndërvepron me institucionet e tjera.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All