Ekspertë të ndryshëm të sistemeve elektorale në Shqipëri, kritikojnë qëndrimet e PS-PD në lidhje me Kodin Zgjedhor. E pakuptueshme sesi palët politike, nuk mundet të ulen dhe të diskutojnë për këtë çështje

Erjon Dervishi

Ekspertët zgjedhore i bëjnë apel politikës të reflektojnë dhe të punojnë për përmbylljen e reformës zgjedhore. Ish-kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi beson se ka ardhur koha se për një model të ri të administratës zgjedhore, duke kërkuar që ky ndryshim të nisë nga KQZ. Por për këtë ndryshim nuk është optimist, ish-kreu i KQZ, Kume sipas të cilit presioni mbi administratën zgjedhore do të jetë i madh nëse do t’i besohet administrimi i zgjedhjeve. Ekspertët ishin të mbledhur dje në tryezën “9+ kushtet e Bundestagut” ku u fokusuan te kriteri për sistemin zgjedhor.

Mendime

Ish-kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi deklaroi se është e pakuptueshme sesi palët politike të cilët janë të gjitha të interesuara për reformën zgjedhore nuk mundet të ulen dhe të diskutojnë për këtë çështje. “Ato janë të përfshira deri tani në retorika politike pa kuptim dhe pa asnjë qëllim. Ky raport ndërmjet tyre është i tillë kur ato akoma nuk kanë filluar të diskutojnë për aspektet teknike të procesit të reformës zgjedhore. Ndërkohë koha kalon dhe rreziku është që kryerja e kësaj reforme të dështojë, ose ajo edhe mund të kryhet, por nëse njëra nga palët politike nuk do të përfshihet në të atëherë ekziston rreziku i cenimit të besimit të zgjedhësve, por edhe të vetë partive politike në integritetin  e procesit zgjedhor të radhës”.

Ndërkohë, drejtori Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi deklaroi se sistemi aktual është i tillë që praktikisht qytetarët përfaqësohen, por përfaqësohen me ata që nuk duan.”Sistemi aktual është i tillë që le parimin kushtetues të proporcionalitetit, le pa përfaqësim rreth 100-120 mijë zgjedhës nga 1.7 milionë votues. Për shkak se ata votojnë për parti të vogla, ose për parti të tjera, ose për kandidatë të pavarur, ose për shkak të formulës vota e tyre digjet ata ngelen pa përfaqësim. Sistemi ynë është i tillë që praktikisht ata përfaqësohen, por përfaqësohet me ata që nuk duan”, deklaroi Krasniqi.  Por ndryshe e mendon këtë gjë ish-kryetari i KQZ, Kristaq Kume, i cili kur bëhet fjalë për presionin që do të kishte një përfaqësues i administratës që do të menaxhonte zgjedhjet kujton një bisedë me Lulzim Bashën.

Për ish-ministrin e Financave, Arben Malaj, shqetësimi është që për fazën në të cilën ndodhet funksionimi institucionalizimi i shtetit shqiptar, nëse do të përdornim terma nga kompjuteri nuk e di nëse duhet restar, reboot apo reset. “Por situata është që funksionimi institucional është sot problemi më akut që ka jo vetëm politika shqiptare, pasi pasojat negative ndihen në jetën e përditshme të shqiptarëve. Misioni i politikës është tja bëjë më të lehtë dhe më të mirë. Së dyti, çfarëdo reforme që të bëjmë ne duhet harmonizim i mirë midis institucioneve që ndërtojmë me ligj dhe personaliteteve të fushave respektive që u japim mandatin të zbatojnë në mënyrë efektive dhe korrekte reforma strukturore ku Shqipëria duket se ka ngecur”, tha ai.

Flash Lajme

Më të lexuarat